KLASAT KOLEKTIVE

Udhëzues për klasat kolektive

Gjithçka duhet të dini rreth klasave kolektive përmblidhet në materialin (udhëzuesin) e mëposhtëm. Ky është një udhëzues i IZHA-s, në të cilin sqarohet çdo aspekt i klasave të bashkuara, për të cilin mësuesit duhet të jenë të mirëinformuar.

Çfarë janë klasat kolektive?

Klasë kolektive quhet klasa ku mësojnë së bashku nxënësit e dy a më shumë klasave të arsimit fillor ose dy a më shumë klasave të arsimit të mesëm të ulët. Klasa kolektive mund të emërtohet dhe “klasë e bashkuar”, pasi ajo është një bashkim nxënësish të grup-moshave të ndryshme me diferencë nga një deri në pesë vjet në arsimin fillor, dhe nga një deri në katër vjet në arsimin e mesëm të ulët.


Pse ka klasa kolektive?

Të mësuarit në klasa kolektive nuk është dukuri vetëm e arsimit shqiptar. Klasa kolektive ka edhe në vende të tjera të Europës dhe më gjerë. 


Mësimdhënia në këto klasa konsiderohet:

– një formë e përshtatshme për t’i ndihmuar kombet që të arrijnë arsimimin për të gjithë, duke ofruar arsim cilësor për fëmijët që neglizhohen nga sistemi arsimor, pasi jetojnë në komunitete të vogla dhe të largëta;


– një qasje, e cila mund t’i ndihmojë shkollat e këtyre komuniteteve që t’u shërbejnë më

mirë nxënësve, duke iu ofruar arsim cilësor dhe të përshtatshëm për komunitetin ku

jetojnë;


– një mundësi e mirë që fëmijët të nxënë nga njëri- tjetri.


Të mësuarit në klasa kolektive në vendin tonë ndeshet në zonat rurale, pak të populluara, ku numri i nxënësve të regjistruar është i vogël dhe nuk garanton një mësues për çdo klasë. Fëmijët e vegjël në zona të largëta rrezikojnë të mos përfundojnë arsimin bazë, për shkak të infrastrukturës rrugore për të ndjekur shkollat e largëta. Mbajtja e klasave kolektive nuk vjen për shkak të mungesës së mësuesve në sistem, as nga pamundësia për të rekrutuar mësues të rinj, por është një strategji për të ofruar shërbimin arsimor në komunitetet rurale, kudo ku janë. Klasë kolektive formojnë edhe grupet e bashkuara në arsimin parashkollor, kur numri i fëmijëve është i vogël.


Menaxhimi në shkollë i klasave kolektive

Përzgjedhja e mësuesve

Puna me klasa kolektive kërkon që mësuesi të jetë krijues, të përshtatë kurrikulën me kushtet e klasës, të njohë mirë karakteristikat e zhvillimit moshor, të punojë me nivele të ndryshme nxënësish, të menaxhojë mirë klasën etj. Për këto arsye, njësitë vendore arsimore duhet të bëjnë një përzgjedhje të kujdesshme të mësuesve (kur ekziston kjo mundësi), që do të punojnë me klasa kolektive. Në shkollat ku jo të gjitha klasat janë kolektive, drejtori i shkollës duhet të zgjedhë në këto klasa, mësuesit më me përvojë pune ose mësuesit që kanë arritje të mira me nxënësit.


Formimi i klasave

Numri i nxënësve për klasë

Formimi i klasave kolektive bëhet në përputhje me Udhëzimin e MASR-së nr. 30, datë 12.09.2018 “Për numrin e nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar”. Më poshtë është pasqyruar pika B e kreut II “Formimi i klasave të bashkuara”. Në institucionet arsimore, kur nuk plotësohen normativat në përputhje me pikën A1 të kreut II të këtij udhëzimi (Klasat e veçanta në zonat urbane të formohen me jo më pak se 15 nxënës dhe në zonat rurale të formohen me jo më pak se 10 nxënës), mësimi organizohet me klasa të bashkuara.


Numri i klasave të bashkuara përcaktohet sipas këtij rregulli:

1. Në arsimin fillor (klasat I-V)

a) Një klasë, kur numri i nxënësve në klasat I-V është deri në 10.

b) Dy klasa, kur numri i nxënësve është nga 11-25.

c) Tri klasa, kur numri i nxënësve është nga 26-50.

d) Kur numri i nxënësve i të gjitha klasave I-V është mbi 50, formohen klasa të veçanta, pavarësisht nga numri i nxënësve për klasë.


