të nxënit

Vlerësimi i portofolit të nxënësit

Përdorimi i portofolit si arkivues dhe seleksionues i detyrave, ndikon në një të nxënë të thellë, duke krijuar mundësi për të integruar njohuritë e mëparshme dhe konsideruar të nxënit e mëparshëm në situata të ndryshme.

Procesi i krijimit të portofolit përmirëson mundësitë për një mënyrë të re të të nxënit. Zakonisht, gjatë procesit tradicional të të nxënit synohet memorizimi i fakteve apo i informacioneve. Përdorimi i portofolit si arkivues dhe seleksionues i detyrave, ndikon në një të nxënë të thellë, duke krijuar mundësi për të integruar njohuritë e mëparshme dhe konsideruar të nxënit e mëparshëm në situata të ndryshme.


Si pjesë e këtij procesi nxënësi inkurajohet të shohë mbi detajet e njohjes. Nëpërmjet plotësimit dhe dokumentimit të detyrave përfshihen shumë aftësi të akumuluara duke e bërë nxënësin të ketë një këndvështrim më të gjerë.


Të menduarit për portofolin e aftëson nxënësin të zhvillojë të mësuarit të bazuar në platformë (platformën për portofolin e vet).


Ka disa hapa për zhvillimin e portofolit të të nxënit, të cilat përgjithësisht varen nga funksioni që ka portofoli në lidhje me:

• procesin e të nxënit;

• vlerësimin e arritjeve;

• motivimin e nxënësit;

• orientimin e nxënësit.


Procesi i hartimit të portofolit përcaktohet gjithashtu nga:

• karakteristikat e lëndës;

• niveli i shkollimit/ mosha e nxënësve;

• natyra e kompetencave kyçe;

• procesi i reflektimit dhe i vetëvlerësimit të nxënësit.


Karakteristikat e portofolit ndikohen gjithashtu nga cikli i shkollimit, si dhe roli që ka mësuesi në procesin e drejtimit të zhvillimit të përmbajtjes, menaxhimit dhe mbajtjes së portofolit.


Karakteristikat e portofolit të të nxënit:

• reflekton rezultatet e identifikuara të nxënësit bazuar në pritshmëritë e RN të kurrikulës;

• përqendrohet në përvojat e të nxënit të nxënësve të bazuara në performancë, si dhe në

• përvetësimin e kompetencave kyçe (njohurive, aftësive dhe qëndrimeve);

• përmban shembuj të punës që shtrihet gjatë gjithë vitit shkollor dhe jo në disa ditë të shkëputura të vitit;

• përmban produkte të punëve të nxënësve që përfaqësojnë një shumëllojshmëri rezultatesh për t’u vlerësuar;

• përmban një shumëllojshmëri të modeleve të punës dhe vlerësimet e kësaj pune nga vetë nxënësit, shokët, mësuesit e tjerë, prindërit etj.

• Portofoli duhet të përmbajë disa rubrika të cilat vendosen nga mësuesi dhe strukturohen nga mësuesi dhe nxënësi. Rubrikat e portofolit duhet të jenë të njëjta për çdo nxënës.

• Përcaktimi i rubrikave buron nga funksioni që ka portofoli për të nxënin,si dhe procesin e vlerësimit. Pra, vihet theksi në elemente që nuk arrijnë të vlerësohen përgjatë vlerësimit të vazhdueshëm dhe vlerësimit përfundimtar.


Rubrikat e portofolit të nxënësit përcaktohen nga mësuesi. Sugjerohet që një portofol të

përmbajë:

• shembuj të detyrave;

• projekte, punë krijuese apo punime tematike të nxënësit;

• fletë apo shënime të vetëvlerësimit dhe të reflektimit të nxënësit për përparimin e tij;

• fletë vlerësime nga prindi, shokët, mësuesit etj.


1 . Përderisa portofoli është individual dhe demonstron procesin e të nxënit duhet të ketë një autobiografi të nxënësit. Në ciklin fillor CV paraqitet nëpërmjet një përshkrimi të thjeshtë me pak shkrim dhe shoqëruar me figura. Për ciklin e mesëm të ulët duhet të jetë e strukturuar në formën e një CV-je të thjeshtë profesionale. Ky dokument është i njëjtë për të gjitha lëndët.


2. Portofoli i nxënësit duhet të përmbajë detyra/ punë/ projekte të nxënësve që tregojnë kompetencat apo rezultatet e të nxënit për t’u arritur në një lëndë. Këto kanë rëndësi të dokumentohen të njëjtat për çdo nxënës, në çdo lëndë, sepse bëjnë të vetëdijshëm nxënësin dhe informojnë prindin për atë që pritet të arrijë nxënësi, drejtojnë të nxënit drejt arritjes dhe nxisin procesin e reflektimit të të nxënit bazuar në kritere të qarta.


