HULUMTIM

A përkrahet vlerësimi përshkrues dhe çfarë do të ndodh në vazhdimësi me ndryshimin e ligjit?

Gjatë një hulumtimi dhe vërtetimi hipotezash që ka ndërmarrë magjistër Rabije Osmani nga Maqedonia e Veriut, rezulton që vlerësimi përshkrues nuk është i dëshiruar nga: arsimtarët, prindërit, nxënësit. Në këtë artikull ajo rendit disa nga arsyet.

Kjo temë duhet të shtjellohet më gjerësisht dhe të analizohet nga ekspertë. Deri më tani është realizuar një studim për vlerësimin përshkrues nga klasa e I-rë deri në të VI-ën. Gjatë një hulumtimi dhe vërtetimi hipotezash që ka ndërmarrë magjistër Rabije Osmani nga Maqedonia e Veriut, rezulton që vlerësimi përshkrues nuk është i dëshiruar nga: arsimtarët, prindërit, nxënësit. (Pjesa në vazhdim është shkëputur nga punimi i saj i magjistraturës).  

Rabije Osmani, Magjistër

Në bazë të hulumtimeve të realizuara në Polog të Maqedonisë së Veriut arritëm në këto konkluzione:

Vlerësimi përshkrues në sistemin e verifikimit të rezultateve të nxënësve është komponent integral i sistemit arsimorë dhe i shërben atij që të arrijë qëllimet edukativo-arsimore. Në bazë të këtij hulumtimi subjektet e përfshirë japin të dhëna, sugjerime, shumica prej tyre kanë qëndrime plotësisht të drejta dhe të arsyeshme.


Vlerësimi, si segment i rëndësishëm i këtij sistemi duhet të përcillet në çdo hap të veprimtarisë didaktiko-mësimore, prandaj vlerësimi përshkrues është më efektiv, sepse gjatë çdo ore mësimore, mësuesit duhet të vlerësojnë nxënësit dhe sipas rregullit ata duhet të mbajnë shënime në ditarin personal të tyre për të ditur se sa nxënësit e kanë aftësuar materialin apo temat e zhvilluara. Por edhe vetë mësuesit do të mund të nxjerrin një bilanc se sa kanë qenë të suksesshëm në realizimin e qëllimeve të planifikuara më parë. Me një fjalë, e vetë vlerëson punën e tij dhe njëkohësisht i korrigjon lëshimet e bëra.

Por, duke pasur parasysh ndërlikueshmërin që paraqet përcjellja, vlerësimi i diturive, aftësive, shkathtësive dhe shprehive, por nga ana tjetër, duke pasur parasysh edhe kushtet e rrethanat në të cilën zhvillohet procesi mësimor në shkollat tona, duhet të kemi mirëkuptim edhe ndaj gjendjes faktike të funksionimit të vlerësimit dhe vënies së notave në përgjithësi si proces. 


Duke u bazuar në fakte, rezultatet e këtij hulumtimi empirik treguan se ka mangësi por edhe përparësi të pranishme gjatë realizimit të këtij procesi në praktikë. Realiteti objektiv nuk duhet shikuar me aq sy kritik dhe nuk duhet të jemi aq pesimist edhe pse vitet e fundit janë bërë përpjekje të mëdha për reforma dhe inovacioneve pozitive ne procesin e vlerësimit të nxënësve. Gjithashtu nga grumbullimi i të dhënave janë nxjerr shumë konkluzione të cilat japin informacione të ndryshme, hapin shumë pyetje dhe sugjerojnë në shumë vendime nga të cilat pjesa më e madhe janë të arsyetuara, sikurse mendimet dhe qëndrimet e subjekteve që janë bartës kryesor të këtij procesi e që do të merren parasysh. Sistemi i këtillë do të funksiononte shumë më mirë dhe efikas. 


Rezultatet e hulumtimit paraqiten tregojnë se në shkollat fillore të përfshira në hulumtim, (Komuna e Gostivarit, Vrapçishtit dhe Bogovinës, me siguri edhe më gjerë) nuk preferohet vlerësimi përshkrues, por vlerësimi numerik. Në bazë të kritereve dhe standardeve, vlerësimi me notë është më i lehtë dhe më i preferuar nga mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit. 


