Si të shkruajmë një ese argumentuese?
Më poshtë do të njiheni me hapat e hartimit të një eseje argumentuese, përgatitur nga Desela Nuredini, mësuese e Gjuhës shqipe dhe e Letërsisë, pranë gjimnazit "Asim Zeneli",Gjirokastër.
Të shkruarit është një proces i cili përfshin në vetvete një tërësi elementësh gjuhësorë, gramatikorë e leksikorë. Shpesh herë nxënësit nisen nga ideja se pasioni dhe zelli janë dy “fjalë çelësat” për të shkruar ese të mira, por unë nuk jam plotësisht dakord.
Të shkruash nuk është vetëm çështje pasioni dhe zëllshmërie, por parashtron përpara lexuesit ide,të cilat “flenë” dhe “zgjohen” në momentin kur vendos të pranosh “të gjykohesh”,të mbash një qëndrim vetjak e pse jo të bindësh përmes forcës së fjalës e fakteve.
Këtë herë kam zgjedhur të parashtroj përpara lexuesit, jo vetëm nxënës të të gjitha cikleve shkollore, por edhe kolegëve shkrimin e esesë argumentuese (bindëse).
Uroj t’u vij në ndihmë dhe të jem sa më e qartë!
Faleminderit, paraprakisht!
Në shkrimin e një teksti ekzistojnë disa faza.
Faza: 1
- Ideja rreth shkrimit të një eseje
- Identifikimi i një problemi i cili është thelbësor ose e kemi për zemër.
Përshembull: Bullizmi në shkollë, dhuna gjinore etj.
Faza 2:
Teza –Duhet të parashtrojmë përpara lexuesit qëndrimin tonë rreth çështjes,nëse është pro apo kundër, nëse është një fakt pozitiv apo negativ,nisur kjo nga tema e zgjedhur.
Nxënësit gjithmonë mendojnë se antiteza duhet të rrëzojë tezën, e në fakt në parim kështu është,por problemi qëndron që asnjëherë nuk duhet të kundërshtojmë veten tonë,idetë tona që kemi zgjedhur të mbrojmë përmes tezës. Ne e vendosim veten në anën e “kundërshtarit” lexues apo tekstshkrues, atij që gjithmonë do të ishte i gatshëm të rrëzonte mendimet tona përmes ideve të tij dhe i parashtrojmë duke pranuar se mund të ketë edhe një ide ndryshe nga e jona. Pyetja që gjithmonë parashtrojnë nxënësit është: “A nuk po bëj gabim që rrëzoj idetë e mia?!” Përgjigja është “Jo”,kjo pasi ne jemi të ndryshëm e cdokush prej nesh ka idetë e tij të cilat duhen parashtruar. Edhe nëse ne parashtrojmë idetë kundër nuk do të thotë që i mbështetim ato,i paraqesim për të treguar se ka edhe një këndvështrim tjetër
Faza 3: Argumentet
Si teza dhe antiteza kërkojnë të “mbrohen” përmes fakteve, ndaj në tekstin argumentues faktet përbëjnë edhe argumentet konkretë. A duhen argumente vetëm për tezën? Jo,edhe antiteza ka argumentet e saj të cilat quhen kundërargumente.
Bullizmi në shkollë
Bullizmi është “ një sëmundje” që lind në shkollë (Ajo që zgjidhni të mbroni do të jetë dhe teza juaj)
Po, jam dakort me mendimin. Përse ? | Jo nuk mbaj të njëjtin qëndrim Përse? |
---|---|
Raportet mësues –nxënës Raportet dhe marrëdhëniet e krijuara mes vetë nxënësve Komunikimi verbal e joverbal Sjelljet sugjestionuese | Familja luan rol thelbësor në formatimin e individit. Dhuna brenda familjes,tjetërson këndvështrimin e të parit të gjërave tek fëmija Shoqëria i mëson fëmijës edukatën e “më të fortit” etj |
Pasi kemi projektuar në mendje esenë të cilin do të parashtrojmë na duhet të zgjedhim strukturën për ta prezantuar tek lexuesi.
Struktura e parë
- Paragrafi hyrës
- Teza
- Argumente në favor të tezës
- Mbyllja
- Ose
Struktura e dytë
- Paragrafi hyrës
- Teza
- Argument në favor të tezës
- Antiteza
- Argument në favor të antitezës
- Fshehja e antitezës
- Mbyllja
Shkrimi i esesë
Paragrafi hyrës duhet të “qëllojë” tek lexuesi, të mund ta mbajë atë pezull duke i ngjallur kërshëri
Tekstshkruesi paraqet përpara lexuesit argumentin të cilin do të trajtojë,nëse është një problem botëror apo përse e ka zgjedhur këtë tematikë.
Në zhvillim
Paragrafi i parë zhvillues duhet të përmbajë tezën në mënyrë të qartë. Lexuesi duhet të kuptojë se cilën anë kemi zgjedhur të mbajmë.
Paragrafët e tjerë zhvillues mund të përmbajnë
- Shpjegimin e qëndrimit që ti si tekstshkrues mban
- Shembuj konkretë
- Të dhëna statistikore,studime e citime etj.
Kujdes veçse, asnjëherë nuk duhet të zgjedhim një stil të shkruari të ndërtuar nga një leksik i përgjithshëm nëse bëhet fjalë për një ese argumentuese ose argumentuese bindëse, leksiku duhet të jetë i specializuar, specifik gërshetuar me leksik të përgjithshëm.
Paragrafët ndërtohen nga fjali,por fjalia e cila mban dhe idenë qëndrore do të quhet dhe fjali bërthamë. Mbi bazën e saj do të mund të shtrihet edhe në fjalitë e tjera ideja që duam të ndajmë me lexuesin,citimi që dëshirojmë të përdorim,apo fakti që duam të bindë.
Kujdes me përdorimin e lidhëzave. Nuk duhet të jenë të tepërta dhe të nisim një paragraf të rri me një lidhëz,kjo për arsyen e thjeshtë të funksionit të saj morfo-sintaksor,të lidhë dy gjymtyrë fjalie,por të lidhë edhe dy pjesë të një fjalie,pra lidhëza jep idenë e vijimësisë së mendimit në varësi të funksionit bashkërenditës apo nënrenditës.
Mbyllja, është ndër elementët më të rëndësishëm të esesë. Në mendje do të mund të mbetën fjalët e fundit të mesazh-dhënësit,tekst-shkrues. Nëse kemi ndërtuar një ese argumentuese –bindëse me një antitezë do të duhet ta fshehim,duke iu rikthyer e mëshuar edhe një herë idesë fillestare,në të kundërt, (zgjedhjes së një eseje argumentuese) do të mund t’i gjenim një fund në formën e:
- Këshillës
- Parashikimit
- Afirmimit të një pohimi
- Një pyetjeje retorike
- Një thirrjeje
Të dashur nxënës dhe kolegë mësues, të shkruash nuk mbetet në kuadrin e artit në shoqërinë e sotme, por në zgjedhjen e fjalës, faktit, të një ideje e cila merr jetë dhe të jep mundësinë që të fitosh një status të caktuar në shoqërinë moderne.
Nga Desela Nuredini, mësuese e Gjuhës shqipe dhe e Letërsisë, pranë gjimnazit "Asim Zeneli",Gjirokastër.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Objektet e trashëgimisë kulturore, veshja popullore shqiptare
Teste vlerësimi për klasën e parë
Pesëvargëshi