Etapat e vlerësimit

Vlerësimi i nxënësit realizohet gjatë tri etapave

Vlerësimi bazohet në: Ç’thonë, ç’shkruajnë dhe ç’bëjnë nxënësit. Nga kjo përcaktohen edhe format kryesore të vlerësimit. Për vlerësimin e njohurive, aftësive dhe sjelljes së nxënësve ka një sërë teknikash.

Vlerësimi realizohet gjatë tri etapave:

Kontrolli. Ka të bëjë me përfundimin e të mësuarit. Ai shprehet në forma të ndryshme dhe realizohet në çdo çast mësimor. Gjatë kontrollit realizohet: ç’dinë (çfarë u arrit) dhe çfarë nuk dinë nxënësit (çfarë nuk u arrit).


Matja. Ajo që u kontrollua duhet të matet. Nxënësi ka nevojë të dijë rezultatin e kontrollit.  Këtë matje e bën mësuesi. Ajo shprehet me pikë, me përqindje ose me një evidencë të thjeshtë, e formuluar me shprehje, shenja dalluese etj., e krahasuar me një standard të bazuar në kritere.


Vlerësimi. Nënkupton vendosjen e një vlere gjykimi sasiore ose cilësore, bazuar në matjen. Kjo bëhet nga mësuesi me notë ose me shprehje. Nëse kontrolli bëhet gjatë gjithë orës së mësimit, matja e cila shpesh është e pandarë nga vlerësimi, bëhet në etapa të caktuara të tij. Jo çdo kontroll shoqërohet me matje.


Kategoritë e vlerësimit

Vlerësimet që bën mësuesi në klasë, mund t’i klasifikojmë në katër kategori: 

• Formues

• Diagnostikues

• Përmbledhës

• Motivues


Vlerësimi formues

Vlerësimi formues synon të theksojë atë se çfarë ka arritur nxënësi gjatë procesit të formimit të njohurive dhe mbi këtë bazë bëhet planifikimi i mëtejshëm. Vlerësimi formues është një nga elementet më të rëndësishme të çdo mësimi, sepse është një aktivitet që i lejon mësuesit të vlerësojë sipas standardeve të kontrollit dhe të bëjë ndryshime në orën e mësimit sipas këtij informacioni.


Në realitet, vlerësimi formues, është një proces i vazhdueshëm, që duhet të realizohet gjatë gjithë orës së mësimit. Vlerësimi formues mund të organizohet në forma të ndryshme.

Kjo varet nga specifika e temës. Ai mund të organizohet herë me nxënës të veçantë, herë me grupe të vogla nxënësish, herë me pyetje – përgjigje, herë me detyra me shkrim etj.

Përdorimi i vlerësimit formues e ndihmon mësuesin që të sigurojë se nxënësit nuk kalojnë në temat dhe objektivat e reja më parë se të kenë përvetësuar aftësinë që bëjnë të mundur arritjen e detyrës së mëvonshme.


Vlerësimi diagnostikues bëhet kryesisht për aspekte të përvetësimit të njohurive nga nxënësit, për të gjykuar për atë që ata kanë mësuar dhe për atë që nuk kanë mësuar.

Vlerësimi diagnostikues ka rëndësi për faktin se ai: Jep informacion për efektshmërinë e të mësuarit pasi nxënësit ta kenë studiuar temën.


Informacioni mund të përdoret për të përcaktuar mënyrën e veprimit në etapën e dytë të të mësuarit, mbi bazën e gjykimit se çfarë ka mësuar dhe çfarë nuk ka mësuar nxënësi.

Ka për qëllim të gjejë pse nuk është arritur përvetësimi i ndonjë koncepti. Për të bërë vlerësimin diagnostikues, mund të përdoren me sukses pyetjet e mbyllura (objektive, të cilat do të sqarohen më poshtë se çfarë janë).


Vlerësimi përmbledhës bëhet në fund të një numri temash, njësish, detyrash e kapitujsh ose në fund të një periudhe të caktuar kohe, p.sh., në fund të një semestri apo në fund të vitit. Ai dallon se çfarë kanë arritur të përvetësojnë ose të bëjnë nxënësit.


Vlerësimi formues dhe ai diagnostikues parapërgatitin atë përmbledhës. Ky bëhet në përputhje me objektivat mësimore. Forma më e përhapur e tij është testimi. Në të përmbahen kërkesa ose pyetje të llojeve të ndryshme të formuluara nga mësuesi.

Mësuesi i kujdesshëm parashikon disa vlerësime përmbledhëse gjatë vitit.


