Analizë

Anila Çota: Alarm për partneritetin e sigurt shkollë - familje - komunitet

Shpesh ndeshemi me analiza që bëhen për arsimin duke gjykuar veçmas familjen, prindërit, shkollën, komunitetin, shoqërinë, mjedisin social etj., por realisht çfarë roli ka partneriteti midis tyre? Anila Çota sjellë një analizë e cila vërtetë shërben si një alarm për të bërë më të mirën në drejtim të arsimit.

Vazhdimisht, ne theksojmë se fëmijët janë e ardhmja, ndërkohë që jetojmë realitetin e së tashmes e padyshim investimet në edukimin e tyre, mbillen sot dhe frytet korren kur ata të jenë në te ardhmen e së sotmes.


Ne e dimë shumë mirë se prindërit janë partnerë jo të vetëm në edukim, pasi bashkë me ta janë institucionet tona të edukimit, shkollat, aq sa janë edhe komunitetet. E pra përgjegjësia është e përbashkët, aq sa edhe detyra. Ne sot, bëjmë përpjekje të gjithanshme si teorikisht edhe praktikisht që fëmijëve tanë t’u sigurojmë rehati psikologjike,  të jemi prindër model për ta, t’i mbështesim ata brenda mundësive tona. 


Por, unë sot nuk jam e sigurt të pohoj se në çdo familje mbizotëron atmosfera e respektit, tolerancës, marrëdhënieve të shëndetshme. Sot një pjesë e prindërve nuk e kanë kulturën e hapjes ndaj dialogut me fëmijët e tyre. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë ne do të kishim një brez ku fëmijët mësojnë të zgjidhin lehtë problemet,  t’i zgjidhin ato me përgjegjësi dhe me efikasitet.


Për këtë, unë mendoj se kërkohet më shumë mbështetje dhe besim ndaj fëmijëve. 

Le të kthehemi pak më shumë tek kërkesat ndaj vetes të dashur prindër. 


Sa shumë ne i mësojmë fëmijët tanë të rriten dhe edukohen me norma sociale? 

Sa shumë ne ndikojmë tek ata për të bërë zgjedhjet e tyre, sa të aftë jemi ne për të ndikuar në ndërtimin e raporteve të drejta ndërmjet marrëdhënieve të fëmijëve me shoqërinë e me familjen?

A kemi ne të drejtë të ndërhyjmë në ëndrrat e tyre? 

Po autoriteti ynë, sa do ta ndikojë fëmijërinë, ëndrrat dhe të ardhmen?


Por ashtu siç e theksova edhe më sipër prindërit dhe familja nuk janë të vetëm. Fëmija bashkon interesa të përbashkëta me shkollat, të cilat nga përvoja, rezulton se në rastet e partneriteteve të qëndrueshme mes tyre, kanë ndikuar në përmirësimin e cilësisë së menaxhimit të shkollës dhe shërbimeve që ajo ofron, duke sjellë si produkt breza që shkojnë të sigurt dhe ndërtojnë të ardhmen e pritshme prej tyre. 

Kjo vjen pikërisht për faktin se familja ka një rol dhe potencial të konsiderueshëm në efektivitetin e edukimit të fëmijëve.


Padyshim që ndërtimi i këtyre partneriteteve bazohet në parimin e transparencës dhe përgjegjshmërisë që duhet të karakterizojnë institucionet shkollore që referohen si modele të suksesshme të menaxhimit. Menaxhimi/drejtimi i shkollave bëhet më i dobët për shkak të përfshirjes së ulët apo të munguar të prindërve 


Por, nga ana tjetër, familja është vatra ku ndizet fitili i së ardhmes për fëmijën duke ndikuar fuqishëm në përmirësimin e performancës sociale /arritjeve të sjelljes. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u diskutuar,  pasi e thënë si pohim tingëllon shumë i bukur. 


Le të bëjmë një analizë të realitetit tonë


Është shumë bukur të themi së kemi fëmijë, nxënës të mrekullueshëm, që performojnë shumë mirë dhe i bëjnë krenarë prindërit e mësuesit e tyre me arritjet dhe sukseset. 

Por është e njëjta shoqëri që me gjithë përpjekjet nuk ja ka dalë dot të edukojë një pjesë (sado e vogël) që sot nuk është në pritshmëritë e familjes e të shoqërisë. A mundemi të gjejmë fajtorin?! Ca e vështirë përgjigja, por për një gjë jemi të sigurt: për shkollat dhe mësuesit,  fajin më të madh e kanë prindërit, ata e kanë lënë jashtë kontrollit, ata kanë qenë më pak të interesuarit për sjelljen dhe shoqërinë, për menaxhimin e kohës së tyre. Për prindërit gjithnjë faji është i shkollës,  puna e tyre e pamjaftueshme, mësuesit jo të kualifikuar, jomotivues, joinformues etj. 

