Organizimi për në shkollë

Si mund të ndiheni të lumtur gjatë ditëve të shkollës?

Fillimi i një rutine të re në shkollë është diçka e vështirë, për më tepër në situatën ku ndodhemi prej pandemisë COVID-19. Por mjafton që ju si nxënës ta parapërgatitni veten për të qenë të organizuar dhe për rrjedhojë të ndiheni të lumtur gjatë ditëve që do të shkoni në shkollë. Ky artikull është për ju...

Fundi i pushimeve verore, pushimet e shkurtra, apo edhe vetëm fundjava mund të nënkuptojë fillimin e periudhave stresuese. Shkolla sjell studime, provime...dhe si e tillë ajo mund të sjellë vërtet një harxhim të energjive dhe lumturisë tuaj. Por shkollën nuk ka pse ta shihni si diçka të  tmerrshme. Kur qëndroni të organizuar, mbani një perspektivë pozitive dhe merrni masa për të zvogëluar nivelin e stresit, sepse vetëm kështu shkolla do të kthehet në një institucion në të mirën tuaj.


Krijoni agjendën tuaj personale 

 Çdo të diel, para se të fillojë java për të shkuar në shkollë, merrni pak kohë për të planifikuar orarin tuaj. Filloni duke bërë detyrat e shtëpisë  dhe gjithçka tjetër që ju kërkohet të bëni (si p.sh,një detyrë praktike, sportive ose detyra të tjera specifike). Më pas  hapësirën e mbetur, kalojeni me sport. Në ditët në vijim shihni më  përpara për ndonjë detyrë të madhe dhe bëni ndonjë ndryshim të vogël tek agjenda juaj. Ndjekja e një orari heq stresin, nga ndjesia se nuk di të bësh gjithçka, dhe  kjo do të sjellë ditë më të lumtura në shkollë.


Shmangni zvarritjen e gjërave 

Puna në shkollë gjithmonë rezulton më e mira dhe sjell sasi më të vogël të stresit, kur ne punojmë sistematikisht. Sidoqoftë mund të jetë joshëse të shtyhet puna për momentin e fundit. Por ju sugjerohet që më mirë të hiqni dorë nga shmangia e zvarritjes së gjërave, pasi shtyrja e tyre vetëm do të shkaktojë stres dhe do të bëjë që puna juaj në shkollë të jetë stresuese për ju. Kur të merrni një detyrë të madhe, përpiquni të punoni çdo ditë për të dhe jepini vetes mini-afate.


Mundohuni të shmangni çdo shpërqendrues

Shkoni në vende të qeta ku mund të punoni, në vende të tilla si biblioteka, kafene-studimi, ose në një vend tjetër ku njerëzit po punojnë. Të qenit pranë të tjerëve që janë të përqendruar në punën e tyre në të vërtetë mund t'ju ndihmojë të qëndroni më të përqendruar. 

• Çaktivizoni njoftimet nga telefoni, emaili ose media juaj sociale.

• Mundohuni të punoni çdo ditë nga pak, në vend që të mendoni se mund t'i bëni të gjitha menjëherë.


Planifikoni veshjet tuaja për çdo javë

Përpjekja për të kuptuar se çfarë të veshësh çdo ditë mund të jetë një burim i madh stresi dhe pakënaqësie, veçanërisht herët në mëngjes. Bëjeni më të lehtë për veten tuaj duke planifikuar veshjet tuaja për javën çdo të diel. Duke shfrytëzuar kohë për parapërgatitjet për javën tuaj, ju do të ndiheni të sigurt, rehat dhe të lumtur çdo ditë. Filloni duke kontrolluar motin. Mund të zgjidhni nga një veshje për çdo  ditë të  shkollës. Mund t’ju  ndihmojë një varëse e thjeshtë rrobash  në dollapin tuaj, ku mund të ruani secilën veshje për secilën ditë.

Gjeni kohën e duhur për argëtim 

Është e lehtë të mbash veten vazhdimisht të zënë me aktivitete akademike dhe jashtëshkollore, por është po aq thelbësore për shëndetin dhe lumturinë të bëni diçka argëtuese çdo ditë. Ditët e shkollës mund të jenë të mbushura me detyrime, por siguroni të paktën pak kohë për diçka që vërtet ju pëlqen. Si p.sh, dëgjoni muzikë argëtuese ose kaloni kohë me miqtë tuaj.

Mbani një listë të gjërave që keni bërë

Listat "Për të bërë..." mund t'ju ndihmojnë të mbani gjurmët e asaj që duhet të përmbushni, por krijimi i një liste "Të bërë..." mund të jetë po aq e rëndësishme. Kurdoherë që ndiheni të mbingarkuar nga gjithçka që duhet të bëni, ndaloni dhe bëni një listë të të gjitha gjërave që keni përfunduar tashmë! Mbajtja e një liste të asaj që keni bërë (në vend që të përqendroheni vetëm në atë që ende duhet të bëni) ju kujton të gjithë punën tuaj të vështirë, ndihmon në mbajtjen e gjërave në perspektivë dhe bën ditë më të lumtura në shkollë. 

Qëndroni aktiv në klasë

Një pjesë e madhe e të qëndruarit të organizuar përfshin vëmendjen dhe pjesëmarrjen ndërsa jeni në të vërtetë në klasë. Besoni apo jo, qëndrimi i angazhuar në diskutim në klasë është mënyra më efektive për ta bërë kohën të kalojë shpejt. Për më tepër, nëse jeni të përgatitur të merrni pjesë në klasë, ka më pak të ngjarë të keni frikë të merrni pjesë. Përgatiteni veten për sukses duke rishikuar atë që do të mbuloni në klasë para kohe. Gjeni një mënyrë për ta bërë materialin e kursit të rëndësishëm për ju, në mënyrë që të mund të angazhoheni më lehtë me të. Adoptoni një mendim kurioziteti dhe kërkoni të mësoni më shumë për botën, përfshirë detyrat e kursit. Sigurohuni që keni bërë ndonjë lexim ose detyrë tjetër. Dilni me disa komente ose pyetje në mënyrë që të përfshiheni lehtë në dialog.

Përktheu: Marina Kërçeli

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,425 Lexime
3 vjet më parë