ALBAS 25 vjet, një rrugëtim që bashkon hapësirat shqiptare përmes librit dhe dijes

25 vjet ALBAS festohen me emocion dhe krenari. Nga fillimet në Tetovë e Tiranë, deri në hapjen e degëve në Prishtinë, Preshevë e Mal të Zi, ALBAS ka lidhur hapësirat shqiptare përmes librit, duke kultivuar dijen, identitetin dhe një komunitet profesional arsimor, me pasion dhe vizion të qëndrueshëm.

Shtëpia Botuese ALBAS festoi 25-vjetorin e saj në një mbrëmje të paharrueshme, ku u mblodhën autorë, përkthyes, bashkëpunëtorë, akademikë të nderuar, studiues dhe profesorë nga katedrat universitare, mësues, si dhe miq nga Prishtina, Tetova, Presheva, Shkupi, Ulqini dhe diaspora. Në këtë përvjetor të veçantë ishin të pranishëm Ambasadori i Kosovës, Z. Skënder Durmishi me bashkëshorten, Znj. Flora Durmishi; Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Z. Pirro Misha; Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Z. Faik Nika; Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Z. Petrit Ymeri, si dhe akademikë dhe profesorë të nderuar, si Z. Sabri Hamiti, Z. Ali Aliu, Znj. Floresha Dado, Z. Emil Lafe, Z. Xhevat Lloshi; botuesit Z. Fatmir Toçi dhe Znj. Irena Toçi, Znj. Mariana Ymeri, Znj. Egla Berhami, Z. Redi Jegeni; nga libraria Adrion, Mariana dhe Teodor Misha. 


Ishin të pranishëm bashkëpunëtorë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Diaspora, partnerë të biznesit nga Kroacia, profesorë të departamentit të letërsisë e të gjuhës shqipe, studiues, shkrimtarë, përkthyes, piktorë e fotografë të njohur dhe shumë miq të nderuar.

 

Presidentja e ALBAS-it, Znj. Rita Petro,  e emocionuar, iu drejtua fillimisht kështu të ftuarve: Mirëmbrëma të nderuara mikesha e të nderuar miq të çmuar, e di shumë mirë se të gjithë do të donit të ishte pranë meje dhe Latifi në këtë 25-vjetor. Por le ta mendojmë se është. Për këtë na ndihmojnë fotot e videot, por më e rëndësishme është puna dhe vepra që mbetet pas…

Jam e nderuar dhe shumë e emocionuar për praninë e ju të gjithëve në mbrëmjen e sotme, që do të thotë shumë për ne si ALBAS. Në bashkëpunim me ju, ne e kemi bërë tashmë Shqipërinë e Madhe. 

 

Sekuencat e filmimeve të shfaqura gjatë mbrëmjes pasqyruan filozofinë e kompanisë që nga dita e parë, duke theksuar angazhimin e përbashkët për botime dhe edukim. Rita Petro riktheu në kujtesë historinë e themelimit të ALBAS-it:

 

Së bashku me Latifin, në 29 shkurt të vitit 2000 e regjistruam ALBAS-in fillimisht në Tetovë, pastaj në mars u regjistruam në Tiranë, që përkonte me ditët mes dy ditëlindjeve tona, 9 dhe 13 mars, dhe po atë vit në Prishtinë. Pas disa vitesh u hap dega në Preshevë dhe më pas ALBAS u zgjerua me botimet e saj dhe në Diasporë, dhe këtë vit kurorëzuam bashkëpunimin për hartimin e disa teksteve të historisë së Shqipërisë për nxënësit shqiptarë në Malin e Zi. 

 

Gjithashtu, Rita Petro kujtoi fillimet e kompanisë:


Çdo gjë nisi nga zero, por qëllimi ynë ishte Njëshi me zero pas, deri në infinit. Shumë shpejt vizioni na u bë i qartë; ata kufij të cilët na kishin munduar të dyve aq shumë në takimet tona të dashurisë, u munduam t’i fshinim përmes librit shqip. Rritjen tonë e bazuam te forcimi i redaksisë, gërshetimi i redaktoreve me përvojë me redaktoret e reja; besimi në idetë dhe punën e tyre; respektimi i lirisë së punonjësve dhe krijimi i kushteve për të qëndruar sa më gjatë në kompaninë tonë; besimi i ndërsjellët me bashkëpunëtorët tanë në lidhje me bashkëpunimin profesional dhe me respektimin e të drejtave të autorit; zgjerimi gradual i departamenteve që mbështetnin punën e redaksisë; zgjerimi i politikave të botimit përmes kolanave dhe grupmoshave të caktuara; korrektësia ndaj ligjeve të shtetit; respektimi i konkurrencës në tregun e librit; qëndrimi larg politikës, që suksesin ta sjell në moment, por siç ta sjell, ashtu dhe ta merr dhe… 90% e punës sonë të mbështetej nga vetë investimet tona, mosjoshja nga fitimet e çastit të një tregtie të pastër, por hedhja e bazave të një shtëpie botuese që e ka të qartë se me punën për librin kulturohen brezat, emancipohet shoqëria.

 

Në një moment të veçantë të fjalës së saj, Rita përkujtoi mbështetësit e hershëm dhe ata që nuk janë më: Jam e bindur se sa të lumtur do të ishin sot profesor Menduh Dërguti, profesor Idriz Metani, profesoreshë Emine Oktrova, profesor Selman Sheme, profesor Nikolla Përdhiku, profesor Skënder Selimi. Në Preshevë, mbështetja jonë kryesore ka qenë Qenan Hetemi, i cili me idealizmin por dhe këmbënguljen e tij bëri që nxënësit e Preshevës të kenë në duar tekstet tona të gjuhës e të letërsisë shqipe, si dhe të lëndëve të tjera. E kujtojmë sot me shumë dhimbje, që nuk e kemi më midis nesh.

 

Falënderimet e saj u shtrinë edhe tek autorët e teksteve shkollore, të cilët kontribuuan në ngritjen e metodologjive bashkëkohore didaktike, te shkrimtarët e përkthyesit, piktorët e fotografët, si dhe te stafi i ALBAS-it, Redaksia në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e Preshevë, Media ALBAS, Portali Shkollor, Qendra e Trajnimeve, Marketingu dhe Shitja. Rita nuk la pa përmendur dhe familjen e saj, e cila ka qenë mbështetje e vazhdueshme duke kontribuar me dashuri, ide dhe punë konkrete.

 

Driton Ajrullai, bashkëpronar i shtëpisë botuese ALBAS, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e misionit të ALBAS-it për të lidhur të gjitha hapësirat shqiptare me dije dhe kulturë, duke e quajtur këtë rrugëtim “jo vetëm punë, por mision kombëtar”, ku libri dhe arsimi shkrijnë kufijtë politikë dhe forcojnë identitetin kombëtar. 

 

Në këto 25 vite, ALBAS ka ndërtuar ura nga Tirana në Tetovë, nga Prishtina në Preshevë e Mal të Zi, në çdo vend ku flitet shqip. Ka bashkëpunuar me mësues e autorë, ka përmirësuar tekste, ka inovuar metoda dhe ka ofruar instrumente të vlefshme për arsimin tonë. Ka qenë një mbështetje e qëndrueshme për familjet, nxënësit dhe shqiptarët kudo ku janë. Për mua, ky është një moment krenarie, por edhe obligim, sepse ne trashëgojmë jo vetëm një emër, por një vizion që vazhdon…

Rita Petro përmendi librin e parë të botuar nga Albas Letërsia Moderne Shqiptare, me autor profesor Sabri Hamitin, që u bë shkaku i dorëheqjes së saj nga puna e shtetit. Ky libër i ndaluar nga Ministria e Arsimit e asaj kohe për shkaqe ideologjike, pasi e botoi ALBAS, u kthye shumë shpejt në një “Bibël” në duart e mësuesve, të cilët nuk kishin asnjë material për njërën nga periudhat më të rëndësishme në letërsinë shqiptare, gjysmën I të shek. XX. 


Më pas ajo ftoi profesor Sabri Hamitin, i cili rikujtoi historikun e këtij bashkëpunimi: 

Lindja e mundimshme e shtëpisë botuese ALBAS, është rrjedhojë e punës me ngulm për të bërë programe të përbashkëta dhe libra të përbashkët për lëndët nacionale në shkollat shqipe, nga fillorja deri në universitet. Kjo punë e mundimshme, në dukje aventurë, është zhvilluar në rrethana kulturore, politike dhe kombëtare në Shqipëri dhe në Kosovë në decenien e fundit të shekullit të kaluar në decenien e fundit të shekullit të kaluar…Kjo pra, është historia 10-vjeçare ditunore në këtë lëmi, për të gjetur në vitet më pas rezultanten më në fund me libra të nivelit të ri, si çelës të dijes dhe të mësimit.


