Klasikët për fëmijë

Albas sjell në shqip librin “Poliana”

“Poliana” është pjesë e serisë së klasikëve për fëmijë. Shtëpia botuese Albas e sjell këtë vepër në gjuhën shqipe, nërmjet përkthimit të kujdeshëm të Klodian Briçit. Pasuroni bibliotekën tuaj me këtë titull të ri të kësaj serie.

Fragment i shkëputur nga libri


E dashur teto Poli dhe xha Tomi,


Oh, unë mund… mund… mund… të eci! Këtë e bëra sot: eca nga shtrati deri te dritarja! Gjashtë hapa ishin. Ah, sa mirë që u bëri këmbëve të mia kjo! Tërë mjekët më rrethonin dhe qeshnin, ndërsa gjithë infermierët qëndronin pranë dhe qanin. Zonja në pavijonin ngjitur, që fillimisht nisi të ecte javën e shkuar, përgjonte te dera, kurse një tjetër që shpreson të ecë muajin tjetër, u ftua të merrte pjesë te ceremonia, u shtri te shtrati im dhe nisi të trokiste duart. Edhe Tili Zezakja, që merret me pastrimin e dyshemesë, pa nëpërmjet dritares së sallonit dhe më thirri: «Shpirt!» Ajo, edhe kur qante, nuk më thërriste asnjëherë ashtu.


Nuk e kuptoja pse qanin. Unë doja të këndoja, të bërtitja dhe të çirresha me të madhe! Oh… oh… oh, veç ta mendosh që unë mund të eci… eci… eci! Nuk prish punë që kam gati dhjetë muaj këtu dhe s’e vras shumë mendjen, që nuk mora dot pjesë në dasmën tuaj. A nuk ishit pikërisht ju, teto Poli, që erdhët këtu dhe u martuat pikërisht pranë shtratit tim, që t’ju shihja.


Mendja ju punon për gjëra të bukura!


Nisur nga ç’thuhet, nuk do të vonojë shumë e do të kthehem në shtëpi. Eh, sa do të doja që gjithë rrugën deri atje ta përshkoja në këmbë. Dua vërtet. Nuk besoj se do të dëshiroj ndonjëherë të shkoj më diku me kalë a mjete lëvizëse. Sa mirë do të jetë vetëm të eci. Oh, sa e gëzuar që jam! Jam e lumtur për gjithçka. Madje ndihem e tillë edhe tani që për pak kohë më lanë këmbët. Vlerën e tyre të madhe e mëson vetëm pasi i humb ato… domethënë, dua të them kur nuk i përdor më.


Nesër do të bëj tetë hapa.

Me dashuri të madhe për të gjithë,

Poliana


Blini online librin duke klikuar në www.librarialbas.al


(Portali Shkollor)

4,989 Lexime
6 vjet më parë