Kushtëzimi

Si të përforcosh tek nxënësit mësimin e gjuhës shqipe

Jemi njohur me kushtëzimin klasik të Pavlovit, por shkencëtari më i madh biheviorist mbetet B. Skiner me kushtëzimin operant të tij, me ç’rast: stimulimi, reagimi, përforcimi i një sjelljeje të caktuar, përbëjnë faktorët kyç.

Një nga teoritë e të nxënit është biheviorizmi. Fjala “biheviorizëm” rrjedh nga anglishtja: behavior = sjellje. Kjo teori objekt të studimit të saj ka sjelljen e vëzhgueshme, sepse siç theksohet nga bihevioristët, proceset e tjera si: mendimet, emocionet, kujtesa nuk mund të vëzhgohen. Përfaqësuesit më në zë të kësaj teorie janë: Xh. Uatson, Pavlovi, Thorndaiku, B. Skiner etj. Të gjithë jemi të njohur me kushtëzimin klasik të Pavlovit, por shkencëtari më i madh biheviorist, mbetet B. Skiner me kushtëzimin operant të tij, me ç’rast: stimulimi, reagimi, përforcimi i një sjelljeje të caktuar, përbëjnë faktorët kyç. Gjetjet e tij u aplikuan në edukim, meqë dhanë rezultate të mira në modelimin e sjelljes.


Jo vetëm në edukim, por edhe në jetën e përditshme, ne përpiqemi të përdorim kushtëzimin për të përfituar sjellje të reja. P.sh., qysh në vegjëli, në stadete para kur fëmija përpiqet të artikulojë të folurit dëshirojmë të ndikojmë në këtë proces dhe sapo fëmija thotë fjalën e plotë, e “shpërblejmë” me mimikë të gëzueshme, buzëqeshje apo i japim lodrën e dëshiruar etj., apo i bëjmë të qartë fëmijës kur kthehet nga shkolla se kusht për lojën e tij është kryerja e detyrave të shtëpisë.


Bihevioristët na mësojnë se të gjithë fëmijët mund të mësojnë, vetëm se duhet përshtatur mësimin nivelit të tyre të njohurive.


Sa i përket lëndës së gjuhës shqipe, shpesh përballemi me nxënës që vijnë nga rrethe të ndryshme dhe mund të kenë probleme p.sh., me format dhe shqiptimin dialektor të fjalëve dhe ne duhet të jemi konsistent deri sa një dukuri e tillë të shuhet. Sa herë nxënësi thotë: shkojsha apo mësonjësi; gjithmonë duhet t’ia bëjmë të qartë se variantet e drejta janë: shkoja dhe mësuesi. Ose në rastet e eseve meshkrim, kur nxënësit shkruajnë: shkoll, shum; mësimdhënësi identifikon se janë shkruar gabim dhe pyet nxënësit nëse mund të japin shembuj të tjerë se ku duhet të shkruhet ë-ja fundore, gjithnjë duke sqaruar se nxënësi që jep përgjigje më shumë të sakta do të shpërblehet me notë të lartë.


Në anën tjetër, një nxënës ka problem me kryefjalën, kallëzuesin etj. Kot mundohemi ta shpjegojmë, nëse ai më parë nuk e di ç’është emri, për emri, togfjalëshi apo folja. Jemi entuziastë për ta shpjeguar romanin “Kështjella” të Kadaresë dhe theksojmë se është një roman që lejon mundësi të shumta interpretimi, por nuk ia kemi arritur qëllimit sepse jemi të paqartë në shpjegimin e kontekstit të viteve ’70, kur u shkrua ky roman. Disa njësi, siç janë fjalia dhe llojet e saj, fjalitë e përbëra me bashkërenditje e me nënrenditje etj., duhet të shpjegohen gradualisht, meqë janë më komplekse për t’u trajtuar dhe nxënësit mund të mos jenë në gjendje për ta ndjekur mësimdhënësin në shpjegimin e tij.


Në raste të tjera, nxënësi mund të mos e dijë 100% përgjigjen për rrethanat që kushtëzuan paraqitjen e realizmit në letërsi, por ne i japim notën maksimale, pikërisht për ta përforcuar tendencën dhe për të treguar se nxënësi është në rrugë të duhur dhe nota që është përforcim kthehet në stimulim të mëtejshëm.


Gjithsesi, duhet përkujtuar se klasa ku japim mësim nuk është unike sa i përket interesave dhe njohurive të nxënësve. Secili nxënës do të mësojë aq sa mundet, prandaj sipas bihevioristëve një planifikim dhe programim i lëndës që respekton individualitetin nëmësimnxënie te nxënësit është i domosdoshëm.

( Nga: Astrit Hoxha, Master - Mësimdhënie e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe - Fakulteti i Edukimit )



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

20,468 Lexime
7 vjet më parë