2. Në arsimin e mesëm të ulët (klasat VI-IX)

a) Një klasë, kur numri i nxënësve në klasat VI-IX është deri në 10.

b) Dy klasa, kur numri i nxënësve është nga 11-25.

c) Tri klasa, kur numri i nxënësve është nga 26-40.

d) Kur numri i nxënësve i të gjitha klasave VI-IX është mbi 40, formohen klasa të veçanta, pavarësisht nga numri i nxënësve për klasë.


Bashkimi i klasave

Për formimin e klasave, përvoja tregon:

– mund të bashkohen klasa të njëpasnjëshme;

– mund të bashkohen klasa që i përkasin një shkalle kurrikulare (p.sh., klasat III, IV, V), pasi krijon mundësi për zhvillimin e kompetencave të shkallës;

– nuk është i përshtatshëm bashkimi i klasës I me klasën V, pasi ka diferencë të madhe në moshë dhe në formim mes nxënësve; Gjithsesi, drejtuesit dhe mësuesit, duke u bazuar edhe në përvojën e tyre me klasat kolektive, janë të lirë të bashkojnë klasat, në varësi edhe të numrit të nxënësve dhe të specifikave të shkollës.


Orari mësimor

Organizimi i orarit 1

Vitet e fundit, një pjesë e madhe e klasave kolektive ka punuar me sistemin 6-orësh në arsimin fillor. Me këtë formë organizimi, klasa më e ulët vjen dy orët e para dhe zhvillon lëndët kryesore (gjuhë shqipe dhe matematikë), klasa më e lartë vjen orën e tretë dhe të dyja së bashku zhvillojnë dy lëndë të tjera (orët III dhe IV), ndërsa orët e fundit, klasa që ka ardhur që në orën e parë të mësimit, largohet, ndërsa klasa tjetër vijon me lëndën e gjuhës shqipe dhe lëndën e matematikës. Pra, gjuha shqipe dhe matematika zhvillohen veç e veç, ndërsa lëndët e tjera zhvillohen së bashku.


Përparësitë e kësaj forme organizimi janë:

Në shtojcën 1 ka modele orari mësimor. Këto modele janë sugjeruese.

– krijon mundësi që nxënësit të zhvillojnë lëndët e gjuhës dhe të matematikës, në një klasë

me numër të vogël nxënësish;

– e lejon mësuesin që të monitorojë më mirë procesin e të nxënit.

Anët negative të kësaj forme organizimi janë:

– krijon lodhje dhe mbingarkesë për mësuesin, pasi ai zhvillon 30 orë mësimi në javë;

– i privon nxënësit që të vijnë dhe të kthehen nga shkolla së bashku;

– nuk i lejon nxënësit që të mësojnë me dhe nga njëri- tjetri në të gjitha orët e mësimit;

– pengon në zhvillimin e aftësive sociale të nxënësve;

– nuk krijon shumë mundësi që nxënësit të punojnë në mënyrë të pavarur.

Për arsyet e mësipërme sugjerohet që mësimi të zhvillohet me të gjitha klasat në të gjitha orët.


 Më poshtë janë dhënë edhe disa sugjerime të tjera për orarin:

– Zhvilloni, sa të jetë e mundur, të njëjtën lëndë njëkohësisht, me të gjitha klasat.

– Kur nuk është e mundur që të zhvillohet e njëjta lëndë me të gjitha klasat, vendosni në orar lëndë të ndryshme, por që i përkasin të njëjtës fushë të nxëni, pra janë të afërta me njëra- tjetrën, si p.sh.: historinë me gjeografinë, artin pamor me muzikën etj.

– Aty ku është e mundur, gjuhën shqipe dhe matematikën planifikoni që ta zhvilloni që në mëngjes, sepse nxënësit nuk janë të lodhur dhe përqendrimi i tyre është më i mirë.

– Orari i mësimit duhet të jetë fleksibël. Ai mund të ndryshohet gjatë kalimeve nga një periudhë në një tjetër.

– Orari i mësimit duhet t’u bëhet i njohur nxënësve dhe prindërve të tyre. Organizimi i hapësirës fizike të klasës kolektive 


Një klasë kolektive e organizuar mirë duhet të përmbajë:

- hapësira të mjaftueshme dhe të bollshme;

- kënde për të punuar në grupe ose në qendra të nxëni;

- hapësira për nxënësit për të punuar në mënyrë të pavarur;

- dërrasat e zeza/tabelat (dy tabela);

- tryezën e mësuesit;

- orendi për të vënë punët e ndryshme të nxënësve;

- orarin e javës dhe listën e detyrave të përditshme (regjimin ditor).



