ANALIZË

Adriatike Lami: Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, një test që i mungonte mbi të gjitha shpirti, me pyetje dhe realitet diskriminues

Do doja që pas kaq vitesh të mos e kisha më “frikën” se si do dalin nxënësit në provimin e letërsisë. Do doja që ky provim të mos ishte “delja e zezë” e rezultateve të nxënësve, pasi kështu nxënësit do të lexojnë gjithnjë e më pak letërsi e do ta flasin e shkruajnë gjithnjë me problematike gjuhën tonë.

Si specialiste vlerësimi (ish hartuese dhe vlerësuese e testeve të standardizuara) dhe si specialiste e arsimit parauniversitar, si profesioniste që njeh mësimdhënien, mësuesin, nxënësin, tekstet mësimore, programet dhe testet, çdo vit ulem dhe e zgjidh vete testin e gjuhës shqipe dhe letersisë si një nxënës. Sepse këtu fillon; hartuesit e testeve duhet të bëjnë një test, të cilin mund ta zgjidhin më së pari vetë, një test, i cili të ketë përgjigje të qarta si drita e diellit. 


Parimi i parë i një procesi si matura shtetërore është tranparenca dhe hartuesit e tij e kanë detyrim ligjor shpalljen e testit në faqen zyrtare, bashkë me çelësin e përgjigjeve. E theksoj të dyja bashkë dhe jo siç ka ndodhur rëndom këto vite, vetëm çelësin, sepse kjo së pari qetëson nxënësin, por është edhe një sistem verifikimi e ballafaqimi në nivel specialistësh dhe më gjerë. Testi nuk mbahet “fshehur” dhe nuk është “pronë” e askujt. 


Dikur në faqen e Ministrisë së Arsimit bëhej publik edhe fondi i pyetjeve mbi të cilin ndërtohet testi. Dhe ky ishte një tregues i mbarë, pasi me kohën, pyetjet pilotoheshin dhe duke u provuar e përmirësuar edhe standardizohen, fitojnë aftësinë për të qenë pyetje të mira, që mund të përdoren në çdo kohë. 


Në kaq vite maturë shtetërore tashmë duhej të kishim fond më të plotë pyetjesh e testesh, të cilat me kombinime mund të ripërdoren pa idenë e arsyetimit të kotësisë, që këtë nxënësi e di. Ku ka më mirë. Qëllimi i testit nuk është të kapë mat nxënësit në gjëra që nuk dinë, por të masë njohuritë bazë të tyre sipas nivele të arritjeve. 


Për t´u kthyer te realiteti i testit. Kontakti i parë me testin është dramatik, hutues, dyshues dhe stresues. Vetëm duke i shfletuar faqet e tij, në mos gaboj 14, mu deshën 24 orë që të marr vendimin e të ulem ta zgjidh. 


Që të jemi të qartë; testi ishte në përputhje me programin orientues të maturës shtetërore, por testit i mungonte një element shumë i rëndësishëm e që është një parim i pashkruar: shpirti. Ai ishte një test i bërë pa dashuri, nuk ma nxe goja të them me pak hile e jo më ligësi. Ishte një test penalizues dhe diskriminues në shumë drejtime. 


Përvojat e njohura botërore na pasqyrojnë parimet e bërjes së një testi të standardizuar në kushtet e arsimit në Shqipëri si: 

1- Gërshetimi i opinioneve të grupeve të interesit në nivel specialistësh. 

2- Koherenca me programin. 

3- Përshtatja me mentalitetin e shkollës. 

4- Parimet e hartimit të një testi të standardizuar. 


Çfarë nuk shkoi mirë?

Të parën nuk e verifikoj dot e po e quaj të mirëqenë. 

Edhe e dyta më duket e realizuar pavarësisht ndonjë gjëje të vogël. 

E treta që nuk duket si detyrë, por asnjë sistem arsimor, nuk vepron në nivelin fundor siç është testi, si hallkë e shkëputur. Ka vite që vihet re një mospërputhje midis testit, mënyrës si jepet mësimi në klasë, mentalitetit të mësuesit, tekstit mësimor dhe habitatit të nxënësit. 

Këtu buron në vitet e shkuara ajo pakënaqësi e nxënësve me rezultatin e testit të lëndës së gjuhës shqipe e letërsisë. 


E në mungesë të afrimit të shkollës drejt testit, duhet që vetë testi të mbajë parasysh të gjitha nivelet e tjera. 

Në kushtet e këtij viti, u dha orientimi që testi do të ishte vetëm me alternativa. Shumë dakort deri këtu. Për këtë u hodh për provë edhe një model para disa javësh. Por modeli ishte një frut i ëmbël e testi i së enjtes një frut i hidhur. 

Testi i konceptuar vetëm me pyetje me alternative duhej të ishte pa shumë fragmente; (paragrafë). Në opinionin tim fragmentet duhej të ishin shmangur fare. 

Testi kishte strukturë lodhëse. Fillonte me pjesën (pjesët) joletrare. Në vend të fragmenteve ishin zgjedhur paragrafë. Po paragrafi është sërish një tekst, i cili përveç gjatësisë kishte vështirësinë e një teksti të plotë dhe nxënësit, i duhej një kohë më e madhe për ta lexuar, kuptuar e gjetur përgjigjen. Ky ishte diskriminimi i parë në gjuhën teknike të testit. 


