Të mësosh dhe të edukohesh është proces i përjetshëm
Procesi që e shoqëron njeriun prej ardhjes në këtë botë e deri në vdekje është arsimimi gjatë gjithë jetës, me qëllim të ndryshimit të vetvetes në çdo etapë të jetës.
Të mësosh dhe të edukohesh është proces i përjetshëm
“Edukimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorni për ta ndryshuar botën.”
Jo vetëm të mësosh, por edhe të edukohesh. Është pa dyshim e qartë se i arsimuari ndryshon mjaft shumë nga i paarsimuari, ashtu siç ndryshon i gjalli nga i vdekuri. Në kohën në të cilën po jetojmë, njerëzit paguajnë më shumë për t’u argëtuar sesa për t’u arsimuar. Mësimi përfundon në klasë, arsimi fillon në shtëpi. Një titull akademik dhe shkencor apo çfarëdo tjetër, nuk të bën intelektual. Edukimi i mendjes pa atë të shpirtit nuk mund të quhet edukim i mirëfilltë. Niveli i qytetërimit të një shoqërie matet dhe tregohet me mënyrën e shprehjes së fjalës publike. Fjala e shprehur vepron më shumë se ajo që lexohet në libër. Emancipimi i një shoqërie shprehet dhe shihet më së miri te fytyra e mësuesit dhe sjellja e tij.
Që shkollimi është i nevojshëm dhe është shumë i rëndësishëm, këtë e dinë të gjithë, sepse arsimi e ndihmon gjeneratën e re të krijohet, të edukohet dhe të formohet si personalitet në mënyrë të drejtë dhe me përgjegjësi. Procesi që e shoqëron njeriun prej ardhjes në këtë botë e deri në vdekje është arsimimi gjatë gjithë jetës, me qëllim të ndryshimit të vetvetes së tij në çdo etapë të jetës.
Edukimi si emërtim ka përkufizime të ndryshme. Sa herë përmendim edukatën, mendja na shkon tek edukata e fëmijëve, apo nxënësve.
Përmes edukimit synojmë të njohim sa më shumë veten, të tjerët, e shoqëritë e zhvilluara vetëm, e që atë e kanë arritur vetëm në saje të edukimit dhe janë sot aty ku duhet të jenë, por këtu shtrohet pyetja se ku jemi ne si shoqëri me edukatë? Në vitet e fundit, shoqëria jonë po shoqërohet me probleme të shumta, të cilat po krijojnë probleme të mëdha si papunësia, varfëria, pasiguria, diskriminimi, korrupsioni, kriminaliteti, dhuna verbale e fizike, sëmundjet, lëndët narkotike, terrorizmi, fanatizmi fetar, nacionalizmi, shovenizmi etj. Këto probleme kanë krijuar një pasiguri për popullsinë, dhe si rezultat i këtyre problemeve shoqëria mund të ketë arsye që më shumë t’i frikësohet jetës sesa vdekjes, më shumë urisë sesa semundjes, më shumë të ardhmes se të tashmes.
Synim i edukatës nuk është vetëm edukimi i të rinjve, nxënësve apo studentëve; qëllimi i saj është që një shoqëri të jetë e shëndoshë dhe të respektojë rregullat e jetës pa marrë parasysh moshën që i takon. Në rënien e edukatës kanë ndikuar shumë faktorë si familja, shkolla, shoqëria, mjedisi dhe mediat elektronike, duke shfaqur emisione me tematika të ndryshme e joadekuate për rrethin tonë shoqëror.
Një nga problemet më të mëdha të kohës sonë është se njerëzit tanë janë të shkolluar, por pak janë të arsimuar (të edukuar) mirë. Kjo do të thotë që: Jo vetëm mësimi, por edhe edukimi.
Shkollimi pa arsimimin, dhe anasjelltas, njëra pa tjetrën nuk janë të plota por të gjymta. Kanë thënë: “Dituria pa edukatë (moral) është sikur zjarri pa dru, dhe edukata pa dituri është sikurse shpirti pa trup.” Njeriu mund të jetë shumë i ditur dhe i shkolluar, por pa arsimim – pa edukatë nuk mund ta interpretojë në mënyrë të shëndoshë diturinë, as te të tjerët, bile as te fëmijët e vet”.
As familja, as shteti nuk zhvillohen, për aq kohë sa anëtarët dhe qytetarët nuk edukohen!
Ç’kuptim ka një sistem arsimor kur sa herë që ndërrohet qeveria ndërrohet edhe sistemi i arsimit. Parimisht çështjet kryesore të jetës nuk ndërrohen, ato transformohen prej një gjendje në tjetrën. Mund të ndërrohemi ne si qenie njerëzore, mentalitetin e vjetër, mënyrën e të menduarit, të kuptuarit dhe të vepruarit etj. Pa ndryshime rrënjësore të vetvetes, njeriu ndryshe mendon, ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Në të kundërten vetëm mësimi dhe njohuria e shkollimit pa edukim nuk çon askund. Njohuritë nuk shpjegohen, ato fitohen; ligjet nuk mësohen, ato vërtetohen.
Edhe sistemi më i mirë arsimor nuk sjell gjë të re nëse njeriu nuk ndryshon, nëse nuk arsimohet moralisht dhe shpirtërisht. Sepse njeriu është gjenerator i posaçëm i të gjitha ndryshimeve të vazhdueshme jetësore.
Pa ndërrimin e njeriut, të gjitha reformat ekonomike, politike, financiare, kulturore, arsimore etj., janë të pamundura të realizohen për krijimin e një jete më të mirë. Sepse në shpirtin e njeriut vihen themelet e reformave dhe strukturave të reja. Edhe ligji më i mirë në dorën e njeriut të paedukuar, pra të njeriut apo të shoqërisë së pamoralshme dhe të keqe, nuk mund të jetë funksional. Është e njohur thënia se askush nuk mund ta ndërrojë gjendjen e një populli, derisa ata të ndërrojnë vetveten. Kjo vlen edhe për sistemin tonë shkollor.
Shkolla nuk e bën njeriun njeri, por ajo se çfarë rrjedh nga shpirti, nga formimi i personalitetit dhe identitetit të tij. Sepse brendia dhe forma, shkollimi dhe arsimimi shkojnë bashkë e jo vetëm format dhe trajtjat e ligjeve të jashtme.
Nga: Drenusha Osmani
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Dita Ndërkombëtare e Mësuesit, mbështetje e inkurajim për arsimtarët
Thëniet më të bukura që përshkruajnë mësuesin/en
Rëndësia e librave në jetën tonë