Prindërimi

Sjellja e prindërve ndaj fëmijëve të tyre kur kanë edhe një fëmijë me nevoja të veçanta

Disa prindër duke u kujdesur maksimalisht për fëmijët me aftësi ndryshe dhe duke u munduar të plotësojnë çdo nevojë të tyre, harrojnë ndoshta pa dashje të konsiderojnë edhe kërkesat e fëmijëve të tjerë. Po sa e dëmshme është kjo?

Të qenët prind është një nga sfidat më të mëdha në botë, por njëkohësisht është njëra ndër përvojat më të rëndësishme në jetë. Kjo detyrë që natyrshëm shoqërohet me stres arrin në pikën më të lartë të vështirësive kur një fëmijë përballet me sëmundje kronike ose lind me aftësi të kufizuara.


Prindërit, duke u kujdesur maksimalisht për fëmijët e sëmurë dhe duke u munduar të plotësojnë çdo nevojë të tyre, harrojnë të konsiderojnë edhe kërkesat e fëmijëve të tjerë.


Ndoshta ky është një veprim i bërë pa vetëdije, por që është mjaft shkatërrues për anën psikologjike të fëmijëve. Këta fëmijë vuajnë gjithmonë për mungesën e kujdesit dhe vëmendjen e duhur. Përvoja e dytë që fëmijët “e shëndetshëm” hasin është barra që vjen me përvetësimin e roleve familjare. Ata mundohen që të jenë "vëllai ose motra perfekte", të jenë ata që ndihmojnë gjithmonë dhe që nuk ankohen kurrë.


Sipas studimeve të medias ndërkombëtare, Forbes, ka rezultuar që shumë fëmijë që janë mirë nga ana shëndetësore ndihen në faj që nuk iu gjenden pranë fizikisht vëllezërve e motrave të tyre të sëmurë. Kjo, për shkak të largimit nga shtëpia për të ndjekur arsimin e lartë apo edhe për çfarëdo suksesi tjetër që vëllëzërit e motrat e tyre të sëmurë nuk mund të arrijnë.


Nëse fëmija juaj “i shëndetshëm” ndihet në faj, kujtojani se ai nuk duhet të sakrifikojë ëndrrat e veta për hir të dikujt tjetër. Bëjani me dije se nuk është përgjegjës për mirëqenien e vëllait ose motrës së tij dhe të vepruarit në përputhje me këtë fakt nuk e bën atë egoist ose fajtor. Sigurojeni atë se ndjekja e suksesit personal është e lavdërueshme e jo egoiste dhe se ai meriton të ndjekë ëndrrat e tij pa rezerva.


Për prindërit, është thelbësore që nevojat e të gjithë fëmijëve të plotësohen njësoj dhe problemet e të dy palëve të trajtohen me të njëjtin ritëm. Ata duhet të hynë nën lëkurën e të gjithë fëmijëve njësoj dhe të bisedojnë me secilin prej tyre lirshëm, në mënyrë që asnjëri të mos ndihet inferior. Biseda dhe ndihma e prindit ndaj fëmijës, i bënë ata të ndiejnë veten më të fuqishëm karshi familjes dhe botës. U jep forcë, vullnet e zotësi për të ardhmen.


“Nevoja më e madhe që ka një fëmijë është të ndihet i mbrojtur nga prindi”. (S. Freud)


Referuar: https://www.forbes.com/sites/traversmark/2024/03/08/3-ways-to-become-a-better-parent-to-your-glass-child/?sh=36c22535a8db 



Përgatiti: Arlinda Hajdarajgazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën. 
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

551 Lexime
6 muaj më parë