Mësuesi, në bashkëpunim me klasën, mund të hartojë një rregullore, ku përcaktohet se:

- ku mund t’i gjejnë dhe t’i ruajnë gjërat;

- ku mund të ulen për veprimtari të ndryshme;

- ku ta vënë detyrën e përfunduar;

- kujt mund t’i kërkojnë ndihmë në procesin e të nxënit, përveç mësuesit;

- etj. Kjo rregullore lehtëson punën e mësuesit, shmang konfuzionin dhe e bën më efektive kohën në klasë.


5 Planifikimi i procesit të të nxënit në klasa kolektive

Planifikimi i procesit të të nxënit në klasat kolektive është një proces i rëndësishëm dhe kërkon punë me profesionalizëm nga mësuesi. Baza e një planifikimi të suksesshëm është njohja e mirë e programit mësimor. Mësuesi duhet të zbatojë me përpikëri të gjitha kërkesat e këtij programi. Rezultatet e të nxënit janë një themel i përbashkët për të gjithë mësuesit. Ai përzgjedh vetë metodat dhe strategjitë më të përshtatshme, burimet e mundshme për t’u shfrytëzuar, llojet dhe mjetet e vlerësimit.


Llojet e planifikimeve në klasat kolektive

- Planifikimin vjetor

- Planifikimin për secilën periudhë (shtator-dhjetor; janar-mars; prill-qershor)

- Planifikimin ditor


Në fillim të vitit shkollor, mësuesi duhet të dorëzojë në drejtorinë e shkollës planin vjetor të klasës në arsimin fillor (të lëndëve që e përbëjnë) ose të lëndës/ modulit në arsimin e mesëm të ulët, i cili shërben si një kornizë e ndarjes së përgjithshme të përmbajtjes lëndore dhe të orëve mësimore, si edhe planin e periudhës së parë (shtator- dhjetor). Planet e periudhës së dytë dhe të tretë dorëzohen para fillimit të secilës periudhë. Gjatë vitit, sipas rrethanave që i krijohen, mësuesi mund të bëjë ndryshime në planin fillestar mësimor. Mësuesi mund të vendosë të përparojë më ngadalë nga sa e ka parashikuar, kur vë re se nxënësit e tij hasin vështirësi. Në këtë mënyrë mësuesi planifikon duke u bazuar në përparimin e nxënësve dhe në vështirësitë e hasura në periudhat paraardhëse, duke u përqendruar te arritjet e kompetencave kyç dhe të fushës/ lëndës.

Shënim: Formatet e planit vjetor, planit të periudhës dhe planit ditor janë sugjeruese.


Planifikimi vjetor i lëndës

Për planifikimin vjetor të lëndës, mësuesi, përveç programit mësimor duhet edhe të njohë edhe tekstin që ka përzgjedhur për atë vit shkollor për të gjitha klasat që përbëjnë klasën kolektive. Natyrisht, realizimi i programit është qëllimi i vërtetë i mësuesit, kurse teksti mësimor i përzgjedhur është një mjet për ta përmbushur këtë qëllim. Kur mësuesi sheh se teksti nuk i ka dhënë vendin e mjaftueshëm përvetësimit të një rezultati të nxëni të programit, ai e plotëson vetë këtë mungesë të tekstit, duke përdorur burime të tjera të nxëni. Plani vjetor është një plan sintetik. Mësuesi planifikon orët dhe përmbajtjen kryesore lëndore për tri periudha. 

Periudhat janë:

- periudha e parë: shtator- dhjetor;

- periudha e dytë: janar - mars;

- periudha e tretë: prill- qershor.


Rekomandime për mësuesit

– Zhvilloni mësim me të gjitha klasat së bashku. Ju mund të vendosni vetë veprimtaritë e përbashkëta dhe veprimtaritë me klasa të ndara. Jepini mësim njërës klasë, ndërkohë që të tjerët punojnë në mënyrë të pavarur. Për disa veprimtari, mund t’i caktoni nxënësit e klasave më të larta të punojnë me nxënësit e klasave më të ulëta, në mënyrë që të nxënë më shumë dhe të krijojnë ndjesinë e solidaritetit në klasë.


– Ndajini nxënësit në grupe sa më heterogjene sipas aftësive, moshës, nivelit, prirjeve etj. Kjo do t’u japë mundësinë nxënësve që të përmirësojnë arritjet e tyre, të zhvillojnë aftësitë sociale dhe të mësojnë nga njëri-tjetri.


