TË ARSYETOSH

A mësohet mendimi kritik në shkollë?

Shpesh flasim për rëndësinë e formimit në frymën kritike. Çështja që ngrihet është: A mund të mësohet të menduarit kritik përmes kurseve dhe modeleve të mendimit?

(“Habit is a cable; we wave a thread of it each day, and at last we cannot break it)

Një litar që e thurim me kujdes çdo ditë bëhet i pashkëputshëm

Horace Mann, American Educator (1796-1859)- 


Besoj se të mbyllësh të menduarit kritik brenda kufijve të një modeli është kufizuese. Mendimi kritik është mendim i lirë, që rrjedh nga qëndrimet e çdo individi të formuar mirë. Është thelbësorja, unikja dhe individualja e tij, rrugëtimi i zhvillimit të mendimit të tij; prandaj ta lidhësh me një algoritëm të saktë do të ishte kontradiktore. 


Në rastin më të mirë, pohon Brandom, kemi një pohim brenda një hapësire arsyesh opsionale, ku është e mundur të ekzaminohet vërtetësia e tij. Duke lejuar zgjerimin e veprimit të mendimit kritik, duke konfirmuar se mendimi kritik nuk mund të mbyllet në një model të vetëm. 


Kontradikta e përpjekjes për të marrë një model apo një algoritëm, për të identifikuar një seri hapash logjikë për të mësuar përdorimin e të menduarit kritik, do të ishte një zgjidhje aspak e gjetur për edukimin.


Çështja e edukimit të të menduarit kritik është jashtëzakonisht e rëndësishme. Djui, në veprën e tij “Si mendojmë ne” argumenton se formimi i mendimit nuk mund të zhvillohet përmes një procedure formale. Ai është rezultat i një procesi kryesisht joformal. Prandaj do të ishte iluzion të organizohen kurse të përqëndruara në edukimin e mendimit kritik. Formimi i frymës kritike, është rezultati i përgjithshëm dhe afatgjatë i gjithë arsimimit, përmes bashkëpunimit interdisiplinar. Dju vazhdon argumentimin se formimi i të menduarit kritik është indirekt. Shumë shpesh mësuesit përqëndrojnë vëmendjen e tyre vetëm në temën e veçantë që nxënësi po studion në atë moment të caktuar, në atë disiplinë të caktuar; duke lënë pas dore procesin themelor, të formimit të shprehive të përhershme mendore. Megjithatë, ato janë ato që kanë më shumë rëndësi për të ardhmen e individit në edukim. 


Në punën formuese ekzistojnë dy nivele. Ai sipërfaqësor, në zhvillimin e një teme të veçantë të studimit. Dhe tjetra më e thellë, madje themelore, në të cilën nuk strukturojmë njohuri të veçuara, as kompetenca të thjeshta, por shprehi mendore, format e të menduarit që janë, produkti më i rëndësishëm i arsimimit.


Djui kthehet po në këtë problem, në “Përvoja dhe Edukimi”, ku shkruan se gabimi më i madh që mund të bëjë një mësues është të besojë se studenti po mëson vetëm lëndën që studion në atë kohë. 


Formimi i shprehive të të menduarit, shpjegon Dju, është produkti më i qëndrueshëm i arsimit në shkollë. Njohuria mund të harrohet, ndërsa shprehitë mendore, të strukturuara, janë kokëforta, ato mbeten dhe kushtëzojnë mënyrën e të menduarit dhe përballjen me realitetin. 


Edukimi i mendimit, është një proces indirekt, i cili zgjat shumë, formon shprehi të përhershme mendore që do të kushtëzojnë mënyrën e të menduarit të individit.  Individi është pika e nisjes dhe përfundimi i çdo rimendimi në perspektivat e edukimit, dhe zhvillimeve shoqërore. Në këtë kuptim, misioni i shkollës është të mësojë individin si të mësojë dhe mësimi i mendimit nuk fitohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por është i nevojshëm zgjerimi i konceptit të metodës. Në një kuptim më të gjerë, nuk mund të flasim vetëm për marrjen e njohurisë, por mënyrës në të cilën mësuesi i qaset kësaj njohurie. Nga ky kontekst rrjedh lindja dhe formimi i mendimit kritik. 


Në raportin e Komisionit Ndërkombëtar për Edukimin në shekullin e XXI-të të UNESCO-s, edukimi është emërtuar si “Aftesia për të mësuar, Pasuria jonë e fshehur” (Learning-the treasure Within). Një raport i bazuar në katër shtylla kryesore, ku ndër komponentët më të rëndësishëm cilësohet, “Të mësojmë individin si të përfitojë dije”.


Në lidhje me këtë, impresionante është ideja e Mathju Lipman në krijimin e lëvizjes Filozofia Për Fëmijët, e njohur si P4C. Ndërsa u mësonte filozofi studentëve në Universitet, Lipman kuptoi se studentët e tij kishin pasionin për të ndryshuar botën, por nuk kishin aftësinë për të arsyetuar me mençuri dhe për të ushtruar arsyetimin e thellë. Ai kuptoi gjithashtu se kolegji ishte paksa vonë për të mësuar një gjë të tillë, ndaj krijoi lëvizjen Filozofia për Fëmijët, njohur si P4C. Bashkpunëtorja e afërt e Lipman, Ann Sharp, shkon më tej duke propozuar futjen se në kurrikulën shkollore, të një kursi shumë të hershëm në filozofi për fëmijët, me kushtin që të menduarit kritik të mos mbyllet në kursin e filozofisë: të menduarit kritik duhet të jetë një metodë për të mësuar të gjitha lëndët, ai duhet të jetë elementi që fekondon të gjitha fushat e mendimit, duhet të jenë tharmi që nxit zhvillimin e mendimit.


Lipman e quan këtë model "Komuniteti i Kërkimit" në këndvështrimin e nxitjes së diskutimit dhe mbjelljes së ideve; ose i "punës në grup", që konsiderohet i një rëndësie të barabartë për diskutimin filozofik. Përmes proçesit të të menduarit së bashku, dhe ngritjes së pyetjeve të mësojnë se si të mendojnë “në mënyrë të arsyeshme”. Sipas Lipman, arsyetimi është një veprimtari discursive që zhvillohet në grup. Në mënyrë kritike, fëmijët gjithashtu përfshihen në përvoja bashkëpunuese që zhvillojnë dëgjimin, empatinë, respektin, miqësinë dhe aftësinë për të punuar me të vërtetë dhe të mendojnë në bashkëpunim. Në fakt, njëkohësisht Lipman flet për 4C (Critical, Creative, Co-operative and Caring), zhvillimin e aftësive kritike, krijuese, bashkëpunuese dhe aftësisë për të menduar. Shprehitë mendore me një natyrë kritike janë përbërës të domosdoshëm të shpirtit demokratik, Një shkollë që formon një qëndrim kritik është një shkollë që formon një qëndrim demokratik. Formimi në një frymë kritike dhe formimi në frymën demokratike janë të pandashme.




(Etleva Haxhihyseni, pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës, Parajsa Shtini, pedagoge në UAMD; Portali Shkollor)

4,958 Lexime
4 vjet më parë