Zëri i injoruar i nxënësit të shkëlqyer...
Në shkrimin e tij, Evans Drishti tregon frustrimin e një nxënësi të talentuar që ndihet i injoruar nga drejtuesit dhe shokët. Ai kërkon hapësira diskutimi, zhvillim jashtëshkollor dhe mundësi për të shprehur zërin e tij, duke sfiduar heshtjen rreth tij.
Nga Evans Drishti
Unë po rritem me të shpejtë, por ju drejtuesit tanë po kapërceni symbyllurazi kohën duke kapërcyer edhe intelektin tonë.
Unë jam nxënësi më i mirë i klasës. Kështu më njohin që të gjithë. I tillë kam qenë që kur isha në klasë të parë. I tillë vazhdoj edhe sot, që jam në përmbyllje të ciklit të 9-vjeçares.
Ç’është e vërteta, nuk është se shkoj me shumë kënaqësi në shkollës, siç kam shkuar me shumë dëshirë pak vite më parë. Jo pse shkollën nuk e dua. Përkundrazi, shkollimi më pëlqen së tepërmi, por sepse interesimi ndaj cilësisë për fat të keq sa vjen dhe po shuhet.
Por ajo që më dhemb më së shumti është fakti se në një klasë me më shumë se njëzet veta, nxënës me nivel të lartë jemi vetëm tre vetë, ndërsa të tjerët janë poshtë nivelit të mesatares. Për rrjedhojë mësuesit hasin vështirësi në menaxhimin e klasës, pasi një pjesë e “shoqërisë” së klasës as që duan t’ia dinë për njohuritë shkollore, e si të tillë nxjerrin përherë probleme të ndryshme. Në fakt, jo se janë të këqij, por dëshirojnë thjesht dhe vetëm të luajnë, gjë e cila u është hequr nga ky sistem arsimor në të cilin jemi duke u shkolluar.
T'i heqësh një fëmije lojën është si t’i shkulësh nga shpirti dhe mendja fëmijërinë, gjënë më sublime që ka në jetë.
Unë si nxënës i dhjetave banoj në fshat, dhe në zonën ku banoj, sikurse në shumë zona të tjera fatkeqësisht nuk ka asgjë argëtuese për ne. Për rrjedhojë, i vetmi mjet argëtues mbetet telefoni, për të cilin nuk reshtin ankesat e të mëdhenjve. Klasa shpeshherë kthehet në një koshere grethash e bletësh, që vërtiten pa reshtur sa andej-këndej duke mos ditur se çfarë kërkojnë.
Unë e di se çfarë kërkoj, por ja që në të shumtën e rasteve nuk më jepet hapësira e duhur për të patur diskutime me vlerë për temat e ndryshme që trajtohen në libra.
Dëshiroj të diskutoj për tema të ndryshme, por niveli i ulët nuk e mundëson një hapësirë të tillë.
Dëshiroj të shtjelloj mendime dhe arsyetime të vlefshme që na lidhin natyrshëm me përditshmërinë dhe zhvillimin tonë, por fatkeqësisht me t’u hapur një qasje e tillë, hasen pengesa nga pjesa tjetër dërrmuese, që as nuk duan t’ia dinë se për çfarë flitet.
Dëshiroj të dal përtej ambientit rutinë të klasës, të marr pjesë në organizime dhe evente të larmishme, në mënyrë që ta zhvilloj sa më shumë veten, por ja që të tilla hapësira janë tejet të kufizuara edhe në shkollë.
Dëshiroj të shoh një program televiziv argëtues për moshën time, por s’gjej asgjë prej gjëje që të më vihet në ndihmesë.
Dëshiroj të kem hapësira argëtuese në vendin ku jetoj, por ato mungojnë prej dekadash.
Dëshiroj që të kem hapësirën time në media, ku të kem mundësi të shprehem dhe të diskutoj me bashkëmoshatarët për të ardhmen time, por fatkeqësisht kronikat e zeza me në fokus adoleshentët problematikë po marrin vëmendjen më të madhe, duke na lënë ne, më të mirët, të strukur në një qoshe pa zë dhe pa figurë.
Dëshiroj që zëri im të dëgjohet në shkollë, në rrethe jashtëshkollore, në vendimmarrje lokale dhe qendrore, pasi për këtë po mësoj dhe po zhvillohem, por zëri im ngelet i mbytur në këtë zhurmnajë që po na mbulon dita - ditës.
Dëshiroj të dal përtej fshatit dhe qytetit për t’u aktivizuar në rrjete të ndryshme shkencore, sociale e kulturore, por mundësitë ekonomike të familjes janë të pamjaftueshme.
Unë jam një filiz i ri i kësaj shoqërie, për të cilën dëgjoj edhe biseda familjare apo në disa emisione televizive, që kërkohen elementet e rinj si e ardhmja e këtij vendi.
Po përse nuk i hidhni sytë nga ne?
Përse na lini në heshtje?
Përse nuk na organizoni në evente të ndryshme, që edhe unë dhe të tjerët sikurse unë ta ndjejmë veten se jemi pjesë e kësaj shoqërie dhe se dëshirojmë të dëshmojmë veten tonë për aq sa vlejmë dhe japim?
Teksa shoh prindërit e mi të preokupohen vazhdimisht për mësimet e mia, habitem dhe ndjej keqardhje, përse prindërit e shokëve dhe shoqeve të tjera të klasës, e në përgjithësi nuk shfaqin asnjë lloj interesimi për notat e ulëta që fëmijëve të tyre dhe mungesën e një zhvillimi tek ta.
Unë po rritem me të shpejtë, por ju drejtuesit tanë po kapërceni symbyllurazi kohën duke kapërcyer edhe intelektin tonë.
Gjithçka që unë dua dhe më duhet s’është thjesht dhe vetëm një orë mësimore rutinë, por çdo gjë përtej saj.
Aty do njihni aftësitë e mia, aty do peshoni vlerën time, aty do gjeni balancën e jetës.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
3 gjimnazistët shqiptarë krijojnë "Shkopin Inteligjent" për njerëzit me probleme me shikimin
Forbes: "Nuk ka më mësues të rinj, kriza epike që po përballet e gjithë bota në vitin 2024"
Të jesh i martuar me një mësues/e