Pas fjalës së akademikut Sabri Hamiti, Rita Petro theksoi se Natasha Pepivani, krahu i saj i djathtë që nga fillimet e ALBAS-it, është shembull i përkryer i profesionalizmit, i bujarisë dhe i përkushtimit: Një grua modeste që di të buzëqeshë edhe në momentet më të vështira dhe që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si autore, redaktore, specialiste didakte e teksteve shkollore në të gjitha trevat shqiptare. 

  

Nga ana e saj, Natasha Pepivani riktheu kujtime nga fillimet e ALBAS-it në një apartament të vogël në Rrugën e Elbasanit, duke treguar se ëndrra e Ritës për tekste moderne u realizua përmes punës së palodhur të stafit, botimeve të para dhe projekteve që u pritën me entuziazëm nga mësuesit dhe nxënësit, dhe që sot, pas 25 vitesh, dëshmojnë suksesin dhe vizionin e përbashkët të kësaj shtëpie botuese.

 


Aty, në atë shtëpi të vogël filloi botimi i revistës “Grupsat” që Rita e shpërndante nëpër shkolla me biçikletën që mezi e mbante ngarkesën. Aty u projektuan librat e parë të suksesshëm, dhe “Letërsia moderne shqiptare”, e profesor Sabriut, Gjuha shqipe dhe Letërsia 10 (teksti i parë alternativ, pa filluar ende alterteksti) që u bënë aq të dashura për mësuesit e nxënësit… E në atë kohë ne i kishin mjetet shumë të kufizuara. Kompjutera të vjetër, pa internet dhe pa literaturë. Po kishim shumë entuziazëm dhe përkushtim, që na bënte të gjenim gjithçka që duhej dhe librat tanë të dalloheshin se ishin ALBAS. Ne ia dolëm të jemi të suksesshëm, se kishin dy kapitenë, siç thotë Rita në një poezi të saj. Një që e njihte shumë mirë librin dhe tjetri që dinte shumë mirë të menaxhonte librin. Po të dy vizionarët kishin synime të njëjta dhe shumë të qarta: një shtëpi botuese që t’u ofronte mësuesve dhe nxënësve libra shkollorë sa më cilësorë nga ana shkencore e modernë nga ana didaktike, t’u ofronte tekste shkollore të digjitalizuar përmes platformës digjitale, që u zbatua për herë të parë nga ALBAS dhe të shtrihej ALBAS-i në të gjithë trevat shqipfolëse, sidomos në Kosovë, por edhe në diasporë. Dhe kjo ëndërr tani është bërë realitet. 


Me fjalët e fundit Natasha Pepivani i përloti të gjithë të pranishmit: Jam shumë e lumtur që me mua u rritën dhe u aftësuan profesionalisht vajzat, të cilat e them me mburrje janë bërë më të afta se unë. E kur nxënësi bëhet më i aftë se mësuesi i tij, ia ka vlejtur mundi. Shekulloftë ALBAS-i! Unë sa të kem frymë do të jem pjesë e pandarë e tij.

 

Rita Petro më pas shpjegoi zgjerimin e kolanave të botimeve, duke përfshirë veprat e Petro Markos dhe të Bedri Dedjes (duke falënderuar përkatësisht Aranita Markon dhe Edlira Dedjen për besimin te ALBAS dhe mbështetjen e botimeve të këtyre kolanave), po kështu në ekran u shfaqën dhe kolanat e klasikëve për fëmijë dhe ajo me figura të shquara shqiptare Më quajnë… për klasikët për të rritur, për autorët e letërsisë bashkëkohore dhe projekte të veçanta si ai Parqet Kombëtare të Shqipërisë dhe projekti për librin-album Kosova etj.

 

Fatlum Hetemi, drejtues i ALBAS Prishtinë, në fjalën e tij theksoi se vizioni i themeluesve ka qenë më shumë se biznes. Ai vuri në pah rëndësinë e ALBAS-it si familje të madhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Ulqin dhe diasporë, duke theksuar se çdo projekt i përbashkët i ka forcuar lidhjet kulturore dhe edukative.