Zgjedhja e fragmenteve është puna më e vështirë gjatë punës me testet. Jo çdo tekst të jep mundësi për të ndërtuar pyetje e prej të cilit mund të marrësh përgjigje të denja. Jo më kot gjithmonë thuhet; bëmë një pyetje të mirë, të të jap një përgjigje po aq të mirë. 


Fragmentet e pjesës së parë të testit (paragrafët) ishin tekste pa jetë, që nuk tregonin realitete aktive apo përvojash të konsoliduara jetësore. As ngjarje të njohura. Dhe as interesante, as argëtuese, etj. E kësisoj kthehen në tepër diskriminuese. 

Ndërkohë, vëmendja e nxënësit duhej të rizgjohej e plotë pas shkëputjeve drastike nga njëra pyetje te tjetra. Më thjesht: lexoje paragragfin e parë, ose pyetjen e parë, përqendroheshe dhe e zgjidhje në një kohë mbi dy minuta ( në disa shumë më tepër) dhe kalimi tek pyetja e dytë ishte i vështirë. 


Testi që në faqen e parë shfaqte dendësi fjalësh, fjalish që e bënin pyetjen dhe testin të mos i shkoje deri në fund. Nëse një pyetje e lexon dhe kur arrin në fund, nuk mban dot mend çfarë është thënë në fillim, kjo konsiderohet një pyetje diskriminuese. 

Vetë alternativat ishin tepër të gjata, sa shpesh u humbte edhe qëllimi për të cilin ishin renditur. 


Alternativat në disa raste ishin të përafërta gati-gati pa lidhje me pyetjen. Çdo alternativë krahas faktit që duhet të jenë të qarta pohuese ose mohuese, duhet të kenë patjetër lidhje me pyetjen. 

Kjo bëri që në pyetje të caktuara alternativat të ktheheshin në qesharake. 

Pyetjet edhe në vetë programin e matures, thuhet , që duhet të jenë hartuar në pjesën më të madhe mbi koncepte a njohuri, të cilat konsiderohen kryesore, që i shërbejnë formimit të përgjithshëm të nxënësit e që i shërbejnë më vonë, apo që dëshmojnë përvetësim të kopetencave kryesore të gjuhës amtare dhe të letërsisë. Koncepte që për vazhdimësinë e nxënësit nuk kanë peshën e të tjerave mund të shmangen. 


Në një pjesë të rasteve pyetjet ngjallnin imazh, përfytyrim dhe kjo e bënte nxënësin të humbiste dhe të mos arrinte të përgjigja brenda minutazhit për një pyetje me alternativë. 


Pyetjet shpesh kishin fjalë të vështira, që jepnin koncepte të cilat në shkollë jepen më pak ose anashkalohen për shkak të numrit të vogël të orëve në dispozicion. Dhe ndodh ajo që nxënësi nuk i përgjigjet pyetjes, jo për shkakun se nuk e di, por se nuk ka kuptuar se çfarë i kërkohet. Pra gjuha e testit nuk duhet të jetë në nivel universitar, por në nivelin e arsimit parauniversitar. 

Shkurt kur kërkohen gjëra të tilla, pyetja konsiderohet diskriminuese dhe është penalizuese për nxënësin. 

Pyetja ese sipas organizatorëve nuk do të ishte pjesë e testit. Por në test kjo pyetje kishte ndryshuar formë. Nxënësi në të paktën dy pyetje i kërkohej info teorike mbi esenë dhe pse jo edhe kohë aq sa duhej për zhvillimin e një teme të vërtetë eseje. 

Niveli i vështirësisë së pyetjeve ha dikutim. Dhe mbi të gjitha mendoj se do të ishte mirë që në test të renditeshin sipas ndarjeve nga më e lehta te më e vështira, sepse nxënësi fiton aftësi për zgjidhje edhe gjatë procesit të zhvillimit të një testi. 

Është një test mbi nivelin mesatar e penalizues për atë që lexon veprat letrare dhe ka qejf letërsinë. 


Gjithmonë është diskutuar për atë që do të bjerë nga viti në vit dhe kalohet në fiksimin që çdo vit të jetë një gjë ndryshe. Po pse? Çfarë të keqe ka që nxënësit t’i bjerë një pyetje a një fragment, një autor i testuar mirë dhe i mirëmësuar prej tij. Qëllimi i testit nuk është të zërë nxënësin në çark, por të masë njohuritë e tij. Bravo atij që i mëson. Ky është qëllimi i shkollës në fund të fundit. 


Kështu do të ishte mirë që nga Lasgushi të jepej një poezi më e njohur. Ai është një autor fantastik dhe nuk duhet humbur ky sharm i poetit duke e kthyer atë në penalizues për nxënësin. 

Ndonëse pyetjet gjuhësore zënë sot më shumë vend në test, nuk duhet hequr dorë nga pyetjet e gërshetuara, nga gjuha artistike dhe nga pyetje praktike, të cilat ndihmojnë realisht për ta përvetësuar e përdorur më mirë gjuhën amtare. 


Do doja që pas kaq vitesh të mos e kisha më “frikën” se si do dalin nxënësit në provimin e letërsisë. 

Do doja që ky provim të mos ishte “delja e zezë” e rezultateve të nxënësve, pasi kështu nxënësit do të lexojnë gjithnjë e më pak letërsi e do ta flasin e shkruajnë gjithnjë me problematike gjuhën tonë. 



Nga Adriatike Lami, Specialiste e arsimit parauniversitar 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

6,412 Lexime
3 vjet më parë