reflektim

“Vrasja e Leandro Shametajt dhe krimet që i bëmë të gjithë” – Ardi Stefa

Një thirrje për ndërgjegje ndaj një tragjedie që prek çdo prind e mësues. Një 17-vjeçar humb jetën, por pas tij fshihet dështimi ynë kolektiv: fëmijët që punojnë, shteti që hesht dhe shoqëria që harrron.

Nga Ardi Stefa


Një 17-vjeçar, Leandro Shametaj, u vra parmbrëmë në Vlorë nga një shofer i papërgjegjshëm që ecte me Porche si në pistë të Formula 1, jo në një qytet me njerëz, dritë e fëmijë.

Një tragjedi që tronditi jo pak rrjetet sociale, ndezi zemërimin për disa orë për t’u shuar e kaluar në harresë pas disa ditësh. 

Një 17-vjeçar, humbi jetën në mes të Vlorës. Një tjetër emër në listën e pafundme të viktimave që prodhon papërgjegjshmëria, arroganca dhe shteti që s’ka më ndjenja.

E megjithatë, kjo nuk është një tragjedi e vetme, është një shumatore krimesh që fillojnë shumë përpara përplasjes fatale dhe vazhdojnë edhe pas saj.

Pas kësaj ngjarjeje nuk fshihet vetëm një aksident. Fatkeqësisht fshihet një zinxhir krimesh, të vogla e të mëdha, që bëjnë një shoqëri të sëmurë dhe një shtet pa shpirt.


Sa krime kishte në ikjen e Leandros?


Kur fëmijët punojnë e shteti fle apo shikon në drejtim tjetër, këtu fillon krimi i parë. 

Leandro ishte 17 vjeç. Një adoleshent që duhej të ishte në shkollë, në ndonjë palestër, në ndonjë kurs, apo thjesht në shtëpi me familjen. Por jo, ai po punonte. Siç punojnë me mijëra fëmijë askush s’çuditet!

Punojnë për të ndihmuar familjen, për të blerë telefonin, për të pasur pak dinjitet ekonomik, për të mos ndjerë turpin e varfërisë.

Por prapa çdo "pune fëmije" fshihet dështimi i një sistemi që nuk i mbron të miturit, që nuk u ofron perspektivë, që u mëson më shumë me rraskapitjen sesa dijen.

Në këtë dështim jemi të gjithë bashkëfajtorë: prindërit që e lejojnë, punëdhënësit që përfitojnë, dhe shteti që nuk sheh, nuk dëgjon, nuk vepron.

Në këtë histori ka një tjetër autor krimi: ai që e punësoi Leandron.

Ndoshta pa kontratë, ndoshta pa sigurime, ndoshta pa asnjë kujdes për faktin se përballë kishte një të mitur.

Ky është një abuzim që në çdo vend tjetër do të quhej shfrytëzim i fëmijëve, por këtu quhet “ndihmë”, “punë ndershme”, “mësohet me jetën”.

Por jeta nuk duhet të mësohet me punë që rrezikojnë jetën, me papërgjegjshmëri e me moskokëçarje.

Në këtë vend, të miturit punojnë në ndërtim, në furra, në lavazhe, në bare, ndërsa shteti shet slogane për "arsim profesional" dhe "të ardhme europiane". Ironi e hidhur.

Familja, me gjithë dashurinë dhe sakrificën e saj, shpesh është bashkëfajtore me e paditurinë e saj.

Kur lejon një fëmijë të ngasë motorin pa patentë, pa mbrojtje, në një qytet ku trafiku është si minë me sahat, i vë jetën në rrezik.

Jo nga keqdashja, por nga bindja se “S’ka gjë!”, “Është djalë i zgjuar!”, “Kujdeset vetë!”.

Por kujdesi nuk mjafton në një vend ku çdo rrugë është një pistë, çdo drejtues një rrezik ndërsa policët spektatorë.

Autori i ngjarjes ishte nën efektin e alkoolit, ndoshta edhe të drogës, në një Porche që përfaqëson gjithçka që ky vend adhuron: para, pushtet, arrogancë. Ky është krimi i katërt: shoferi që vret dhe policia që nuk ndalon.

Ai vrau jo vetëm Leandron, por edhe çdo iluzion se ligji ekziston për të gjithë.

Sepse në Shqipëri, ai që ka makinë luksoze nuk është qytetar: është perëndi rrugësh.

Dhe policia? E zënë me radarë që s’punojnë, me patrulla që ndalojnë për ryshfete, jo për parandalim e dënim.

Prandaj në Shqipëri shpejtësia është krenari dhe viktimat janë të paracaktuara.


Krimi i pestë: shteti që vret edhe pas vdekjes


Trupi i Leandros qëndroi për tetë orë në morg, pa mundur familja të tërheqë trupin. Arsyeja: “Mjeku ligjor është në Fier.” Ky është krimi i pestë: Shteti që vret edhe pa vdekjes.

Tetë orë pritje për një nënë që kërkonte të birin. Tetë orë ftohtësi, burokraci, cinizëm.

Një shtet që s’e di as si të sillet me trupin e një të vdekuri, si mund të sillet me jetën e të gjallëve?

Ky nuk është vetëm neglizhencë administrative, është mungesë humanizmi.

Një tjetër krim në këtë histori, që s’është as e para e s’do të jetë as e fundit është ai që është bërë nga shteti që ka vrarë shpresën, është krimi i një shteti që ka shkatërruar arsimin, ekonominë dhe moralin.

Një shteti që i ka detyruar të rinjtë të punojnë në moshën kur duhej të mësonin, të largohen kur duhej të ndërtonin, të dorëzohen kur duhej të ëndërronin.

Një shtet që nuk të vret me armë, por me varfëri, padrejtësi dhe pafuqi.

Dhe pastaj, ka edhe një krim që s’e bën dot as Porche, as shteti, por e bëjmë ne: heshtja jonë.

Ne që e lexojmë lajmin, ndjejmë dhimbje për pesë minuta, dhe kalojmë te videoja tjetër.

Ne që jemi mësuar me vdekjet, me aksidentet, me padrejtësitë.

Ne që i quajmë “tragjedi”, por jo “turp”.

Ne që i kemi vrarë ndjenjat dhe e kemi zëvendësuar reagimin me indiferencë.

Leandro u vra në mes të një qyteti, por në fakt u vra në mes të një shoqërie të ftohtë.

Një shoqërie ku fëmijët punojnë, të rriturit justifikohen, shteti hesht dhe kriminelët qeshin.

Në këtë vend, askush s’mund të thotë “Nuk kam faj!”, sepse secili prej nesh ka ndihmuar, në një mënyrë a tjetër, që kjo vdekje të ndodhte.

Leandro nuk është vetëm një viktimë. Është pasqyra ku duhet të shohim fytyrën tonë: të lodhur, të heshtur, fajtore.

Dhe ndoshta, në vend të një “U prehtë në paqe!” apo “Gëzo me engjëjt!”, është koha të themi: të ringjallet ndërgjegjja jonë. Sepse pa të, vrasjet do të vazhdojnë.

p.s: Këto radhë i shkruaj si prind, si mësues, si qytetar.

© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

453 Lexime
5 orë më parë