3. Portofoli i nxënësit duhet të përmbajë punime dhe projekte që nxënësi i ka bërë vetë, në mënyrë të pavarur ose në bashkëpunim me të tjerët, i nxitur nga tema të ndryshme mësimore, nga interesa personale dhe situata nga jeta e përditshme.


4. Portofoli i nxënësit duhet të përmbajë vetëvlerësime të nxënësit; vlerësime nga shokët, prindërit etj.


Vlerësimi i portofolit

Që portofoli të jetë efektiv duhet të përmbajë një element reflektues/ krahasues, ku nxënësi të krahasojë, të analizojë dhe të gjykojë për pikat e tij të forta dhe të dobëta. Duke qenë se portofoli i të nxënit është një koleksion i punimeve të nxënësit për të dëshmuar zotërimin e kompetencave (të njohurive, shkathtësive dhe qëndrimeve), punimet individuale në një portofol janë shpesh të referuara si "objekte".


Pra, mësuesi duket të përcaktojë jo vetëm çfarë, por edhe si duhet të jetë “objekti” që do të përmbajë portofoli.


Rubrikat e portofolit përcaktohen edhe nga lloji i vlerësimit. Vlerësimi i nxënësit bazuar në portofol, mund të jetë i orientuar nga “procesi” ose “produkti”. Në rastin kur vlerësimi i portofolit orientohet nga procesi, synohet gjykimi i përparimit të nxënësit p.sh. përgjatë një tremujori, viti akademik, shkalle kurrikule etj. Në raste të tilla, nëpërmjet portofolit dokumentohet ecuria e procesit të të nxënit nëpërmjet studimit të evidencave në fillim, gjatë dhe në fund të periudhës së përcaktuar. Nëpërmjet kësaj mënyre, evidentohen si arritjet e nxënësit, ashtu edhe mangësitë apo vështirësitë individuale.


Në këtë rast rubrikat e portofolit i referohen temave mësimore, rezultateve të të nxënit (RN) ose kompetencave për një periudhe të caktuar kohore. Pra, nëse i referohemi RN-ve, do të thotë që portofoli për çdo RN duhet të dokumentojë një punë të nxënësit në fillim, gjatë dhe në fund të realizimit të RN-së. Kështu si nxënësi, prindi, mësuesit apo nxënësit e tjerë shohin se si njohuritë dhe aftësitë kanë ndryshuar.


Në rastin kur vlerësimi i portofolit orientohet nga produkti, kemi një koleksion të punëve të nxënësit të konsideruara si më të mirat. Qëllimi në këtë rast është motivimi dhe pavarësia e nxënësit për të dokumentuar dhe reflektuar më shumë bazuar në nivelet e arritjes.


Lehtësimi i këtij procesi mund të kryhet në mënyra të ndryshme, p.sh. nxënësi mund të lihet i lirë të zgjedhë dhe të vendosë se cilat nga punët/ detyrat do të koleksionojë. Mësuesi mund të vendosë disa parametra se çfarë duhet të përmbajë portofoli dhe çfarë kriteri duhet të plotësojë detyra që të përfshihet në portofol.


Ky model portofoli nxit rritjen e përgjegjësisë së nxënësit për punë cilësore në kryerjen e detyrave. Detyrat në këtë rast duhet të shoqërohen me vetë reflektim dhe vetëvlerësim nga ana e nxënësit.

Të dy llojet e portofoleve mund të përdoren në të gjitha nivelet e shkollimit. Portofoli i orientuar nga procesi përdoret më shumë në arsimin parashkollor dhe fillor. Mësuesit në këto nivele kanë prirje të jenë më të interesuar dhe të përqendruar në zhvillimin dhe në rritjen individuale të fëmijës.


Portofoli i orientuar nga produkti është më i zakonshëm në klasat e larta, për dy arsye:

• kërkesat e larta për vlerësim të nxënësit kërkojnë mësim të orientuar nga produkti;

• nxënësit më të rritur, në përgjithësi, kanë më shumë pjekuri dhe aftësi për të zgjedhur punën e tyre më të mirë si dhe të angazhohen në vetë reflektim më të thellë.


Vlerësimi i portofolit nga mësuesi realizohet nëpërmjet këqyrjes individuale ose nëpërmjet prezantimit “publik” para një paneli të përbërë nga moshatarë, mësues të profileve të ndryshme, prindër, anëtarë të tjerë të komunitetit etj. Kjo e fundit zhvillon veç të tjerash edhe aspekte të komunikimit, shkëmbimit, argumentimit dhe mbajtjes së përgjegjësisë.


