Shkrim

“Sociologjia shpëton jetë” nga Ledjo Zeneli

Pretendimi se “sociologjia shpëton jetë” duket tmerrësisht më idealist, superior dhe ngadhënjyes në krahasim me misionin e ndryshkur të sociologjisë klasike. Megjithatë, unë i qëndroj bindshëm besnik këtij pretendimi, thotë studenti i sociologjisë, Ledjo Zeneli

SOCIOLOGJIA SHPËTON JETË



Paraprakisht pretendimi se “sociologjia shpëton jetë” duket tmerrësisht më idealist, superior dhe ngadhënjyes në krahasim me misionin e ndryshkur të sociologjisë klasike. Megjithatë, i vetëdijshëm për kurthet tinëzare të absolutizmave, unë i qëndroj bindshëm besnik këtij pretendimi. Ky pretendim që unë ngre nuk duhet parë si i lidhur vetëm nga prangat e një pikëpamjeje disiplinore dominuese deri në dogmatizëm mbi aftësinë time analitike, sepse siç e theksova ky pretendim është larg absolutizmit. Ky pretendim është korrespondues me realitetin dhe shpesh merr format e një fakti real. Prandaj dhe meriton të diskutohet dhe të zërë vendin e merituar në opinionin publik. Sociologjia, siç edhe e dinë të gjithë ata që janë të specializuar në këtë disiplinë, është kundërhelm për dogmatizimin e mendjes njerëzore. Fuqia analitike që posedon mendimi sociologjik – pavarësisht se shpeshherë mund të jetë disi i lodhshëm dhe i mërzitshëm – nxjerr në pah realitetin e mbuluar nga cipa e mjegullt e magjisë që ushtron magjistarja më e aftë e botës sociale: shoqëria. Por çfarë është shoqëria? Me çfarë është e mbushur brendësia e këtij koncepti kaq të përfolur? 


Shoqëria pa dyshim, si çdo koncept i botës shoqërore, nuk ka një përkufizim të vetëm dhe të plotë. Por përsëri mund të thuhet se shoqëria është tërësia e insitucioneve sociale, vlerave, normave, kodeve kulturore që ekzistojnë brenda një territori të kufizuar me kufij të përcaktuar nga ligji; pra është e kufizuar me shtetin komb ose komunitete të tjera më të vogla. Por duke qenë se ne jetojmë brenda një mënyre organizimi të quajtur komb, mund ta kufizojmë shoqërinë me këtë në funksion të të pasurit një tip ideal gjatë konceptimit të këtij shkrimi. Çdo shoqëri në botë ka karakteristika që e dallojnë atë nga të tjerat. Por secila nga këto – karakteristikë universale e çdo shoqërie - ka një fuqi imponuese mbi individin. Kjo fuqi ushtrohet nga elementë të ndryshëm të shoqërisë si familja, shoqëria, shkolla, vendi i punës, farefisnia etj. Fuqia imponuese për të cilën bëhet fjalë është pikërisht ajo që sociologu i njohur francez Emile Durkheim e quante “fakt social”. Sipas Durkheim, fakti social është forca që ka shoqëria për të ushtruar prezencën e saj mbi vullnetin e lirë të individëve. Lidhur me këtë, prezenca reale kristalizohet atëherë kur fakti social bëhet detyrim moral. Pra kur individët përvetësojnë mënyra të caktuara veprimi dhe i konsiderojnë këto të fundit si veprime normale, të moralshme dhe domosdoshmërisht të drejta dhe të sakta. Në këtë mënyrë krijohet një konsensus i përbashkët në lidhje me atë se çfarë është normale dhe jo normale. 


