TË LEXUARIT

Të lexuarit në letër dhe të lexuarit digjital te fëmijët.

Problemi që sot ndeshim në mënyrë frekuente si një shqetësim dhe deri diku frikë të të rriturve është: a lexojnë sot fëmijët?
Të lexuarit është proces që ka rrugën e tij dhe varet nga shumë faktorë, por absolutisht jo nga fanatizmi apo imponimi.

Panairi i 21-të Librit, solli disa fakte interesante dhe ndonjëherë të debatueshme. Ndërsa stenda të ndryshme ishin të mbipopulluara me gjeografi të pasur të zhanreve letrare për të rritur, jo pak herë në to ishte e varfër ose mungonte pothuajse fare letërsia për fëmijë. Por në një dimension krejt tjetër ishte frekuentimi  fëmijëve në këtë panair, të cilët herë të shoqëruar me prindërit e herë me mësuesit përpiqeshin të gjenin atë libër të cilin mendonin se u përshtatej. 


Megjithatë, përtej këtij konstatimi, problemi që sot ndeshim në mënyrë frekuente si një shqetësim dhe deri diku frikë të të rriturve është: a lexojnë sot fëmijët?

Për të qenë më afër kësaj përgjigjeje, ndërmorëm një bisedë të hapur me nxënës të Arsimit Fillor në disa shkolla të Tiranës dhe Elbasanit. Nga biseda që bëmë me fëmijët konstatuam se shumë e larmishme është mënyra se si të vegjlit i qasen librit: takuam fëmijë që lexojnë në mënyrë sistematike, fëmijë që lexojnë në mënyrë jo frekuente, fëmijë që lexojnë në tableta, fëmijë që lexojnë poezi, fëmijë që lexojnë në internet (pa dyshim kjo me problematikat e veta), por ama tepër të izoluar rastet kur fëmijët nuk lexojnë. 

E nëse ekspozojmë të dhëna të institucioneve të specializuara për këtë marrëdhënie do të referoja një studim në veçanti të Gallup1, i cili pohon se në fund të viteve '40, vetëm 21% e të rinjve lexonin; në vitin 2005 ky nivel kishte arritur në 47%. Por më inkurajuese janë konstatimet e projektit "Internet Pew Research 2", të cilat dëshmojnë që edhe sot fëmijët nuk lexojnë më pak. Sipas projektit në fjalë  në një studim të vitit 2014, pohohet se të rinjtë lexojnë shumë më tepër se më parë. Dhe shumë më tepër se të rriturit.


 Po atëherë nga buron ky shqetësim masiv i prindërve. 

Ka një përgjigje për këtë pyetje. Sot teknologjia digjitale po sjell një tjetër format të lexuari, i cili nuk ka se si të jetë shumë miqësor me librin në letër: leximi në monitor. Se sa "agresiv" është ky lloj i ri i të lexuarit, këtë mbetet ta provojë koha. Të dhënat e referuara më sipër pohojnë se nuk duhet të kemi frikë, për aq kohë sa nuk kemi pse jemi domosdoshmërisht fanatikë të librit në letër.  

Gjithsesi zakoni i të lexuarit është ende jo thjeshtë "në modë", por edhe i frytshëm. Fëmijët lexojnë me dëshirë, për aq kohë sa ky proces nuk është një detyrim shkollor, apo një urdhër. Lexohet për kënaqësi, dhe si i tillë duhet shijuar procesi. 


Nëse familjet tona do të mundësojnë leximin dhe përzgjedhjen e librit, si një element të stilit të jetesës, atëherë fëmija i mësuar të shkojë së paku një herë në javë në librari apo bibliotekë me ta, me siguri që do të jetë një lexues i mirë nesër, pavarësisht nga lloji i leximit që ai do të zgjedhë të bëjë.


Por ndërsa lexon në tablet, a ka ndryshime të ndjeshme në të kuptuarit e tekstit nga fëmijët? 

E vërteta është se teksti digjital për fëmijë po vjen në rritje, ndërsa po bie ndjeshëm numri revistave. Psikologu Yalda T. Uhls, e thekson si një aspekt shumë të rëndësishëm procesin e të lexuarit të fëmijëve në tableta ose në letër, i cili, sipas tij nuk sjell kurrfarë dallimi në të kuptuarit. E nëse do të flisnim me termat e linguistëve, thjeshtë ka ndryshuar kanali i marrjes së mesazhit, i cili në vetvete mbetet i njëjtë. Por shumë e rëndësishme është menaxhimi i kohës, i cili nëse është abuziv sjell pasoja. Kjo është detyrimisht përgjegjësi edhe e prindit apo mësuesit. Kështu kohën do ta konceptoja në dy pjesë: ka një kohë të mirë, e cila na lejon të mësojmë, të argëtohemi dhe të relaksohemi në një mënyrë të shëndetshme, por ka edhe një kohë të keqe, që është ajo që shpenzojmë para ekranit përtej kufijve të sensit të përbashkët dhe ekuilibrit. 


Për ta mbyllur, të lexuarit është proces dhe si i tillë do të ketë rrugën e tij, e cila varet nga shumë faktorë, por absolutisht jo nga fanatizmi apo imponimi. 



(Natasha Poroçani; Portali Shkollor)

2,428 Lexime
5 vjet më parë