Vlerësimi motivues ka për qëllim të nxisë interesin dhe dëshirën e nxënësve për të vazhduar më tej. Nëse përcaktohen objektiva të saktë e të qartë për një njësi mësimore ose dhe më gjerë, nxënësi sheh vetë arritjet e tij. Kjo përbën një kënaqësi dhe nxitje të dëshirës së tij për më shumë përparim. Nga këto arritje nxënësit mund të vetëkënaqen, por edhe mund të kënaqin të tjerët. Që të arrihen këto objektiva në vlerësim dhe që nxënësit të mobilizohen dhe të ndjejnë kënaqësinë e arritjes së tyre, ato duhet të jenë pak mbi mundësitë mesatare të nxënësve.


Vlerësimi bazohet në: Ç’thonë, ç’shkruajnë dhe ç’bëjnë nxënësit. Nga kjo përcaktohen edhe format kryesore të vlerësimit. Për vlerësimin e njohurive, aftësive dhe sjelljes së nxënësve ka një sërë teknikash. 


Gjashtë teknikat e vlerësimit janë: 

1. Vlerësimi me shkrim.

 2. Vlerësimi me gojë.

 3. Vlerësimi me anë të dëgjimit.

 4. Vlerësimi praktik.

 5. Vlerësimi me anën e pyetësorëve të nxënësve.

 6. Vlerësimi i projekteve, punëve kërkimore dhe i punëve në terren.


Në këtë material trajtohet një nga teknikat e vlerësimit me shkrim, atë me anë të testeve.


Çfarë është testimi?

Testimi është ecuria e kryerjes së matjeve sipas një synimi ose objektivi të caktuar. Testimi pasohet nga vlerësimi. Ajo që u mat, duhet të vlerësohet. Pra testimi dhe vlerësimi janë dy koncepte dhe ecuri të ndryshme, por të pandara nga njëra-tjetra.


Llojet e pyetjeve në teste.

Në këtë material do të paraqiten disa nga pyetjet që mund të përdoren në testet përmbledhëse. Mjaft mirë një pjesë e tyre mund të përdoren edhe në teste formuese e diagnostikuese.


Pyetjet janë dy llojesh: të mbyllura dhe të hapura.

Të mbyllura (ose objektive) janë ato pyetje për të cilat mund të jepet vetëm një përgjigje.

Të hapura (ose subjektive ) janë ato pyetje që kërkojnë përgjigje origjinale. Nxënës të ndryshëm mund të veprojnë në mënyra të ndryshme për dhënien e përgjigjes. Në të tilla raste përgjigjet e nxënësve mund të jenë nga dy fjali deri në disa faqe, p.sh.: në lëndët shoqërore.



Në rastin e parë nxënësi nuk ka mundësi të mbajë qëndrimin e tij personal, sepse përgjigjja është e vetme. Në të dytin ai është i lirë të zgjedhë e të zgjidhë, pra t’i përgjigjet pyetjes duke shprehur jo vetëm njohuritë, por dhe qëndrimet, gjykimet e ndjenjat e tij.


Shembuj të pyetjeve të mbyllura (objektive), të cilat mund të përdoren në vlerësimin e koncepteve në lëndën e biologjisë me anë të testeve.

1. E vërtetë, e gabuar ( Po ose Jo) Në pohimet e mëposhtme shënoni “Po” ose “Jo”.

Po - Jo Fotosinteza është një proces që kryhet nga bimët.

Po - Jo Gjatë fotosintezës çlirohet energji.

Po - Jo Gjatë fotosintezës thithet dyoksid karboni.

Po - Jo Fotosinteza ndodh në mitokondri.

a) V – G Pjalmimi i vezës së një bime nga pjalmi i bimës tjetër quhet vetëpjalmim.

b) V – G Gjatë mejozës formohen qeliza haploide.

c) V – G Efekti i gjenit të fshehtë (recesiv) duket në organizmat heterozigotë.

d) V – G Qelizat riprodhuese quhen gameta.

Këto pyetje përdoren në mënyrë të kufizuar, sepse mundësia e gjetjes së përgjigjes së saktë, kur nxënësi nuk është i sigurt për të, është 50 %.

2. Pyetje me zgjedhje të shumëfishtë (ose alternative).

Jepet një pyetje a pohim i paplotë dhe disa përgjigje, ku njëra është e saktë dhe të tjerat detyrimisht të gabuara.

P. sh.: Gjeni përgjigjen e saktë:

Kromozomet e qelizave bija:

a. Që lindin nga mitoza janë të njëjta me ato të nënës;

b. Që lindin nga mitoza janë të ndryshme nga ato të nënës;

c. Që lindin nga mejoza janë të ndryshme nga ato të nënës;

d. Që lindin nga mejoza janë të ngjashme nga ato të nënës.

3. Pyetje objektive me “çiftim”.

Teknika e çiftimit konsiston në hartimin e dy listave, ku nxënësve u kërkohet të bëjnë lidhjen midis elementeve të listës A me të listës B. Këshillohet që njëra nga listat (zakonisht e djathta) të përmbajë më shumë elemente nga lista tjetër. Krijimi i listave sigurisht ka kërkesë radhitjen e atyre elementeve, të cilat kanë lidhje të ndërsjellë.

