23+1 pleonazma që mund t’i lëmë në 2025-ën – Nga Xhoina Salaj, redaktore

Me zgjuarsi dhe plot humor redaktorja, Xhoina Salaj, sjell një artikull mbi pleonazmat, shprehjet e tepërta, që kanë kuptim të njëjtë ose shumë të afërt. Përdorimi i panevojshëm i tyre na bën të shkruajmë e të flasim jo me cilësi.

Si fillim, ç’janë pleonazmat?


pleonáz/ëm,-mi: emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; -ma(t) term në letërsi; shprehje me disa fjalë me kuptim të njëjtë ose shumë të afërt (p.sh. ishte shumë plak, i vjetër, i thyer); / i ligjërimit libror; përdorim i panevojshëm i fjalëve të tepërta ose i fjalëve me kuptim të njëjtë. Njihen edhe me emrin: tautologjí,-a emër i gjinisë femërore; numri shumës; -(të) term special ose në disa fusha; përsëritja e së njëjtës gjë me fjalë të tjera.


1. Hyri brenda

-ke hyrë ndonjëherë jashtë?


2. Doli jashtë

-dalja ka vetëm një drejtim.


3. U kthye mbrapsht

-u kthye... kaq. Mbrapsht vjen e paftuar.


4. Pakicë minoritare

-pakica është minoritare me profesion, s’ka nevojë për CV.


5. Bashkëpunim i përbashkët

-bashkëpunimi solo ende s’është shpikur.


6. Në kuadër të kontekstit

-shumë fjalë për asgjë.


7. Periudhë kohore

-periudha nuk i ndahet kohës, pa merak.


8. Në vazhdim e sipër

-ose është në vazhdim, ose s’është.S’ka rrugë të mesme.


9. Histori e kaluar

-historitë për të ardhmen janë parashikime.


10. Aspekt kryesor

-aspekti kryesor i teprisë gjuhësore.


11. Marrje masash përkatëse

-tingëllon serioze, s’thotë asgjë. Përkatëse për kë?


12. Dhënie kontributi

-kontributi parapëlqen pak e saktë.


13. Kthehem prapa

-fjali që ecën... por mbrapsht.


14. Ngjitem lart

-Lavdi Perëndive!Imagjino të ngjiteshim edhe poshtë!


15. Bebe e vogël

-bebja e madhe mbase është ndonjë... avatar?


16. Aktualisht për momentin

-aktualisht... është gjithmonë për momentin.


17. Sytë e ballit

-sytë diku tjetër, do të ishin problem serioz mjekësor.


18. Fle gjumë

-faleminderit që e saktësove! E kisha me dyshim, se çfarë saktësisht do të bëje.


19. Zhvillim i procesit

-procesi ose zhvillohet, ose ngec.


20. Prioritet kryesor

-prioriteti i dytë nuk quhet prioritet.


21. Hidhem përpjetë

-hedhja poshtë, ende s’është bërë sport olimpik.


22. Vendim përfundimtar

-nëse s’është përfundimtar, s’është ende vendim


23. Risi e re

-risia e vjetër nuk është më në modë.


24. Thelbi kryesor

-thelbi ka vetëm një qendër.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

180 Lexime
4 orë më parë