MATURA SHTETËRORE

Test i mbështetur mbi komentet e çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe (Xha Gorio- Balzak)

Ky është një model testi në lëndën e letërsisë i cili u vjen në ndihmë maturantëve për provimin në këtë lëndë. Ai është hartuar sipas modelit të testeve të Çelësit të Letërsisë dhe Gjuhës shqipe për Maturën Shtetërore, Albas. Në test trajtohet një fragment nga vepra e Balzakut, Xha Gorio.

TEST

Xha Gorio- Balzak


Kur erdhi karroca e varrimit, Eugjeni urdhëroi që ta ngrinin përsëri lart arkivolin, i zhgozhdoi kapakun dhe i vuri me shumë respekt mbi gjoks xha Goroit një shëmbëlltyrë që pasqyronte një kohë kur Delfina dhe Anastasia ishin të reja, të virgjëra e të pastra dhe nuk e vrisnin mendjen, siç pati thënë i ati gjatë thirrjeve të tij heqëse. Rastinjaku dhe Kristofi e shoqëruan vetëm, me dy varrmihës, karron që e shpinte babëlokun e gjorë në Sent-Etienë dy Mon, një kishë jo larg nga rruga Nëvë-Sentë-Zhënëvievë. Me të arritur atje, trupin e çuan në një kapelë të ulët e të errët, përreth së cilës studenti kërkoi më kot të dy vajzat e xha Gorioit ose burrat e tyre. Ai mbeti vetëm me Kristofin, që e ndiente veten të detyruar për t’i bërë shërbimet e fundit një njeriu që i kishte dhënë mundësi të fitonte disa bakshishe të mira…..

Të dy priftërinjtë, xhakoni dhe shërbyesi i kishës erdhën dhe dhanë gjithë atë që mund të jepej për shtatëdhjetë franga, në një kohë kur feja nuk është aq e pasur sa të lutet falas. Njerëzit e klerit kënduan një psalm, Libera dhe De profoundis. Shërbimi zgjati njëzet minuta. Nuk kishte veçse një karrocë të përmotshme për një prift dhe një xhakon që pranuan të merrnin me vete edhe Eugjenin me Kristofin.

− Nuk paska fare të përcjellë, − tha prifti, − ne mund të shkojmë shpejt, me qëllim që të mos vonohemi, ora është pesë e gjysmë. 

Kur e vunë kufomën në karrocën e të vdekurve, erdhën dy karroca me emblema, po bosh, ajo e kontit Dë Resto dhe ajo e baronit Dë Nysingen, dhe e përcollën të vdekurin gjer në varrezat Perë-Lashëzë. Më ora gjashtë, trupi i xha Gorioit u zbrit në varr, rrotull ishin karrocierët e të bijave, po dhe ata u zhdukën menjëherë bashkë me priftërinjtë, me të mbaruar lutja e shkurtër që u këndua për babëlokun me të hollat e studentit. Si hodhën ca lopata dhe mbi tabutin për ta mbuluar, të dy varrmihësit u ngritën dhe njëri syresh i kërkoi Rastinjakut bakshishin. Eugjeni futi dorën në xhep, po s’gjeti asnjë dhjetësh; u shtrëngua t’i merrte hua Kristofit njëzet solda. Ky rast që në vetvete s’kishte asnjë rëndësi, e mbushi Rastinjakun me një trishtim të thellë. Kishte zënë të ngrysej, një muzg i lagësht të cingëriste nervat; ai vështroi varrin dhe mbuloi në të lotin e fundit të djalërisë, atë lot të shkëputur nga emocionet e shenjta të një zemre të kulluar, një nga ata lot që, nga toka ku bien, çohen gjer në kupë të qiellit. Kryqëzoi duart dhe soditi retë; tek e pa ashtu, Kristofi iku dhe e la.

Rastinjaku mbeti vetëm, bëri disa hapa në të përpjetën e varrezave dhe pa Parisin, që gjarpëronte nga të dyja anët e lumit Senë, ku zunë të llamburitnin dritat. Sytë e tij u mbërthyen me lakmi në mes të shtyllës së sheshit Vandomë dhe kubesë së Shtëpisë së Invalidëve, atje ku jetonte ajo shoqëri e lartë e Parisit, objekti i synimeve të tij. Eugjeni i hodhi asaj koshereje që zukiste, një vështrim, si t’i thithte që më parë mjaltin, e tha këto fjalë të madhërishme: 

− Tani të shohim se kush do fitojë, unë apo ti: 

Dhe, duke i hedhur sfidën kësaj shoqërie, ai shkoi për drekë te zonja Dë Nysingen.


Rrethoni alternativën e saktë


1. Në fjalinë: …. siç pati thënë i ati gjatë thirrjeve të tij heqëse… fjala heqëse nënkupton: (1 pikë)

a. agoninë e Gorioit,

b. bisedat e Gorioit,

c. lutjet e Gorioit,

ç. mallkimet e Gorioit.


2. Në fjalinë …kur feja nuk është aq e pasur sa të lutet falas, figura e përdorur është:  

a. antitezë,

b. metaforë,

c. ironi,

ç. krahasim. 


3. Çfarë vuri Eugjeni mbi trupin e të ndjerit Gorio, pasi e zhgozhdoi arkivolin? 

a. Lule,

b. medaljon me foto të vajzave,

c. para.


4. Cili është kuptimi i fjalisë: ….ai vështroi varrin dhe mbuloi në të lotin e fundit të djalërisë…

a. Eugjeni mbuloi bashkë me Gorioinë një pjesë të së shkuarës së tij të zymtë;

b. Eugjeni do të kujtonte me mall kohët e bukura të rinisë;

c. Eugjeni hodhi pas krahëve shpirtin e ndjeshëm dhe iu përshtat botës së egër mondane;

ç. Eugjeni qau shumë për vdekjen e Gorioit.