P.sh.: Gjeni përkatësinë:

1. Pjesë e qelizës që rregullon hyrjen dhe daljen e lëndëve nga bërthama. a) kloroplastet.

2. Pjesë e qelizës që rregullon hyrjen dhe daljen e lëndëve përmes saj. b) bërthama.

3. Gjallesa që nuk kanë membranë bërthamore. c) qeliza.

4. Pjesë e qelizës që kontrollon gjithë veprimtarinë e saj. d) membrana bërthamore.

5. Njësia themelore e gjallë e të gjitha gjallesave. e) bakteriet.

6. Pjesë e qelizës që shërben për kapjen e energjisë diellore. f) membrana qelizore.

Përgjigje: 1 (d), 2 (f), 3 (e), 4 (b), 5 (c), 6 (a)

4. Me plotësim të përgjigjes.

Në pyetje të tilla duhet të plotësohet përgjigja, pasi ajo nuk është e plotë.

P.sh.:

1. Kafshët që ushqehen me bimë, quhen………………(barngrënëse).

2. Cipa që vesh gjithë sipërfaqen e trupit tonë quhet……….( lëkurë).

3. Lëndët ushqyese dhe ujin bima i merr me anë të…………(rrënjëve). etj.

5. Me përgjigje të shkurtër.

Në ndryshim nga plotësimi i përgjigjes, nxënësi duhet t’i japë përgjigjen e saktë pyetjes:

P. sh.:

1. Çfarë janë organelat?

2. Në cilin sistem organesh futet zemra? etj.


Kujdes

Para testimit duhet bërë një model, i cili t’u tregohet nxënësve se si do të bëhet testimi. Caktohen më parë qëllimet e testimit për të kaluar më pas në zhvillimin e tij. 


Vlerësimi mund të jetë individual ose në grup.

Në rastet kur testet hartohen me pyetje të llojeve të ndryshme, ato grupohen sipas llojit të tyre, p.sh., pyetjet me zgjedhje të shumëfishtë bashkë, ato me çiftim bashkë e kështu me radhë.


Është mirë që pyetjet në test të renditen sipas shkallës së vështirësisë së tyre.

Numri i pyetjeve në test varet nga ajo ç’ka duhet testuar (një mësim, një kapitull apo një koncept.) Përparësitë dhe mangësitë e testeve me zgjedhje të shumëfishtë.

Përparësitë janë: 

• Shpenzohet më pak kohë për përgjigje.

• Ka mundësi që me këto pyetje të kontrollohet një sasi e madhe lënde.

• Lejojnë pikëzim e korrigjim të lehtë.

• Testet me pyetje me zgjedhje të shumëfishtë mund të hartohen për një nivel të nxënësve.


Mangësitë janë:

• Krijon mundësi për të hartuar teste të dobëta.

• Kërkohet prej nxënësve vetëm një akt i thjeshtë miratimi dhe jo arsyetime e shpjegime, gjë e cila mund të ndikojë për ata gjatë studimit që të kenë përqendrim më të lartë në faktet krahasuar me kuptimin e thellë të materialit.

• Ka mundësi që nxënësi të godasë në shenjë me hamendje dhe jo duke përdorur njohuritë, duke pasqyruar kështu një rezultat më të lartë se njohuritë reale të nxënësve. 


Disa udhëzime për vlerësimin

Është e domosdoshme që mësuesi të mos përdorë vetëm një formë vlerësimi, por larmi formash. Ato duhet t’u krijojnë nxënësve mundësi të vlerësohen në atë mënyrë që është e përshtatshme për çdo individ. Ky është tipar i shkollës demokratike. Kështu, p. sh.: Një nxënës përgjigjet më mirë me gojë, një tjetër me shkrim, njëri i shpreh bukur dhe me emocion mendimet në një pyetje të hapur, një tjetër jo, dhe e ka më të lehtë në pyetjet e mbyllura etj.


Vlerësimet e përfundimeve të nxënësve të trajtohen me kompetencë e jo si mesatare aritmetike e notave të vlerësimit formues.


Të kihet parasysh që përparimi i nxënësit dhe një gjykim përmbledhës në përfundim të periudhës, bazuar në objektiva, përbën vlerësimin përfundimtar. Vonesat e dhënies së përfundimeve të vlerësimit dhe analiza e tyre nga mësuesi, e ulin shumë vlerën e korrigjimit të gabimeve.


Shënimet të jenë të thjeshta, por të pasura. Është e domosdoshme që përveç regjistrit të klasës, mësuesi të mbajë shënime të tjera për punën e çdo nxënësi. Ato ndihmojnë në njohjen dhe në vlerësimin e punës së çdo nxënësi, në diagnostikimin dhe në riparimin e vështirësive dhe lehtësojnë vlerësimet përmbledhëse.


(Portali Shkollor)

26,799 Lexime
6 vjet më parë