Krahas kësaj nuk duhet harruar se shoqëria dhe ekzistenca e këtij konsensusi është një konstrukt social i cili është gjithnjë në mënyrë të vazhdueshme në bërje e sipër; pra dinamizmi është ekzistent për aq kohë sa do të ketë individë që jetojnë në mënyrë kolektive. Dhe e gjitha kjo tregon se shoqëria në fakt është e varur nga individët që e përbëjnë atë. Kjo fuqi imponuese që prodhon faktet sociale magjeps botën sociale duke i veshur asaj një lloj veçorie natyrore. Individët e rinj që lindin dhe presin të bëhen anëtarë të shoqërisë kalojnë në një proces socializimi ku duke mësuar normat e shoqërisë brenda së cilës kanë lindur kthehen në qenie sociale. Individi i lindur aty mëson gjuhën e asaj shoqërie, vlerat, normat, aftësitë dhe rregullat e nevojshme për t'u bërë pjesë e jetës kolektive; pra në mënyrë që të aftësohet dhe të marrë pjesë në jetën sociale e cila është disi e përcaktuar nga imponimi për të cilin bëhet fjalë. Gjatë këtij procesi mësohet se çfarë është familja, shkolla, kombi, ligji, se çfarë do të thotë të jesh djalë apo vajzë; cilat janë sjelljet dhe veprimet e përshtatshme për të dy gjinitë, si duhet vepruar në situata të caktuara si dasma, fejesa, funerale etj., pra se cilat janë veprimet normale që individi duhet të ekspozojë në të tilla raste. 


Të gjitha normat e brendësuara nga individët krijojnë muret natyrale të botës sociale. Si rezultat i kësaj, të gjitha normat dhe rregullat e mësuara duken si të dhëna për nga natyra dhe detyrimisht të drejta. Krahas faktit që shumica e këtyre rregullave janë të nevojshme dhe në interesin tonë individual dhe kolektiv, ka dhe prej tyre të cilat duke shfrytëzuar legjitimitetin që posedojnë krijojnë pabarazi, por edhe më tej dhunë për disa kategori. Për shembull, në shoqërinë tonë e cila është një shoqëri patriarkale, që nënkupton dominimin apo avantazhin e burrit në krahasim me gruan, shpeshherë ndodh që dhuna e ushtruar ndaj gruas të legjitimohet dhe trajtohet si normale. Madje ndodh që në raste të caktuara kjo situatë të arrijë deri në vrasje. Vrasjet për çështje nderi apo shkelje morali janë prezente në shoqërinë tonë, por edhe në shumë të tjera. Në këto shoqëri gruaja në krahasim me burrin është më në disavantazh në kuptimin e mbajtjes së pishtarit të moralitetit. Me moralin e gruas varet dhe krenaria apo nderi i burrit dhe familjes. Në rast se gruaja e shkel këtë detyrim burri i ndikuar nga imponimi i shoqërisë hidhet menjëherë në veprim duke e dhunuar ose dhe vrarë atë. Ka prej atyre të cilët pasi kryejnë një krim të tillë nuk ndihen të penduar. Madje shprehen se ndihen të lumtur sepse mendojnë se kanë kryer detyrën që u takon; kanë mbrojtur moralin e tyre dhe të gjithë familjes. E gjitha kjo ndodh sepse burri në këtë rast është i magjepsur nga rendi i supozuar natyror që shoqëria ka ndërtuar. Ai e ka gati të pamundur të mendojë të kundërtën, pra se vrasja është e papranueshme,  dhe për alternativa të tjera më të buta për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje; siç mund të jetë divorci. 


Dhuna ndaj gruas ndodh edhe në raste të tjera më të buta si: nëse gruaja flet pa lejen e burrit në lidhje me një temë “të nxehtë”, nëse ajo përpiqet të hedh një mendim të kundërt me burrin në lidhje me çëshjet familjare, nëse ajo del të shëtisë e vetme pa marrë leje etj. Dhuna në të tilla raste nuk shfaqet vetëm në forma ekstreme si vrasja. Ajo mund të jetë psikologjike, ekonomike, komunikative etj. Si fyerjet, trajtimi i saj si qenie e ulët mendërisht, pengimi i aksesit në të ardhurat ekonomike të familjes, ndalimi i të folurit në raste të caktura, pengimi i specializimit në një fushë të cilën ajo mund ta pëlqejë por që nga familja trajtohet si profesion për meshkuj; si p.sh. inxhinieri ndërtimi, inxhinieri mekanike, elektriçist/e  etj. 


