Tremujori i dytë

Testim, gjuha shqipe VI

Testimi për lëndën e gjuhës shqipe në klasën e gjashtë, për tremujorin e dytë të këtij viti shkollor, është përgatitur nga mësuesi Erget Cenolli.

Testim (tremujori i dytë)

Klasa VI 

Emri _____________________________________   

Koha 45 minuta

Mësuesi: Erget Cenolli

     

Është natë dhe pallati ndodhet fare përskaj korridorit të luginës. Diku pranë dherave të sheshta të kësaj lugine, këtu tek mbaron rrjedha e malit, janë çelur themele dhe është ngritur edhe një pallat tjetër. Në katin e tretë të këtij pallati banon familja ime: unë, gruaja dhe dy fëmijët. Përjashta është terr i thellë. 

     Gruaja dhe fëmijët flenë matanë. Në skajin e majtë të tryezës ime shoqe lë gjithmonë një pjatë të bukur të hershme. Në pjatë janë vizatuar zogj që këndojnë bujshëm. Në krahun e djathtë, tek jam ulur, bubullon soba. 

Është stinë dimri. Është natë e ftohtë. Nëpër luginë vrapojnë erëra të ngricëta. Ulërijnë si kope të xhindosura. Sikur diku larg, te shtabi i vet madhor t’i kenë thirrur, t’i kenë kritikuar ashpër për ngathtësi dhe, pas kësaj, vetë këto erëra të jenë sulur, sakaq, përjashta nëpër fushëtirën e ngrirë të luginës. Dhe tani ulërijnë. Unë ende rri e mendohem i përkulur, i vetëm mbi tryezën e punës. Në ballkon, para dy vjetësh, kam sajuar një qoshe dhe kam mbjellë një hardhi. Kujdesem për të dhe në pranverë e veçanërisht në verë ajo harbohet. Degët e holla pa gjethe, me sythet e mbyllura zgjaten mbrapa shpinës sime, matanë kuadratit të xhamave dhe hera-herës çukitin me nervozizëm, sikur të thonë: Ne mërdhijmë, po, mërdhijmë! Çele ... të ngjitemi diku qosheve të dhomës e të ngrohemi pakëz! Është erë nervoze dhe ato vazhdojnë të ngatërrohen e çukitin! Çukitin! 

     Disa herë jam behur i mbërthyer nga një shqetësim i menjëhershëm. Por ulërima e erës godet ende më me tërbim dhe edhe më keq përzihen përdredhjet skelektike të hardhisë, dhe një çast tjetër më duket sikur hardhia, me ata gishtërinj të çuditshëm ngjyrë dheu, troket me ngulm në dritare. Sikur të mos jetë hardhia?! Sikur ... më flet mua dhe më  ngre të zgjohem nga dremitja!  

(“Mëma” nga Koço Kosta) 


1. Ku ndodhet shtëpia e rrëfyesit? (2 p)

________________________________________________________________________________________________________________________________________________


2. Çfarë ndodh në kohën kur rrëfyesi rri e mendohet? (2 p)

________________________________________________________________________________________________________________________________________________


3. A ka rrëfyesi vegime gjatë dremitjes? (2 p)

________________________________________________________________________________________________________________________________________________


4. Në cilën vetë rrëfehet  ndodhia? (1 p)

________________________________________________________________________________________________________________________________________________


5. Nëse do të ishe ti në çastet e rrëfyesit, si do të veproje? (2p)

________________________________________________________________________________________________________________________________________________


6. Shkruaj një pesëvagësh për fjalën “dremitje”: (5p)

1.  Përmblidh pjesën me një fjalë _______________  

2. Shkruaj dy mbiemra ______________________ 

3. Shkruaj tri folje ___________________________________ 

4. Shkruaj një sinonim _______________________

5. Shkruaj një fjali me katër fjalë _____________________________________________________


Përdorimi i drejtë i gjuhës:


7. Gjej tek pjesa një kohë të thjeshtë dhe një kohë të përbërë të mënyrës dëftore (2p)


8. Tek fjalia: “Nëpër luginë vrapojnë erëra të ngricëta.”, ktheje foljen  në mënyrën lidhore; mos ndrysho kohë, vetë, numër (2p)


9. Gjej në tekst një lidhëzë bashkërenditëse dhe një lidhëzë nënrenditëse; emërtoji (3p)


10. Tek fjalia: “Kujdesem për të dhe në pranverë e veçanërisht në verë ajo harbohet.”, gjej parafjalën emërtoje sipas rasës (2 P)


11. Gjej në tekst  një fjali të thjeshtë;  qarko dhe emërto grupet e saj (4p)


12. “Në katin e tretë të këtij pallati banon familja ime.”, nënvizo me një vijë kryefjalën, thuaj me se është shprehur . (2p)


13. Nxirr nga teksti një rast kur folja  jam,  është pjesë e një kallëzuesi foljor dhe një rast tjetër kur është pjesë e kallëzuesit emëror (2p)


14. Në një fletë fletoreje shkruaj një përshkrim me titullin “Mesnata” (5 p) (2 p. struktura; 2 p. detajet e përshkrimit; 1 p. drejtshkrimi)


Pikët 9-13 14-19 20-24 25-29 30-33 34-36
Vlerësimet 5 6 7 8 9 10


(Erget Cenolli, Portali Shkollor)

8,932 Lexime
6 vjet më parë