Rezarta Kanushi: Mësuesi ndihmës nuk "rri kot", mos gjykoni një punë që nuk e kuptoni!
“Mësuesi ndihmës nuk rri kot! Pas çdo hapi të vogël të fëmijës qëndrojnë profesionalizmi, durimi dhe përkushtimi. Para se të gjykoni, informohuni. Respektoni këtë profesion dhe kuptoni se bashkëpunimi mes mësuesve është çelësi i suksesit dhe përfshirjes së çdo fëmije”.
Nga Rezarta Kanushi, specialiste në arsimin special
Shpesh dëgjojmë:
"Mësuesi ndihmës rri kot."
"E merr rrogën kot."
"Është si dado."
Dhe pas këtyre vijnë etiketime të tjera, të thëna nëpër cepa, në korridore ose pas shpine.
Por para se të flisni, informohuni.
Para se të gjykoni, shikoni punën.
Dhe mbi të gjitha, para se të nënvlerësoni një profesionist, mësoni të respektoni profesionin e tij.
Mësuesi ndihmës nuk është "dado". Nuk është dikush që rri në klasë sa për të mbushur orarin. Është profesionist i arsimit, me formim, përgjegjësi dhe detyrime të qarta profesionale.
Dhe le të flasim me fakte. Shumë prej nesh, për të qenë në atë klasë, kemi:
- dy diploma bachelor,
- dy diploma master,
- dy licenca profesionale,
- trajnime të specializuara, si terapia ABA dhe metoda të tjera të mbështetura në evidenca shkencore, dhe orë të panumërta trajnimi të vazhdueshëm.
Pra, ai që ju e quani "dado" shpesh ka më shumë vite studimi dhe kualifikime sesa shumë nga ata që e gjykojnë. Kjo nuk thuhet për t'u mburrur, por që të kuptohet se pas këtij profesioni qëndron përgatitje serioze, jo rastësi.
Puna e mësuesit ndihmës nuk bën zhurmë. Nuk ka gjithmonë rezultate spektakolare. Ka fëmijë që ecin me hapa të vegjël. Shumë të vegjël.
Një fëmijë që sot qëndron më gjatë i përqendruar.
Një tjetër që mëson të shprehë një nevojë.
Një tjetër që shkruan fjalën e parë.
Një tjetër që për herë të parë luan me shokët.
Një tjetër që arrin të menaxhojë një emocion pa shpërthyer.
Këto janë fitore. Dhe dikush ka punuar çdo ditë, me metodë dhe durim, për t'i arritur.
Bëjini vetes një pyetje të thjeshtë: nëse në klasë ka një ose dy nxënës që kanë nevojë për mbështetje të specializuar, a mundet mësuesi i klasës, i vetëm, të menaxhojë njëkohësisht gjithë klasën dhe nevojat individuale të këtyre fëmijëve?
Mësuesi i klasës ka rolin e tij. Mësuesi ndihmës ka rolin e tij. Kur këto role bashkëpunojnë, fiton fëmija.
Por ka edhe një paradoks të shëmtuar mes kolegësh. Kur mësuesi ndihmës është në klasë, disa ankohen: "Pse duhet të jetë këtu? Çfarë bën gjithë ditën? Për çfarë paguhet?" Kur nuk është, të njëjtët pyesin: "Kur do të na sjellin një mësues ndihmës?"
Vendoseni mendjen njëherë e mirë. Mësuesi ndihmës nuk është privilegj. Nuk është dekor. Është pjesë e sistemit arsimor, me profesion të përcaktuar, ashtu si mësuesi i gjuhës, i matematikës, i historisë, i TIK-ut apo i edukimit fizik. Secili ka detyrën dhe përgjegjësinë e vet.
Dhe dua të ndalem te diçka edhe më e rëndësishme: nëse e quani veten profesionistë dhe edukatorë, është e turpshme ta përgojoni kolegun, ta nënçmoni dhe t'i buzëqeshni në sy, ndërsa pas shpine flisni ndryshe.
Çfarë shembulli u japim fëmijëve?
U mësojmë të mos bullizojnë, ndërkohë që bullizojmë kolegun.
U mësojmë të respektojnë ndryshimin, ndërkohë që përbuzim profesionin e tjetrit.
U mësojmë të bashkëpunojnë, ndërkohë që flasim për njëri-tjetrin pas shpine.
Kjo nuk është edukatë. Kjo është hipokrizi.
Mos e matni punën e kolegut me sa zhurmë bën, me sa lëviz në klasë apo me sa shpejt vijnë rezultatet. Shikoni progresin e fëmijës. Aty është përgjigjja.
Nëse nuk e kuptoni punën e kolegut, pyeteni. Nëse nuk i dini përgjegjësitë e tij, informohuni. Nëse mendoni se diçka mund të bëhet më mirë, bashkëpunoni.
Por mjaft me etiketimet. Mjaft me fjalët nëpër cepa. Mjaft me buzëqeshjet përballë dhe gjykimet pas shpine.
Nuk jemi në shkollë për të konkurruar me njëri-tjetrin. Jemi aty për të edukuar fëmijët. Dhe një profesionist i vërtetë nuk e ul kolegun për t'u dukur vetë më lart.
Prandaj, herën tjetër që do të thoni "mësuesi ndihmës rri kot", ndaloni një sekondë dhe pyesni veten:
A po shoh vërtet punën që bëhet, apo po gjykoj diçka që nuk e njoh?
Sepse padija mund të justifikojë pyetjen, por kurrë nuk justifikon përbuzjen.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Luan Stafasani: 456 shprehje frazeologjike që përdoren më shpesh në Mat
10 Tetori, Dita Botërore e Shëndetit Mendor 2026: Të dëgjojmë njerëzit për të sjellë ndryshim të vërtetë
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"