– Lidheni mësimin me situata të jetës së përditshme. Nxënësit e kuptojnë një koncept të caktuar më qartë nëse e lidhni atë me jetën e përditshme, traditat dhe kulturën e tyre. Për shembull, konceptin e veprimeve me para në matematikë mund ta filloni me një prezantim të përbashkët për të gjitha klasat. Ju mund ta shpjegoni procesin e veprimeve me para duke përdorur kartëmonedhat dhe monedhat. Kjo mund të realizohet duke ju treguar nxënësve artikuj të ndryshëm, duke treguar koston e çdo artikulli dhe duke i kërkuar çdo nxënësve ose grupi të llogarisin kombinimet e monedhave dhe kartëmonedhave që mund të përdoren për atë shumë parash. Gjithashtu, ju mund të bëni lojëra me role, bazuar në marrjen dhe në dhënien e shumave të caktuara të parave.


– Përshtatni programin lëndor në kontekstin e komunitetit vendor dhe të klasës suaj. Zbatojeni programin në mënyrë sa më fleksibël, duke përdorur një sërë strategjish të mësimdhënies dhe të menaxhimit të klasës sipas rrethanave të ndryshme, stileve të të nxënit dhe nevojave individuale të nxënësve.


– Mbani parasysh diversitetin e nxënësve, sipas gjinisë, moshës, familjes, rrethanave socio- ekonomike, gjuhës, aftësive dhe nevojave të veçanta, në mënyrë që ta konsideroni këtë diversitet jo si një problem që duhet zgjidhur, por si një mundësi që mund të shfrytëzohen për të përmirësuar të nxënit.


– Krijoni një stil tuajin të mësimdhënies (rrjedhimisht dhe mënyrën tuaj të vlerësimit) për t’iu përshtatur rrethanave, stileve dhe nevojave të ndryshme të të nxënit të secilit nxënës. Kjo gjë përfshin identifikimin e hershëm të nxënësve, të cilët rrezikojnë të ngelin dhe ofrimin e vëmendjes së veçantë për t'u siguruar që do t'ia dalin me sukses dhe nuk do ta braktisin shkollën.


– Bëjeni klasën sa më të përshtatshme për fëmijët. Kjo do të thotë se nuk duhet të ofroni vetëm materialet e detyrueshme, por gjithashtu të siguroheni se klasa është një mjedis i shëndetshëm, mikpritës dhe gjithëpërfshirës dhe mundëson mbrojtjen e fëmijëve, që vijnë nga rrethana dhe mundësi të ndryshme.


– Përpiquni të jeni krijues në mënyrën se si e menaxhoni klasën kolektive, p.sh., duke i organizuar të gjitha klasat, duke i përzier ato, duke krijuar grupe të mëdha dhe të vogla, dyshe dhe hapësirë për punë individuale. Kjo gjë kërkon kujdes të veçantë në krijimin e rutinës për nxënësit që të punojnë dhe të mësojnë në mënyrë të pavarur përmes të nxënit të bazuar në veprimtari.


– Duhet të jeni fleksibël me kohën, duke kaluar nga një grup te një tjetër, si dhe duhet të ekuilibroni vëmendjen mes nxënësve me arritje të mira, që i keni caktuar si ndihmës dhe nxënësve me arritje më të ulëta, të cilët kanë nevojë për vëmendje shtesë.


– Shfrytëzoni çdo lloj burimi përreth, që ju ndihmon në punën tuaj, si: stafin drejtues, kolegët, prindërit, komunitetin vendor dhe rrjetin profesional, me anëtarët e të cilit mund të ndani përvoja të dobishme, materiale dhe plane mësimore.


– Zhvilloni aftësi të tjera të nevojshme për të ndihmuar një shkollë të vogël dhe të largët që të ketë sukses. Mësimdhënia në klasat kolektive është një sfidë në vetvete, por puna me kolegët për ta bërë shkollën tuaj të vogël të suksesshme, kërkon edhe aftësi të tjera, si: t'ia dalësh me burime të kufizuara dhe të përpiqesh të mbledhësh sa më shumë të tjera; të kryesh vetëvlerësimin e shkollës për arritjet dhe nevojat e saj dhe të hartosh një plan për përmirësimin e shkollës; të keni përkrahjen e prindërve të varfër dhe shpesh të pafuqishëm dhe të painteresuar; dhe të gëzosh mbështetjen e drejtuesve të komunitetit vendor. Të gjitha këto janë aftësi të dobishme në shkollat me klasa kolektive.



(Materialin e plotë e gjeni të plotë më poshtë)


(Portali Shkollor)

3,932 Lexime
2 muaj më parë