AKTIVITETI

Albas risjellë tre tituj nga kolana e çmuar e klasikut për fëmijë Bedri Dedja

Në 90 vjetorin e lindjes, shkrimtari dhe akademiku shqiptar Bedri Dedja është dekoruar pas vdekjes me titullin “Urdhri i Lartë i Skënderbeut” nga presidenti Ilir Meta. Në po të njëjten ditë, shtëpia botuese Albas ka risjellë për lexuesit tre tituj nga kolana e çmuar e tij.

“Bedri Dedja, Klasiku për fëmijë”, ky ka qenë aktiviteti i zhvilluar në Qendrën Kombëtare të Librit dhe të Leximit, me rastin përkujtimor të 90-vjetorit të lindjes së këtij shkrimtari, ku u promovua edhe botimi i tre titujve të tij nga shtëpia botuese Albas!


ALBAS, ka çelur kolanën e veprave të këtij klasiku për fëmijë, me tre tituj “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Aventurat e Fatbardh Pikaloshit” dhe “Presidenti i Planetit të Kuq”. 


Botuesja Rita Petro, në fjalën e saj ka shprehur kënaqësinë që Shtëpia Botuese Albas ka çelur kolanën e veprave të klasikut për fëmijë Bedri Dedja.


“Me shkrimtarin e madh për fëmijë dhe akademikun Bedri Dedja jam njohur që në kohën kur punoja në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor.  Më ka mbetur në mendje ai burrë që reflektonte një buzëqeshje gati-gati fëminore, po ashtu autoritetin që buronte nga aftësitë dhe kontributi i tij si didakt e psikolog.  Dhe nuk ka kënaqësi më të madhe që shtëpia jonë botuese ALBAS, ka çelur kolanën e veprave të këtij klasiku për fëmijë, me tre tituj: Një udhëtim i rrezikshëm; Aventurat e Fatbardh Pikaloshit; Presidenti i Planetit të Kuq”, është shprehur Rita Petro. 

Kjo ditë nderimesh për figurën e shquar të Bedri Dedës nisi në Presidencë ku u zhvillua ceremonia e dekorimit pas vdekjes teksa presidenti Ilir Meta i ka dhënë titullin “Urdhri i Lartë i Skënderbeut”.


Më pas në Qendrën Kombëtare të Librit, në prani të mediave të kulturës dhe dashamirësve të librit u zhvillua aktiviteti për çeljen  e kolanës së botimeve të Bedri Dedjes, ku drejtoresha e Qendrës, Alda Bardhyli theksoi vlerën e Bedri Dedjes si shkrimtar e si figure akademike. Mjaft mbresëlënëse ishte dhe fjala e Nora Malajt, Denata Toçes, Edlira Dedjes e cila solli mbresat e saj për mënyrën se si punonte i jati i saj, jo vetem në drejtim të librave për fëmijë, që i kalonin kufijtë e ngushtë të realizmit socialist, por edhe për botimet e tij akademike si avangardë e mendimit shkencor. 

Bedri Deda ka dhënë kontribute te shquara si anëtar themelues i Akademisë së Shkencave dhe personalitet i veprimtarisë universitare, përfaqësues i shënjuar i shkencës së pedagogjisë e psikologjisë dhe si një prej figurave më të spikatura të letërsisë për fëmijë. Personaliteti dhe puna e tij e jashtëzakonshme bënë që, gjatë gjithë jetës së tij, Profesor Dedja të vlerësohej, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. 


Ai ka qenë fitues i shumë çmimeve letrare dhe titujve, anëtar i kryesisë së Shoqatës Botërore të Psikologëve, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Psikologëve, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë si dhe anëtar i redaksisë për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar. 

Veprat e Profesor Dedjes, didaktika letrare, shkollore e universitare e tij i rezistuan kohërave, duke treguar se themelet e moralit, të psikologjisë, didaktikës dhe shkollës, janë po ato që nga lashtësia antike.



Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,746 Lexime
3 vjet më parë