studenti 80-vjeçar

Studenti i pazakontë i programit “Erasmus”

Ai u riregjistrua në universitet për shkak se jeta tipike e një pensionisti, që përfshin kujdesin për nipërit e mbesat, shëtitjet, lojën e golfit dhe bërjen e pak ushtrimeve, nuk ishte e mjaftueshme për të.

Miguel Castillo, një noter në pension nga Valencia, nuk është studenti i zakonshëm i programit “Erasmus”.


Sidoqoftë, babai i 3 vajzave dhe gjysh i 7 nipërve e mbesave, po përgatitet të nisë eksperiencën e re universitare në Itali.


Aktualisht një student historie në Universitetin e Valencias, 80-vjeçari Castillo do të kalojë semestrin e tij të ardhshëm në Verona, falë programit të shkëmbimit europian.


Ai u riregjistrua në universitet për shkak se jeta tipike e një pensionisti, që përfshin kujdesin për nipërit e mbesat, shëtitjet, lojën e golfit dhe bërjen e pak ushtrimeve, nuk ishte e mjaftueshme për të.


Një atak kardiak i pasuar nga një “bypass” i katërfishtë i dha atij shtytjen përfundimtare, që i duhej për t’u rikthyer në bankat e shkollës.


“Ndoshta kjo ishte drita që ndriçoi sadopak jetën time”, thotë ai. “I thashë vetes, duhet bërë diçka tjetër. Nuk mund të qëndroj kështu dhe kjo më dha kurajon të shikoja se ku mund të studioja”.


Castillo, jo vetëm që ka rigjetur dashurinë e tij për studimin në një moshë të vonë, por është bërë edhe i famshëm. Telefoni i 80-vjeçarit nuk ka ndaluar së tringëlluari, me një pafundësi mediash që duan të shkruajnë historinë e tij, pas regjistrimit në programin “Erasmus”.


80-vjeçari, që do të ndajë eksperiencën “Erasmus” me bashkëshorten e tij, thotë se nipërit dhe mbesat e kanë mbështetur që nga fillimi, ndaj inkurajon edhe persona të tjerë të moshës së tij të mos mbyllen në shtëpi, por të hapen për botën.


“Ne mund të kontribuojmë shumë dhe të fitojmë shumë nga shoqëria”, tha ai.


(Portali Shkollor)

667 Lexime
1 vit më parë