"Të shesësh mend, me mendje hua" - Inteligjenca Artificiale dhe sfida për të mos humbur aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur
Inteligjenca Artificiale po na ndihmon të gjejmë përgjigje gjithnjë e më shpejt, por a po rrezikojmë të humbasim aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur? Psikologia klinike Orgesa Qosja sjell një reflektim mbi përdorimin e IA-së dhe rëndësinë e ruajtjes së mendimit kritik.
Nga Msc. Psikologe Klinike Orgesa Qosja, Eksperte në Drejtësinë Civile dhe Penale për të Mitur
Jetojmë në një kohë kur informacioni është vetëm një klikim larg, përgjigjet gjenerohen brenda sekondave dhe Inteligjenca Artificiale po bëhet pjesë gjithnjë e më e pranishme e jetës sonë. Ajo shkruan, përkthen, analizon, krijon imazhe, sugjeron zgjidhje dhe na ndihmon të përmbushim detyra që dikur kërkonin kohë dhe përpjekje të konsiderueshme.
Por, ndërsa teknologjia po bëhet gjithnjë e më inteligjente, lind një pyetje që meriton vëmendje: A po e përdorim Inteligjencën Artificiale për të zhvilluar mendimin tonë apo po fillojmë t'ia delegojmë asaj vetë procesin e të menduarit?
Një nga rreziqet e kohës sonë është ngatërrimi i informacionit me dijen. Është e vërtetë se Inteligjenca Artificiale mund të na ndihmojë të formulojmë mendime, por nuk garanton që ato mendime janë tonat. Mund të krijojë një tekst të bukur, por nuk mund të zëvendësojë përvojën, reflektimin dhe përgjegjësinë personale të vetë autorit. Fakti që dikush mund të prodhojë një tekst të argumentuar, të përdorë terma profesionalë apo të japë një përgjigje të strukturuar, nuk do të thotë domosdoshmërisht se e zotëron përmbajtjen që përcjell.
Kështu, rrezikojmë të krijojmë një paradoks të ri shoqëror: të dukemi gjithnjë e më të informuar, ndërkohë që investojmë gjithnjë e më pak në procesin e të kuptuarit në përgjithësi dhe të menduarit në vecanti.
Inteligjenca Artificiale mund të prodhojë përgjigje bindëse, por jo çdo përgjigje e gjeneruar është domosdoshmërisht e saktë. Ajo mund të gabojë, të paraqesë informacion të pasaktë ose të mos marrë parasysh kontekstin e një situate.
Pikërisht këtu qëndron rëndësia e mendjes njerëzore: të mos jetë thjesht konsumator i përgjigjeve, por vlerësues i tyre përmes logjikës.
Nëse fillojmë të kërkojmë nga teknologjia të mendojë, të analizojë dhe të vendosë gjithçka për ne, rrezikojmë të dobësojmë gradualisht disa prej aftësive tona më të rëndësishme njohëse: përqendrimin, arsyetimin, zgjidhjen e problemeve dhe vendimmarrjen e pavarur.
Është shumë e rëndësishme që të kujtojmë se komunikimi njerëzor nuk përbëhet vetëm nga fjalët. Ai përfshin përjetimin emocional, empatinë, intuitën, gjuhën e trupit dhe aftësinë për të kuptuar tjetrin përtej asaj që shprehet verbalisht.
IA mund të stimulojë një komunikim empatik dhe të ofrojë mbështetje informuese, por nuk përjeton emocionet njerëzore dhe nuk mund të zëvendësojë plotësisht marrëdhënien reale mes njerëzve.
Prandaj, teknologjia duhet të jetë një mjet ndihmës, jo një zëvendësues i lidhjeve njerëzore, dhe se teknologjia duhet të zgjerojë mendjen, jo ta zëvendësojë atë.
Ndoshta sfida më e madhe e këtij shekulli nuk është të mësojmë se si të përdorim Inteligjencën Artificiale, por të mos harrojmë se si të përdorim inteligjencën tonë njerëzore.
Sepse të kesh akses në miliona përgjigje nuk do të thotë të kesh miliona njohuri. Të prodhosh një tekst nuk do të thotë ta kuptosh atë. Dhe të dukesh i zgjuar nuk është e njëjta gjë me të qenit i aftë të mendosh.
Në fund, nuk është arritje të shesësh mend me mendje hua. Arritje është të përdorësh teknologjinë pa humbur mendimin tënd. Përdore Inteligjencën Artificiale për të zgjeruar horizontin e mendjes, jo për ta vënë atë në gjumë!
Referenca bibliografike dhe burime për konsultim
1. UNESCO. (2023). Guidance for Generative AI in Education and Research. Paris: UNESCO.
2. OECD & European Commission. (2026). Empoëering Learners for the Age of AI: An AI Literacy Frameëork for Primary and Secondary Education. OECD Publishing.
3. Lee, H. P., et al. (2025). The Impact of Generative AI on Critical Thinking. Proceedings of the 2025 CHI Conference on Human Factors in Computing Systems.
4. European Commission. (2026). AI Literacy Framework for Primary and Secondary Education.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Si mund ta përdorin mësuesit inteligjencën artificiale në arsim? Njihuni me MagicSchool AI
Labirintet e adoleshencës/ Intervistë me Evans Drishtin për sfidat që prindërit dhe mësuesit nuk duhet të anashkalojnë
Të rrisim fëmijë që dinë të pranojnë gabimet dhe të mbajnë përgjegjësi