Ndërkohë që në rastin e burrave, edhe pse në kushtet e thyerjes së rregullave morale mund të dënohen kulturalisht, nuk dënohen në të njëjtin nivel me gratë. Madje ndodh që nga rrethi  i ngushtë shoqëror, në vend  që të dënohen vlerësohen duke theksuar cilësinë e të qenit burrë. Kjo është arsyeja se përse vrasjet apo dhuna e ushtruar ndaj burrave është tepër e dobët në krahasim me atë që ushtrohet mbi gratë.


Tani lind pyetja se ku futet sociologjia këtu? Sociologjia në të tilla raste shërben për të prishur këtë magji ogurzezë. Duke shpjeguar realitetin ashtu siç është e bën njeriun të kuptojë se të vepruarit nën ndikimin e një magjie të tillë të skllavëron dhe shkatërron jetë. Sociologjia tregon se rendi i supozuar natyror në fakt nuk është i tillë; ai është social dhe jo natyror. Si i tillë, është potencialisht dhe praktikisht i rindërtueshëm. Pra është një rend i cili mund të ndryshohet dhe të rindërtohet në një formë më të mirë dhe disi më të barabartë për të gjithë. Mendimi sociologjik ka një përgjegjësi dhe rol mjaft të madh në këtë mision. Sepse sa më shumë të përhapet kjo mënyrë e interpretimit të realitetit social aq më e drejtë, e rregullt dhe e sigurt bëhet shoqëria. Si rezultat vrasjet apo dhunimet e ushtruara si më lart do të minimizoheshin ndjeshëm. Pa dyshim që përhapja e këtij mendimi në formën e perspektivës sociologjike – që nënkupton perceptimin e thellë të realitetit në mënyrë sociologjike dhe shkencore, jo vetëm në nivelin e një pikëpamjeje të kufizuar mbi argumente si “duhet të jetë kështu sepse kjo është e drejta dhe njerëzorja” – është tepër e vështirë dhe e mundimshme. Vështirësia në këtë rast nuk vjen vetëm si pasojë e rëndësisë tepër të dobët që i jepet kësaj disipline në institucionet tona të arsimit, por edhe si pasojë e “shqetësimit” që krijon kjo perspektivë. Shpeshherë ndodh që individë të caktuar të magjepsur dhe brumosur me falsitetin e natyrales ndihen tepër të shqetësuar dhe në siklet kur përballen me një perspektivë të tillë. Sepse realiteti i shpalosur si rrjedhojë e kësaj fuqie analitike prish qetësinë e jetës. Na tregon se bota sociale është artificiale dhe jo natyrore. Mund të ndodh që dhimbja e krijuar nga përballja me këtë realitet të çojë deri në nihilizëm. 


Megjithatë, përjetimi i përvetësimit të mendimit sociologjik varet edhe nga karakteri dhe gjendja psikologjike e individit. Ajo që mund të thuhet për këtë është se fakti që bota sociale është artificiale në kuptimin që është e ndërtuar nga veprimet tona të përbashkëta nuk nënkupton se është e pavlerë dhe si pasojë të humbasim në labirintin e nihilizmit. Në kundërshtim me këtë ajo duhet parë si një nga fuqitë më të mëdha që zotëron qenia njerëzore. Sepse bota sociale është hapësira ku ne fitojmë statusin e të qenit njeri dhe është motorri kryesor i zhvillimit tonë si qenie. Konceptimi i artificialitetit të shoqërisë duhet thjeshtë të na bëjë njerëz më tolerant, më racional dhe të aftë mendërisht për ti thënë JO imponimit social që çon në dhunë, vrasje, shkatërrim, fyerje, pabarazi dhe fenomene të tjera negative. 


Si përfundim mund të thuhet se natyra artificiale e shoqërisë duhet të na bëjë t'i mendojmë edhe një herë supozimet që kemi për jetën tonë personale, por edhe për kontekstin social brenda të cilit ndodhemi. Nëse cilësia e të qenit sociale është diçka e rindërtueshme dhe jo natyrore, përse u dashka që jeta jonë të vazhdojë të jetë një proces i tërhequr zvarrë nga zinxhirët skllavërues të djallit natyror dhe magjik të shoqërisë? 


Përgjigjen po jua lë juve!



Nga: Ledjo Zeneli – Student i Sociologjisë



 ©Portali Shkollor– Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

1,146 Lexime
2 vjet më parë