Studentët për Portalin Shkollor: Pse protestojnë dhe çfarë kërkojnë të ndryshojë?
Pse kanë zgjedhur të protestojnë, çfarë i shqetëson dhe çfarë kërkojnë të ndryshojë? Studentët u përgjigjen tri pyetjeve të Portalit Shkollor dhe ndajnë qëndrimet e tyre për arsimin, jetesën dhe të ardhmen në Shqipëri.
Prej muajsh, protestat në Tiranë janë kthyer në një hapësirë ku të rinj dhe studentë shprehin shqetësimet e tyre për arsimin, kushtet e jetesës, mundësitë e punësimit dhe të ardhmen në Shqipëri. Mes kërkesave për përmirësimin e kushteve studentore dhe thirrjeve për përgjegjësi politike, pjesëmarrësit shprehin qëndrime dhe pritshmëri të ndryshme, por edhe shqetësime që lidhen me mundësitë e tyre për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme në vend.
Portali Shkollor ka marrë prononcimet e disa studentëve dhe të rinjve që kanë marrë dhe po marrin pjesë në këto protesta, duke u drejtuar të njëjtat tri pyetje për arsyet e pjesëmarrjes, vlerësimin e situatës aktuale në Shqipëri dhe ndryshimet konkrete që presin nga institucionet.
Përmes përgjigjeve të tyre, të rinjtë flasin për koston e studimeve, bursat, kushtet në konvikte, cilësinë e arsimit, meritokracinë në punësim dhe mungesën e perspektivës. Disa e vendosin theksin te reformat në arsim dhe mbështetja për studentët, ndërsa të tjerë shprehin drejtpërdrejt kërkesa për ndryshim politik dhe dorëheqjen e qeverisë.
Më poshtë, Portali Shkollor sjell prononcimet e tyre të plota, ashtu siç janë dhënë nga vetë studentët, duke ruajtur formulimet dhe qëndrimet individuale të secilit.
Tri pyetjet që iu drejtuan studentëve
- Pse keni zgjedhur të dilni në protestë dhe cila është kauza juaj kryesore?
- Si e vlerësoni situatën aktuale në Shqipëri dhe çfarë ju shqetëson më shumë si të rinj?
- Çfarë duhet të ndryshojë konkretisht dhe çfarë prisni nga institucionet?
Sibora Goga
1. Pse keni zgjedhur të dilni në protestë dhe cila është kauza juaj kryesore?
Po protestoj kundër viteve të degradimit të arsimit dhe heqjes dorë nga i riu si prioritet kombëtar. Kauza jonë kryesore është dorëheqja e Qeverisë Rama dhe ndërtimi i një sistemi arsimor dinjitoz, me arsim realisht falas, kushte jetese të favorshme, integritet akademik dhe përfaqësim real të studentëve në vendimmarrje.
Ka kaluar koha kur studenti shqiptar pritej që të vuante duke harruar se çdo njeri meriton të jetojë me dinjitet në vendin e vet.
2. Si e vlerësoni situatën aktuale në Shqipëri dhe çfarë ju shqetëson më shumë si të rinj?
Për mendimin tim neglizhenca kolektive ndër vite ka bërë që situata të jetë kritike dhe po çon në shpopullim masiv. Si një e re në Shqipëri më shqetëson më shumë mungesa e perspektivës: kostot e arsimit rriten ndërsa cilësia bie, plagjiatura mbetet e pandëshkuar, konviktet e laboratorët janë në kushte mjerane, dhe tregu i punës nuk vlerëson meritën. Thjesht refuzoj të pranoj largimin nga vendi si të vetmen zgjidhje.
3. Çfarë duhet të ndryshojë konkretisht dhe çfarë prisni nga institucionet?
Duhet arsim falas (Bachelor & Master), dyfishim i financimit publik, bursa pa kushtëzime burokratike, transport i subvencionuar, kontroll i rreptë ndaj plagjiaturës dhe infrastrukturë funksionale. Të gjithë studentët kërkojnë përfaqësim dhe të trajtohen me dinjitet. Mos të trajtohen si një turmë mjerane e të përqeshet nga ata që duhet të na dëgjojnë. Nga institucionet presim përgjegjësi politike, transparencë dhe veprime me afate konkrete, jo më fjalë boshe.
