Psikologu shkollor

Strategji në menaxhimin e ankthit para provimeve për nxënësit në sistemin arsimor 9-vjeçar

Këshilla nga psikologia shkollore Orgesa Qosja mbi strategjitë për menaxhimin e ankthit gjatë provimeve të sistemit të arsimit bazë. Këshillat u drejtohen si nxënësve ashtu edhe mësuesve dhe prindërve.

Çdo vit, mijëra nxënës të arsimit 9-vjeçar në të gjithë Shqipërinë përballen me testet për vlerësimin e arritjeve të nxënësve për arsimin fillor dhe bazë. Për pasojë, periudha e fundvitit shkollor kthehet në stres jo vetëm për nxënësit, por edhe për prindërit dhe mësuesit. Mënyra e përjetimit të tij është e ndryshme dhe kjo varet shumë nga mëyra e perceptimit të çdo individi. Nxënësit që janë të ndjeshëm ose ankthioz priren të përjetojnë nivele më të larta të ankthit para provimeve se të tjerët.  Një arsye e ankthit apo stresit para provimeve është edhe pasiguria. Nxënësit që ndihen të pasigurt janë të predispozuar të përjetojnë më shumë ankth para provimeve. Pasiguria mund të krijohet kryesisht nga mospërgatitja e duhur ose eksperiencat e mëparshme personale ose të shokëve.  Një tjetër arsye e ankthit për shkak të provimeve është tek nxënësit që janë të mirë dhe presin rezultate maksimale. Ata kanë tendencën që të jenë “perfeksionist” dhe gjithmonë duan të jenë të parët, në këtë rast një ndikim shumë të madh kanë edhe prindërit e tyre. 


Menaxhimi i mirë i kësaj situate do i ndihmonte nxënësit të jenë të përqendruar për të performuar mirë dhe të kenë rezultate të larta në mësime ndaj ju rekomandoj disa mënyra efektive:


1. Përpiquni të mos lini mësimet ditën e fundit para provimeve, mësoni sistematikisht.


2. Vendosini vetes objektiva të cilat ju mendoni se mund t’i arrini.


3. Përpiquni të kuptoni se “perfeksionizmi” nuk ekziston, (Nuk është fundi i botës nëse merret një notë që nuk është në pritshmëritë tuaj, gjithmonë ekziston mundësia e përmirësimit të saj , notat jo gjithmonë tregojnë aftësitë tuaj). 


4. Administrimi i kohës është shumë i rëndësishëm (Përpiquni që të bëni një program për kohën që do të studioni cdo ditë dhe respektojeni atë). Edhe një axhendë intensive me provime të vështira, të lejon të gjesh pak kohë për pushim nga studimi. Kjo mund të përfshijë pushime të shkurtra 20-minutëshe gjatë ditës së studimit, si dhe planifikimin e aktiviteteve interesante dhe argëtuese, të cilat ju mbajnë të motivuar për ta përfunduar me sukses ditën.


5. “Mësoni efektivisht“ (Hidhi një sy të shpejt mësimit,nënvizoni çështjet që ju duken më të rëndësishme, dhe lexojini ato me kujdes, bëni pushim pas çdo çështjeje, pushoni aktivisht duke bërë diçka që ju pëlqën apo ju bën të ndiheni mirë, më pas kthehuni sërisht që të studioni).


6. Shpërbleni veten për çdo arritje të vogël.


7. Meditoni (Lëreni veten tuaj të shkoj tek një mjedis qetësues, përpiquni ta imagjinoni atë me të gjitha elementet sa më reale të mundeni).


8. Rregullimi i frymëmarjes-relaksimi përmes frymëmarrjes (Merni frymë me anë të hundës, numëroni deri në 5 dhe pastaj nxirreni atë me anë të gojës, bëjeni këtë ushtrim çdo ditë).


9. Muzika (Dëgjoni muzikën që ju pëlqen më shumë).


10. Respektoni regjimin e gjumit, mos abuzoni me orë të zgjatuara gjatë natës, është e rëndësishme që të flini dhe të mos prishni ciklin e gjumit.


11. Dieta është e këshillueshme, ushqehuni shëndetshëm.


12. Kryeni ushtrime fizike dhe realizoni shëtitje në natyrë. Krahas kontributit për një fizik të shëndoshë, stërvitja njihet për efektet e saj pozitive në përmirësimin e humorit, nxitjen e produktivitetit dhe rritjen e përqendrimit.



Gjithashtu edhe mësuesit në shkollë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në reduktimin e nivelit të stresit te nxënësit përpara se ata të hyjnë në provim ndaj rekomandohet që :

  • Të kenë parasysh të mos vendosin nxënësit në presione të panevojshme.
  • Të organizojnë klasën me sa më shumë grupe pune në klasë në mënyrë të tillë që nxënësit të mësojnë nga njëri-tjetrit.
  • Nxënësit që stresohen dhe kanë bllokime kujtese gjatë parapërgatitjes t’u ofrohet një paketë me pyetje të shkurtra në mënyrë që të ndihmohen në minimizimin e bllokimeve të kujtesës.
  • Përpiquni që udhëzimet gjatë kontrolleve të ndryshme të jenë të qarta.
  • Ofrojini nxënësve sa më shumë modele testesh pasi në ketë mënyrë nxënësit do të aftësohen më tepër dhe kenë pritshmërimë të larta për testin përfundimtar.
  • Përpiquni të evitoni presionin e kohës, sigurojini që koha që ata kanë në dispozicion të jetë më se e mjaftueshme për përfundimin e testimit.



Për prindërit rekomandohet që në këtë periudhë:

  • Të kenë parasysh të mos vendosin fëmijët në presione të panevojshme.
  • T’u krijojnë fëmijëve një klimë të ngrohtë, të sigurtë në familje.
  • Të kujdesen që fëmijët të ushqehen shëndetshëm.
  • Ofrojini mbështetje psiko-emocionale të vazhdueshme fëmijëve.
  • Realizoni shëtitje në natyrë me fëmijët shpesh.
  • Përpiquni të evitoni presionin e kohës, sigurojini që koha që ata kanë në dispozicion të jetë më se e mjaftueshme për t’u përgatitur për testin përfundimtar.


Në kuadrin e sfidave të shumta, kjo periudhë për nxënësit duhet të shihet si një përvojë që mobilizon forcën e vullnetit dhe rrit dëshirën e të rinjve për sukses.


Referenca

Terry F. Pettijohn, “Psikologjiaʼʼ, Botimi II. Tiranë, 1996.

Theodhor, Karaj, “Psikologjia e stresit”, Tiranë, 2010.


Punoi: Msc. Orgesa Qosja , Psikologe në shkollën “Sulë Harri”



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,750 Lexime
3 vjet më parë