Për të realizuar vlerësimin e portofolit mund të ndiqen mënyra si më poshtë:

• nxënësit mund të paraqesin të gjithë ose pjesë të portofolit të tyre;

• në disa raste, nxënësit mbrojnë punën e tyre;

• në raste të tjera, nxënësit i shfaqin punimet e portofolit të tyre në formë ekspozite;

• në raste të tjera nxënësit zhvillojnë një pjesë të portofolit të tyre duke reflektuar interesat individuale akademike apo të karrierës.


Rëndësia e prezantimit qëndron në krijimin e një lidhjeje në mes nxënësve dhe komunitetit. Nxënësit rrisin vëmendjen për cilësinë dhe njëkohësisht është një mënyrë për të përfshirë më thellë në procesin e të mësuarit komunitetin, veçanërisht prindërit.


Vlerësimi i portofolit është përfshirë në paketën dhe rregulloren e vlerësimit për arsimin e mesëm të ulët.


Portofoli lehtëson vënien e notës, realizon vlerësim objektiv, si dhe plotëson procedurat tradicionale të vlerësimit.


Nxitja e vetëvlerësimit si pjesë përbërëse e vlerësimit të portofolit, krijon sa një klimë konkurruese ndërmjet nxënësve, po aq edhe përmirësimin e vetë nxënësit në ato drejtime që ai i evidenton si problematik.


Shembull: Rubrika e vlerësimit të portofolit

Rezultati i vlerësimit duhet të pasqyrojë përmbushjen e elementeve bazë që kërkohet të vlerësohen.


Përzgjidhen të paktën 4 komponentë/çështje apo grup çështjesh që do të përfshihen në vlerësim si p.sh.:

• detyrat e shtëpisë;

• projektet apo detyrat për tema/ RN/ kompetenca;

• raporte të vëzhgimeve/ punët praktike, punët laboratorike etj.;

• raporte/ përmbledhje javore të veprimtarive të kryera nga nxënësi.

Çdo çështje është notuar me 4 nivele1 (nga 1 te 4). Çdo nivel mund të ketë maksimumi 25 pikë dhe totali është 100 pikë.


Procedura / hapat për konceptin e vlerësimit të bazuar në portofol 


Për hartimin e një instrumentit të vlerësimit (listë kontrolli), zakonisht ndiqen hapat e

mëposhtme:


• analizohen RN-it për të cilat do të vlerësohet nxënësi;

• përcaktohen kompetencat për të cilat do të vlerësohet nxënësi nëpërmjet portofolit;

• përcaktohen detyrat që duhet të realizojë nxënësi për t’u vlerësuar;

• analizohen proceset/ detyrat duke theksuar kërkesat (aspektet) më të rëndësishme të tyre;

• hartohet lista e kërkesave që duhet të përmbushë nxënësi nëpërmjet portofolit gjatë vlerësimit;

• përcaktohet skema e vlerësimit (rubrika e vlerësimit), pra pesha që ka në vlerësim secila nga kërkesat;

• strukturohet instrumenti i vlerësimit (listë kontrolli) duke vendosur edhe të dhëna të përgjithshme, si emri i nxënësit, kërkesat për proceset/ detyrat, rezultatet maksimale të mundshme (peshat), rezultatet e arritura, vlerësimi i plotë.


Struktura (formatet) e instrumenteve të vlerësimit janë nga më të ndryshmet dhe mësuesi ka pavarësi dhe fleksibilitet në konceptimin dhe hartimin e tyre.


Në vëmendje të mësuesit:


• Portofoli i të nxënit mund të përdoret në të gjitha nivelet e edukimit;

• Në klasën përgatitore dhe në arsimin fillor nxënësi ka portofolin e tij të të nxënit, të cilin e mban në klasë dhe herë pas here e rishikon për ta përmirësuar dhe plotësuar.

• Në AMU dhe AML nxënësi e mban vetë portofolin për të gjitha lëndët dhe vitet;

• Në disa raste, portofolet bëhen pjesë e përshkrimit (CV) të nxënësit dhe mund të përdoret në punë dhe në rastin e aplikimit për shkollë apo për ndërrimin e saj.

• Mësuesi mban portofolin e tij, ku krahas shumë materialeve koleksionon dhe kontributet e nxënësit. Kjo është një mënyrë për të krahasuar të dhënat.


(Portali Shkollor)

27,401 Lexime
6 vjet më parë