 

Është nder i jetës me qenë pjesë dhe i pranishëm sot, në shenjimin e 25 viteve rrugëtim të ALBAS-it në botën e librit. Për mua personalisht, ky përvjetor ka një peshë të veçantë. Kam lindur në Gjilan, jam rritur në Preshevë, jetoj në Prishtinë dhe punoj me një kompani që vepron në krejt hapësirat shqiptare. Kjo e bën ALBAS-in jo veç vend pune, por urë që lidh të gjitha trojet tona. Vizioni i themeluesve, prof., Latifit (përjetë mirënjohës) dhe Ritës, është më shumë se biznes. Është mision kombëtar. Përmes librit, ata kanë shkrirë kufijtë që politika i ka krijuar, duke na dhanë mundësinë që ne, të skajeve të shqiptarësisë, të ndihemi pjesë e një tërësie. Në ato zona ku identiteti shqiptar është mburoja jonë e vetme dhe libri është një nga forcat kryesore që e mban këtë mburojë kombëtare ende gjallë.

 

Rita Petro me pas u ndal te themelimi i shtypshkronjës moderne Deaprint, një investim i përbashkët shqiptaro-kroat. Gjithashtu ajo riktheu vëmendjen tek arritjet e shumta të ALBAS, u ndal edhe tek investimet e tjera që e bëjnë shtëpinë botuese një referencë të rëndësishme në arsimin shqiptar, duke përmendur Librat digjitalë, veçanërisht Abetaren Mbarëkombëtare, Portalin Shkollor, si dhe Qendrën e Trajnimeve. 

 

Albas e-Libër është platforma zyrtare digjitale e Shtëpisë Botuese ALBAS, e krijuar për të ofruar tekste shkollore dhe materiale ndihmëse në formë interaktive dhe të aksesueshme nga çdo pajisje, duke përfshirë telefon, tablet dhe kompjuter, për klasat 1-9 dhe gjimnaz, me funksione si audio-lexim, video shpjeguese, ushtrime vetëvlerësuese, galeri ilustrimesh dhe animacione edukative, që mundësojnë një mësim më modern dhe të efikas për nxënësit, mësuesit dhe prindërit. 

Portali Shkollor ALBAS, i krijuar në vitin 2015, ka arritur mbi 75 mijë ndjekës dhe është bërë një zë serioz i mësuesve, duke ofruar një hapësirë për diskutim të problematikave të arsimit dhe duke u referuar shpesh edhe nga institucionet dhe mediat kombëtare, ndërsa ALBAS Media (youtube), përmes studios audio dhe video, përforcon prezencën digjitale të shtëpisë botuese. 

Ndërkaq, Qendra e Trajnimeve ALBAS ofron programe profesionale të akredituara për zhvillimin e vazhdueshëm të mësuesve në të gjitha ciklet arsimore, duke kombinuar teori bashkëkohore me praktika të aplikuara në auditor, dhe duke krijuar një komunitet profesional ku mësuesit mund të shkëmbejnë përvoja dhe të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies në shkollat shqiptare.

 

 

Momente emocionuese pati edhe për fëmijët e punonjësve të ALBAS, të cilët janë rritur bashkë me kompaninë, duke reflektuar se ALBAS nuk është thjesht një shtëpi botuese, por një familje e madhe që ka bashkuar breza. Fjala përmbyllëse u dha nga Sofiana Filipi dhe  Semela Mero, të cilat falënderuan pjesëmarrësit dhe ndanë gëzimin e festës.

 

Mbrëmja kulmoi me muzikë live nga grupi rock “NA”, me verë, kërcim dhe dhurata për të gjithë të pranishmit, duke reflektuar jo vetëm suksesin profesional, por edhe atmosferën familjare dhe kreative që ka karakterizuar gjithmonë ALBAS-in.

 

Ky përvjetor i 25-të ishte një dëshmi e qartë e pasionit, vizionit dhe përkushtimit të Rita Petros, Latif Ajrullait dhe gjithë stafit të ALBAS për të kultivuar dijen dhe kulturën shqiptare, duke krijuar ura dijesh për çdo shqiptar kudo që ndodhet. Një çerek shekulli suksesi dhe sfidash, që tani hap krahët për brezat e ardhshëm, me besimin se libri dhe kultura do të vazhdojnë të bashkojnë shqiptarët në çdo cep të globit.

 

 

Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 



© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë

41 Lexime
7 orë më parë