"Shiti verore për t’i bërë dhuratë nënës, por u bullizua nga shokët", rrëfimi i gazetares Anila Hoxha që preku rrjetin

Një rrëfim prekës i gazetares Anila Hoxha në Facebook sjell historinë e një nxënësi 10-vjeçar nga një shkollë e Tiranës që bullizohet nga shokët, sepse shiti verore për t’i bërë dhuratë nënës për 8 Marsin. Një reflektim i fortë mbi bullizmin, varfërinë dhe empatinë në shkollë.

Një rrëfim i ndjerë dhe i dhimbshëm për realitetin e bullizmit mes fëmijëve në shkollë është ndarë së fundmi në rrjetet sociale nga gazetarja shqiptare Anila Hoxha. Në një postim në profilin e saj në Facebook, ajo sjell historinë e një nëne të re dhe të djalit të saj 10-vjeçar, i cili është bërë objekt përqeshjeje dhe bullizmi nga bashkëmoshatarët e tij.


Rrëfimi prek një plagë të ndjeshme të realitetit shoqëror dhe shkollor: paragjykimin ndaj fëmijëve që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike. Djali i vogël kishte përgatitur dhe shitur “verore” për t’i bërë një dhuratë nënës së tij për 8 Marsin, por kjo iniciativë u kthye në arsye talljeje nga shokët e klasës.


Ky reflektim i gazetares ngre pyetje të forta për empatinë, edukimin dhe rolin e shkollës, familjes dhe shoqërisë në formimin e fëmijëve. Më poshtë po sjellim të plotë rrëfimin e publikuar nga gazetarja në rrjetin social.



Shkrimi i publikuar nga gazetarja Anila Hoxha në Facebook:


Quo vadis??

"Për tmë bërë dhuratë për 8 marsin im bir shiti verore. E kishte parë një nga shoqet e klasës, dhe tregoi në shkollë. Gjithë klasa tani po e bullizon dhe qeshin me të. Po e tregojnë me gisht e përqeshin ...mos rrini me të, ai del dhe shet në rrugë. Është i varfër...".

Im bir , vec dhjetë vjec... është fëmijë , nuk më ka treguar . Por më ka sinjalizuar sot njëra nga mësueset dhe po me del zemra nga vendi"


Kështu e nis bisedën Eda, nëna e tre djemve të vegjël. E sapo divorcuar.

I shoqi e braktisi për një tjetër grua. Jeta po i tregon vetëm anën e saj më brutale.

Ajo po lufton t’ia dalë. Dhe të rrisë njerëz të bukur.

"Punoj me orë në qendër estetike bëj thonj e qerpikë. Nga e ardhmja për tu bërë psikologe shih ku jam sot - thotë- ndonjëherë fle duke pirë vetëm ujë çezme".


Dhe duke mos e lënë në asnjë moment gruan dinjitoze që ajo është, humbet mes rrëfimit dhe filozofisë:

– Kur ke nevojë, kur prek fundin, çdo gjë bëhet e shtrenjtë, e paarritshme, thua se edhe fryma dhe ekzistenca jonë varet prej tyre. A e di çdo të thotë të numërosh qindarkat?

Kur e pyes për fëmijët, merr frymë dhe nuk mund ta shpjegoj se si e lëshon në ajër brengën dhe menjëherë në çast i qeshin sytë.

Djali i madh i kishte përgatitur veroret me dy ngjyra; të bardha si duhet të jetë shpirti dhe të kuqe si gjaku që duhet të na kujtojë se jemi njerëz e jo shejtanër.

"Im bir e ka marrë shtyllën e shtëpisë që 6 vjeç. Shokëve të klasës u bëri dhuratë secilit nga një verore dhe ata tallen me të. Im bir është në shkollën Dhora Leka në Tiranë. Nesër mësuesja do bëjë mbledhje" – pëshpërit me pak shpresë e me një fije zëri që më ngjan se është lëkura e saj e fundit.

Kjo grua e madhe mbushur me dinjitet e tëra. Kjo grua e madhe. Kjo nënë gati gati shenjtore duke jetuar midis nesh.


Pastaj shton:

"E di ç’më bëri dhuratë im bir atë ditë? Tre trëndafila nga një secili dhe… kishte mbushur tavolinën me ushqime".

Atë ditë unë kisha zbukuruar gra të tjera dhe kur ju qeshja secilës përsiatesha – të paguaj qiranë apo të nxjerr fëmijët t’u blej atlete?


Më zgjat një letër. E hap.

"Më kishin bërë dhe këtë kartolinë, fëmijët, kjo letër janë oksigjeni im. Dhe prapë djalin tim e qeshin shokët. E quajnë “virusi i veroreve”... Ata fëmijë, ata bij të dikujt, ata të ngopurit me bukë, me Prada, me telefona, me prindër… por pa dashuri."

Më pyet, por unë s’kam asnjë përgjigje:

"Anila, a e di që së fundmi e kanë rrahur sepse djali im nuk vishet si ata, nuk ka telefon dhe nuk e ka mamin në një punë të mirë?! Më thuaj si ta përballoj këtë sfidë se me të tjerat po ja dal? Divorci… varfëria… vetmia… tradhtia… braktisja dhe Tirana e egër që po na trajton si mish i huaj… Çfarë tjetër i kam borxh jetës, Anila?"




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

107 Lexime
1 orë më parë