Studentja Y.S
1. Pse keni zgjedhur të dilni në protestë dhe cila është kauza juaj kryesore?
Kemi zgjedhur të dalim në protestë sepse duam një shoqëri ku mundësitë të mos varen nga mbiemri, njohjet apo përkatësia politike. Si të rinj, duam të kemi mundësi të arsimohemi, të punësohemi dhe të ndërtojmë jetën në Shqipëri, pa u detyruar të largohemi. Kjo protestë është një nismë qytetare dhe e pavarur nga partitë politike. Kauza jonë kryesore është drejtësia, barazia dhe përgjegjshmëria e institucioneve. Nuk po kërkojmë privilegje, por mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të sigurt për veten dhe familjet tona.
2. Si e vlerësoni situatën aktuale në Shqipëri dhe çfarë ju shqetëson më shumë si të rinj?
Situata është e vështirë, sidomos për të rinjtë. Jeta është bërë shumë e shtrenjtë, ndërsa pagat, bursat dhe mbështetja që marrim nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet bazë. Një bursë prej 10.000 lekësh nuk mbulon as akomodimin në një dhomë, ndërsa shumë konvikte nuk ofrojnë kushtet minimale për të jetuar dhe studiuar me dinjitet. Na shqetëson edhe mënyra e punësimit. Shpesh duket se njohjet dhe lidhjet politike kanë më shumë rëndësi sesa përgatitja, rezultatet dhe aftësitë e një personi. Kjo është shumë demoralizuese për të rinjtë që studiojnë dhe punojnë fort për të ndërtuar një të ardhme. Për studentët e mjekësisë, vështirësitë janë edhe më të mëdha. Tarifat mund të arrijnë deri në 2,6 milionë lekë në vit, ndërsa marrëveshjet që lidhen me studimet nuk janë gjithmonë të qarta dhe të shpjeguara siç duhet. Kur këtyre problemeve u shtohet edhe mungesa e perspektivës, shumë të rinj ndihen të detyruar të largohen nga Shqipëria.
3. Çfarë duhet të ndryshojë konkretisht dhe çfarë prisni nga institucionet?
Ne kërkojmë largimin e qeverisë dhe hapjen e rrugës për një proces të ri demokratik. Mendojmë se institucionet duhet të marrin përgjegjësi dhe të dëgjojnë zërin e qytetarëve, veçanërisht të rinjve. Presim masa konkrete për përmirësimin e jetës së përditshme, paga dhe të ardhura që përballojnë shpenzimet bazë, strehim me kosto të arsyeshme, bursa më të larta, konvikte të sigurta dhe kushte më të mira për studentët. Në qendër të këtij ndryshimi duhet të jetë arsimi, sepse prej tij varen cilësia e profesionistëve, ekonomia dhe funksionimi i institucioneve. Nuk mjafton të shtohen kuotat dhe të ulen pragjet e mesatares për të mbushur auditorët, nëse nuk garantohet përgatitje cilësore dhe perspektivë pas diplomimit. Kur degë të caktuara humbasin interesin dhe rrezikojnë të mbyllen, duhet të shqyrtohen shkaqet dhe të merren masa, të përditësohen programet, të lidhen studimet me punësimin dhe të mbështeten profesionet për të cilat shoqëria ka nevojë. Ky investim duhet të nisë përpara universitetit. Kërkojmë paga dinjitoze për mësuesit, kushte më të mira mësimdhënieje dhe mbështetje për zhvillimin e tyre profesional. Duam gjithashtu hapjen dhe fuqizimin e shkollave profesionale në çdo qytet, me pajisje, praktikë dhe lidhje reale me punëdhënësit. Çdo i ri duhet të ketë mundësi të gjejë drejtimin që i përshtatet aftësive dhe interesave të tij. Universiteti nuk duhet të shihet si e vetmja rrugë për të ndërtuar një të ardhme.