5. Karakteristikë e stilit të Balzakut në këtë fragment është:

a. përshkrimi i detajuar realist,

b. pasioni mbizotërues,

c. tipizimi i personazhit,

ç. gërshetimi i rrëfimit me dialog.


6. Në varrimin e Gorioit vajzat e tij:           

a. erdhën vetëm me bashkëshortët;

b. erdhën me familjet e tyre;

c. erdhën vetëm karrocierët me karrocat bosh dhe emblemat e familjeve;

ç. erdhën vetëm, sepse bashkëshortët e tyre ishin të zënë me punë. 


7. Kush e pagoi varrimin e Gorioit?

a. Dy vajzat me bashkëshortët e tyre;

b. zonja Voker;

c. Rastinjaku;

ç. asnjë nga personazhet e mësipërme. 

 

8. Atmosfera në këtë fragment është: 

a. e nderë,

b. e ankthshme,

c. e qetë, 

ç. ekzaltuese.

 

9. Funksioni i mjedisit (vendi dhe koha) në të cilin zhvillohet ngjarja, është:

a. të tregojë realitetin e zhveshur;

b. të nxisë imagjinatën e lexuesit; 

c. të rrisë shkallën e tragjicitetit;

ç. asnjëra.


10. Arsyet pse ceremonia e varrimit zgjat njëzet minuta lidhet me:

a. pagesën e shërbimit,

b. mungesën e pjesëmarrësve,

c. përkatësinë në shtresën shoqërore në të cilën bënte pjesë i ndjeri,

ç. të gjitha së bashku.


11. Në varrim vijnë dy karroca me emblema bosh. Simbolika e këtij veprimi është:

a. të prezantojnë titujt e familjeve dhe përfaqësojnë sjelljen tipike të shtresave të larta shoqërore; 

b. si i vdekuri si ceremonia mortore për ta ishte i parëndësishëm; 

c. përmes tyre autori ironizon dhe godet fort marrëdhëniet hipokrite si familjare edhe ato shoqërore; 

ç. të gjitha së bashku.


12. Prezenca dhe rëndësia e parasë si mjeti që vë në lëvizje gjithë mekanizmin shoqëror në fragment shfaqet përmes:

a. kushtëzimit në organizimin e ceremonisë mortore dhe në mungesën e pjesëmarrjes së vajzave të Gorioit;

b. shpenzimit të parasë në mënyrë të shpenguar;

c. keqardhjes së të bijave për mungesën e pjesëmarrjes në ceremoninë mortore. 


13. Kundërvënia kuptimore e fjalive: Eugjeni futi dorën në xhep, po s’gjeti asnjë dhjetësh; u shtrëngua t’i merrte hua Kristofit njëzet solda. Ky rast që në vetvete s’kishte asnjë rëndësi, e mbushi Rastinjakun me një trishtim të thellë. qëndron në faktin:

a. merr hua dhe nuk i jep rëndësi si fakt;

b. rasti në vetvete s’ka rëndësi, por e mbush me trishtim;

c. Eugjeni futi dorën në xhep, por nuk gjeti asnjë dhjetëshe. 


14. Trishtimi i thellë i Eugjenit lidhet me xha Gorionë, vajzat e tij dhe me atë vetë, sepse:                a. ai kupton rëndësinë e parasë dhe shpërbërjen e marrëdhënieve njerëzore si rezultat i saj; 

b. ai ka qenë dëshmitar i fatit tragjik të vetë xha Gorioit dhe marrëdhënies së dështuar me vajzat e tij;

c. ai sheh pamundësinë për t’u ngjitur në shoqërinë e lartë nga mungesa e parasë; 

ç. të gjitha së bashku

                             

Shënoni e vërtetë (V) dhe e gabuar (G). 


15. Autori ka zgjedhur ta realizojë varrimin e xha Gorioit në kohën kur bie muzgu. Kuptimi simbolik i kësaj zgjedhjeje është:

a. koha e zgjedhur për t’u zhvilluar veprimi është e rastësishme;     V G

b. ajo është simbol i fundit fatal të jetës së xha Gorioit, është tregues i një cikli jetësor të mbyllur; V G

c. ky fund nuk është tronditës, i mbushur me dhimbje dhe vetmi;

ç. Gorioi vdes i harruar nga vajzat e tij egoiste, të cilat janë të kursyera në dashurinë, dhembshurinë dhe respektin e merituar ndaj babait të tyre;              V G    

d. për Rastinjakun është fundi i një faze jetësore dhe nisja e një të reje.  V  G 


16. Fjalët e Rastinjakut: Tani të shohim se kush do fitojë, unë apo ti janë: 

a. kërcënim për shoqërinë e lartë, sepse e quan fajtore për fatin e Gorioit, i cili, edhe pse sakrifikoi gjithçka, merr shuplakën e pamerituar të ndëshkimit; V G

b. dëshmi që Rastinjaku nuk është produkt i këtij mjedisi; V G

c. prirje e Rastinjakut për lejuar të ketë të njëjtin fat si xha Gorioi,duke iu dashur të përshtatet me mënyrën e jetesës së kësaj shoqërie; V G

ç. synim i tij për t’u ngjitur mu në zemër të kësaj shoqërie duke u bërë faktor kyç i gjithë mekanizmave të saj; V G

d. fundi i kësaj faze jetësore paralajmëron nisjen e një faze të re në vepra të tjera letrare të Balzakut.    V G



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

21,914 Lexime
3 vjet më parë