OPINION

A e zëvendëson prindi rolin e mësuesit? Nga Artemisa Bushi

Le të mësojmë nga durimi i mësuesve më të mirë. Ajo që na nevojitet është një kontroll i emocioneve dhe i egos që fëmija ynë të jetë më i miri. Kjo do të na ndihmojë pa masë: ne (si prindër) dhe fëmijën tonë.

Disa prindër hasin vështirësi që t’i ndihmojnë fëmijët e tyre në përgatitjen e mësimeve. (E kam fjalën këtu për të gjithë ata prindër që janë të gatshëm dhe kanë një interesim të plotë për këtë.) Kjo lidhet me shumë arsye. 


Prindi është i lidhur fort emocionalisht me fëmijën. Ai pret shumë prej tij. Në këtë rast, egoja, si prind, luan një rol të rëndësishëm dhe ka një ndikim të fortë. Kur punon me fëmijën tënd e ke të vështirë të ruash ekuilibrin mes të qenët i interesuar për të kuptuar dhe të qenët kërkues (madje, shpesh, më shumë se sa duhet). Ne duam që fëmija ynë të japë maksimumin. 


Ky është një reagim prindëror thuajse i pashmangshëm. Në fakt, mirë është që të jemi vërtet të interesuar për atë që ata po bëjnë, ç’përvojë po fitojnë, ç’ndjesi po provojnë dhe përse kanë nevojë. Interesimi do të thotë: t’i përballësh ata për gjithçka, të dëgjosh ç’kanë për të thënë dhe t’u japësh përgjigjet për të cilat kanë nevojë. 


Mirëpo, gjithnjë emocionet na pengojnë. Shpesh ndodh që nuk na pëlqen sa arrin fëmija ynë. Një prind i mençur përpiqet të fshehë çfarë ndien me të vërtetë në këtë rast. Por cilit fëmijë kjo do t’i rrëshqiste nga syri vëzhgues?! Dhe asnjë fëmijë nuk ndihet aspak mirë, nëse kupton zhgënjimin e prindit. Në këtë rast, le të bëjmë sikur merremi me diçka tjetër, në vend që t’i shfaqim këto ndjenja përpara tij. Mund të rrimë ca vetëm, ose të bëjmë ndonjë lojë me fëmijën. Në këtë mënyrë, të dyja palët do të ndiheni më mirë. 


Më e rëndësishmja, një prind duhet të gjejë pak kohë që të mendojë se çfarë pret nga fëmija e tij. Mos ndoshta e shohim atë si shtojcë të vetvetes? Mos ndoshta e shohim si pasqyrë e aftësive tona prindërore? Mos ndoshta duam që të arrijë gjithçka që nuk kemi mundur ta arrijmë vetë, kur kemi qenë në shkollë? Mos vallë, pa e kuptuar as vetë, po përpiqemi të realizojmë mosarritjet tona të dikurshme përmes tij? 


Por nuk duhet të harrojmë se fëmija është i veçantë në llojin e vet. Sa më tepër t’ia ushqejmë këtë ide, aq më shumë rezultate do të arrijë ai. Dhënia e mundësisë për të qenë vetvetja, është një shtysë shumë e fortë.


Shumë prindër ndoshta habiten nga aftësitë mësimdhënëse të mësuesve. “Nuk di si ia dilni mbanë. Unë s’do të kisha kurrë durim për t’u bërë mësues”, - kam dëgjuar një prind të thotë. Megjithatë ja ku jemi, të detyruar të japim mësim. Është normale, e natyrshme dhe e pashmangshme humbja e durimit. Le të mësojmë nga durimi i mësuesve më të mirë. Ajo që na nevojitet është një kontroll i emocioneve dhe i egos që fëmija ynë të jetë më i miri. Kjo do të na ndihmojë pa masë: ne (si prindër) dhe fëmijën tonë. 




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,609 Lexime
3 vjet më parë