Kërkojmë që përgatitja dhe aftësia të jenë baza e punësimit. Një i ri duhet të konkurrojë për një vend pune pa pasur nevojë për ndërhyrjen e dikujt. Kjo kërkon konkurse transparente, kritere të qarta dhe përgjegjësi për favorizimet. Po ashtu, studentët duhet të kenë përfaqësim real në vendimmarrjen universitare, sepse vendimet për tarifat, bursat dhe kushtet e studimit ndikojnë drejtpërdrejt në jetën tonë. Nga institucionet presim angazhime me afate, buxhete dhe përgjegjës konkretë. Duam të dimë çfarë do të ndryshojë, kur do të ndryshojë dhe kush do të japë llogari nëse premtimet nuk mbahen.
Për ne, ndryshimi nuk përfundon me largimin e një kabineti. Ai duhet të ndihet në jetën e përditshme, ku një student përballon studimet, ku një i diplomuar gjen punë falë aftësive të tij dhe kur një i ri mund të paguajë qiranë pa mbetur i varur nga familja. Këto janë gjërat me të cilat do ta gjykojmë çdo qeverisje. Nuk do të ulim kërkesat tona për jetën që meritojmë vetëm sepse ata që qeverisin janë mësuar të mos japin llogari.
Desada Xhetani
1. Pse keni zgjedhur të dilni në protestë dhe cila është kauza juaj kryesore?
Kam protestuar që në vitin e parë të universitetit, sepse i kam përjetuar nga afër kushtet e papranueshme me të cilat përballen studentët. Fatkeqësisht, në vend që situata të përmirësohet, ajo vijon të përkeqësohet. Kauza jonë është dinjiteti, siguria dhe e drejta për një arsim cilësor. Ne nuk kërkojmë privilegje, por kushte normale dhe një të ardhme në vendin tonë.
2. Si e vlerësoni situatën aktuale në Shqipëri dhe çfarë ju shqetëson më shumë si të rinj?
Shqipëria po përballet me një krizë të thellë besimi te institucionet. Si të rinj, na shqetëson mungesa e sigurisë, cilësia e arsimit, mungesa e mbështetjes dhe kushtet që nuk garantojnë as standardet minimale. Një shoqëri që nuk investon te rinia rrezikon të humbasë të ardhmen e saj. Është e papranueshme që të rinjtë të detyrohen të zgjedhin mes emigrimit dhe dorëzimit përballë një realiteti që nuk u jep mundësi.
3. Çfarë duhet të ndryshojë konkretisht dhe çfarë prisni nga institucionet?
Presim përgjegjësi dhe zgjidhje konkrete, jo premtime të përsëritura. Institucionet duhet të garantojnë sigurinë, të përmirësojnë kushtet arsimore dhe të dëgjojnë zërin e studentëve. Por kur një qeveri tregon se nuk ka më vullnetin apo aftësinë për të zgjidhur problemet e qytetarëve, përgjegjësia politike bëhet e pashmangshme. Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të vërtetë, që nis me largimin e Edi Ramës dhe rikthimin e përgjegjshmërisë në qeverisje.
Kushti jonë i vetëm është dorëheqja e Edi Ramës, nuk ka dialog dhe negociata për këtë kusht!
Ersi Qazolli
1. Pse keni zgjedhur të dilni në protestë dhe cila është kauza juaj kryesore?
Kam zgjedhur të dal në protestë sepse besoj se ka ardhur momenti që zëri i studentëve dhe i të rinjve të dëgjohet dhe të merret seriozisht. Si student, por edhe si përfaqësues i studentëve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, e ndiej si përgjegjësi të mos qëndroj indiferent përballë problemeve që prekin arsimin, jetesën dhe të ardhmen tonë.
Kjo kauzë nuk lidhet vetëm me tarifat e studimit apo kushtet në universitete. Bëhet fjalë për dinjitetin e studentit, për mundësitë e barabarta, për meritokracinë dhe për të drejtën që një i ri të ndërtojë të ardhmen e tij në Shqipëri, pa u detyruar të mendojë se largimi nga vendi është e vetmja alternativë.