Përsa i përket dallimeve në realizimin e vlerësimit përshkrues, numerik dhe vlerësimit të  kombinuar, të dhënat tregojnë qartë se vlerësimi përshkrues realizohet me fjalë gjegjësisht.  Përshkrimet e aktiviteteve të nxënësve sipas qëllimeve dhe arritjeve, paraqesin dukshëm mbingarkesë për mësuesit, lodhje dhe se ky vlerësim nuk është i kuptueshëm nga nxënësit, veçanërisht në ciklin e parë apo periudhën e parë të shkollimit fillor (Kl: I-II-III). 


Prindërit nuk janë edhe aq të interesuar për vlerësimin me përshkrim, sepse në të shumtën e rasteve parashtrojnë pyetje dhe kërkojnë nga mësuesit që ky vlerësim përshkrues të paraqitet edhe në notë. Vlerësimi i kombinuar është një lloj tjetër vlerësimi i cili realizohet edhe me shkrim edhe me numër, nuk do të thotë se arsimtarët, prindërit dhe nxënësit nuk e preferojnë sepse si proces është më i lehtë në krahasim me vlerësimin përshkrues, prindërit dhe nxënësit nuk i befason më pas nota. Gjithsesi, më i preferuar nga të gjithë subjektet të përfshirë në hulumtim është vlerësimi me notë numerike.


Arsimtarëve u shërbenë dukshëm dhe i ndihmon dosja profesionale dhe udhëheqja e dosjes së nxënësve, ku grumbullohen të dhënat si dëshmi. Dosjet paraqesin pasqyrë reale për çdo nxënës më së paku për një vit shkollor. Me vlerësimin përshkrues jepen arritjet cilësore dhe sasiore në suksesin e nxënësve.


Vlerësimi përshkrues nuk është i kënaqshëm dhe nuk përkrahet apo nuk preferohet nga pjesa më e madhe e arsimtarëve për arsye se, nga përvojat arsimore është punë e ndërlikuar, merr shumë kohë. Kështu që ngelet pak kohë për planifikimet e tjera profesionale, për përgatitjen dhe zbatimin e mjeteve tjera mësimore, për realizimin më efikas të procesit mësimor.


Por jo vetëm nga arsimtarët, vlerësimi përshkrues nuk preferohet edhe nga prindërit bazuar në hulumtimin që unë kam bërë, sepse një numër i prindërve nuk mund ti dallojnë dhe kuptojnë nivelet e të arriturave të fëmijëve dhe në shumë raste zhgënjehen nga informimi me shkrim për suksesin e fëmijëve. 

Ajo që i befason më së shumti është momenti kur kalohet në vlerësimin e kombinuar (periudhën e gjysmë vjetorit të parë dhe në fund të vitit shkollor për klasën e IV,V dhe VI-të).  


Nga i gjithë ky hulumtim arrihet në përfundimin se: vlerësimi përshkrues nuk është faktor stimulimi për punën e nxënësve. Ai prezantohet në bazë të shenjave, simboleve të preferuara për motivim, nxitje të cilat nuk mjaftojnë, nuk japin shumë inkurajim, nuk i plotësojnë kërkesën e dëshirës së nxënësve krahasuar me vlerësimin numerik i cili duket se ka vlerë më objektive te nxënësit dhe ngrit elanin për punën e mëtejshme. 

Për të formuar një ide sa më të qartë dhe sa më të plotë, të kompletuar në aspektin e vlerësimit përshkrues të përparësive dhe mangësive në qasjen e praktikave shkollore, duhet të hartohen modele mbi bazën e të cilave të gjykojmë për rolin, rëndësinë, arsyet dhe funksionin e vlerësimit përshkrues. Të dhënat e fituara dhe argumentet që mbështesin problemin tonë të kërkimit janë arsyetuara në këtë punim.



Porosia jonë e përgjithshme është: 

Institucionet komponente për arsimin në Republikën e Maqedonisë së Veriut , e kanë të nevojshme të shqyrtojnë edhe një herë rolin e vlerësimit përshkrues prej një dekade, duke nxjerr përparësitë dhe anomalit e vlerësimit dhe pastaj të ripërcaktojnë edhe një herë mbi bazat arsimore bashkëkohore, por duke pasur parasysh kushtet dhe llojin e shkollimit në vend tonë.  



(Magjistër: Rabije Osmani, Portali Shkollor) 

1,504 Lexime
8 muaj më parë