Ne si studentë nuk kërkojmë privilegje, kërkojmë të drejtat tona që na takojnë.
2. Si e vlerësoni situatën aktuale në Shqipëri dhe çfarë ju shqetëson më shumë si të rinj?
Ajo që më shqetëson më shumë është humbja e besimit të të rinjve se mund t'ia dalin me punë, dije dhe meritë në vendin e tyre. Kur një student përfundon studimet, por përballet me pasiguri për punësimin, me koston e lartë të jetesës dhe me mungesën e mundësive, më lind një pyetje: çfarë të ardhmeje po na ofrojnë ne si gjeneratë?
Protestat e ditëve të fundit kanë nisur me kërkesa për arsimin dhe mbështetjen e studentëve, ndërsa janë zgjeruar edhe në kërkesa më të gjera për përgjegjësi politike dhe ndryshim.
Për mua, shqetësimi nuk është vetëm ekonomik. Është edhe institucional dhe shoqëror. Është shqetësuese kur të rinjtë ndihen të papërfaqësuar, kur mendojnë se zëri i tyre nuk dëgjohet dhe kur besimi te drejtësia, meritokracia dhe mundësitë e barabarta vihet në pikëpyetje.
E drejta për të protestuar është themelore, por është po aq e rëndësishme që kauza jonë të mos humbasë në dhunë, përplasje apo dëmtim të pronës private. Ne duhet të mbrojmë njëri-tjetrin dhe të ruajmë thelbin e asaj për të cilën kemi dalë në rrugë.
Nuk dua një Shqipëri ku të rinjtë detyrohen të zgjedhin mes largimit nga kombi i tyre dhe mos krijimit të mundësive.
3. Çfarë duhet të ndryshojë konkretisht dhe çfarë prisni nga institucionet?
Së pari, institucionet duhet të kalojnë nga deklaratat te veprimet konkrete. Nuk mjafton thjesht llafi se studentët kanë të drejtë, shumë mirë që janë ngritur apo se të rinjtë janë e ardhmja e vendit. Kjo duhet të zbatohet përmes politikave dhe vendimeve që ndikojnë në jetën e të gjithë studentëve e këtyre të rinjve.
Konkretisht, çfarë unë do kërkoja që duhet të ishin vënë në zbatim këto 13 vite:
- Arsim më të përballueshëm: uljen e barrës financiare të studimeve, rishikimin e tarifave.
- Financim më të madh për arsimin e lartë: investime në laboratorë, biblioteka, konvikte, ngrohje, higjienë dhe infrastrukturë universitare.
- Mbështetje ekonomike për studentët: bursa më të aksesueshme, subvencione për transportin, librat dhe nevojat bazë.
- Meritokraci dhe cilësi akademike: transparencë në vendimmarrje dhe standarde të qarta për cilësinë e mësimdhënies.
- Më shumë mundësi pas diplomimit: praktika profesionale cilësore, lidhje më të forta mes universiteteve dhe tregut të punës, si dhe mundësi punësimi bazuar në meritë.
- Thirrja në diskutime dhe vendimarrje e studentëve ku të dëgjohen kërkesat reale të studentëve dhe zbatimi i tyre.
Dua të nënvizoj se studentët nuk duhet të trajtohen si kundërshtarë të institucioneve. Ata janë pjesë e shoqërisë dhe kanë të drejtën të kërkojnë llogari. Po kështu, çdo pretendim për shkelje të ligjit apo përdorim të tepruar të forcës duhet të hetohet në mënyrë të pavarur dhe transparente.
Në fund, mesazhi im është i thjeshtë: ne nuk po kërkojmë që dikush të na e dhurojë të ardhmen. Po kërkojmë që të kemi mundësinë ta ndërtojmë vetë, me punë, dije dhe meritë, në vendin tonë. Dhe këtë të drejtë nuk duhet ta kërkojë vetëm një grup studentësh, por çdo i ri që beson se Shqipëria mund të jetë një vend ku ia vlen të jetosh.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
7 marsi i parë, ende gjallë në kujtime
Shkrimi i dorës, art drejt humbjes?