Pa lënë asnjë çast përgjegjësinë e shkollës mendoj se: Sa më të përfshirë dhe aktivë të jenë prindërit në mbështetje të fëmijës/nxënësit, aq më pozitive do të demonstrohen karakteristikat dhe arritjet e tyre sociale. 


Përfshirja e prindërve merr një rëndësi të veçantë në edukimin e fëmijëve dhe përgatitjen e tyre për të ardhmen duke i ndihmuar ata në: 

  • Kapërcimin e barrierave të ndryshme dhe rritjen e kohezionit dhe integrimit social-kulturor të nxënësve, por dhe komuniteteve shkollore.
  • Menaxhimin e sjelljeve të rrezikshme të fëmijëve.
  • Arritjen e potencialit të tyre në aspektin e ndërtimit dhe ndërveprimit social të tyre.

Padyshim instrumenti bazë që do të nxisë ndërtimin e partneritetit mes shkollës dhe prindërve është komunikimi dhe besimi reciprok tek njëri – tjetri.


Dhe sërish analiza bëhet duke i gjykuar veçmas familjen, prindërit, shkollën, komunitetin, shoqërinë, mjedisin social etj. Por ne jemi në kohë të ngremë alarmin për partneritetin mes tyre, për rolin dhe ndikimin e secilit prej këtyre aktorëve dhe të të gjithëve së bashku.


Vazhdimisht bëhen kërkime që fokusohen në trajtimin e pengesave që identifikohen në përfshirjen efektive si për mësuesit, ashtu edhe për prindërit. Studimet në këtë drejtim, kanë evidentuar se natyra e pengesave që karakterizojnë prindërit për një pjesëmarrje të suksesshme janë të tilla; mungesë interesi ndaj fëmijës, pamundësi për t`iu përgjigjur kërkesave të shkollës në këtë drejtim, diferencat kulturore të familjes me shkollën, kompleksi i shfaqjes së nivelit të ulët edukues të prindërve, mungesë njohje dhe informimi mbi bashkëpunimin shkollë-familje, mungesë besimi ndaj shkollës. 


Nga përvoja ime rezulton se janë disa shkaqe kryesore që pengojnë një komunikim dhe bashkëpunim më të mirë të prindërve me shkollën. Ato lidhen me ngarkesën e prindërve me punë dhe angazhime të tjera, me problemet e tyre socio-ekonomike etj. 


Por nuk duhet të harrojmë se një pjesë e tyre ndjehen të pamotivuar, të painformuar për rezultatet e fëmijëve të tyre. Po aq, qëndron si arsye edhe indiferenca e tyre në kontrollin e fëmijës apo padija për të gjetur rrugët se si t’i ndihmojnë fëmijët e tyre. 


Që të hapin sytë e mendjes për të ardhmen e fëmijës, prindërve u duhet më së pari të dinë të prindërojnë, të krijojnë partneritete ndërmjet tyre ku të kenë kurajon të ngrenë zërin për të mësuar atë që ju duhet e për të përcjellë shqetësimet e tyre të brendshme, për të këmbyer mendime, ide e përvoja që kanë rezultuar si raste suksesi. Por indiferentizmi,  besimi i verbër, interesat e vogla (të fokusuara vetëm tek paraja dhe jo tek investimi për fëmijët dhe edukimin e tyre) dhe një lloj “konkurrence e pakuptimtë” mbi atë që fëmija im duhet të ketë patjetër veshje të firmave më prestigjioze, të ketë celularin apo makinën e fundit etj,  shpesh rezulton i gabuar dhe pa perspektivë.


Dinamika e jetës sot dikton marrje të nismave nga vetë prindërit, pa pritur nga shkolla dhe vetëm prej saj. Përfshirja e prindërve në hartimin e planeve dhe strategjive të shkollave do t’i bëjë ata më praktikë,  më vetëveprues dhe më vizionarë.

 Fjala parim do të thotë “Rregull themelore sipas të cilës ndërtohet a funksionon diçka.” Me parim të partneritetit kuptojmë rregullat dhe kërkesat që mundësojnë dhe sigurojnë bashkëpunim cilësor dhe efektiv midis faktorëve edukativ shkollë - familje - komunitet. Faktorët bashkëpunues që duhen respektuar për të realizuar parimet janë: shkolla dhe familja me tërësinë e tyre, si dhe komuniteti me mision edukativ e social. Me qëllim që partneriteti të ketë efekte edukative – sociale duhet që :

Faktorët bashkëpunues t’i njohin, kuptojnë dhe respektojnë parimet e partneritetit.


Ata duhet të jenë të qëllimshëm në bashkëpunimin e tyre, të jenë gjithëpërfshirës dhe të vlerësojnë realisht rëndësinë e këtij bashkëpunimi duke përcjellë vlera të qytetarisë demokratike si në familje, shkollë e komunitet. Këto vlera bazohen mbi tolerancën, shanset e barabarta, përgjegjshmërinë, konfidencialitetin, transparencën e mbi të gjitha besimin reciprok. 


Çfarë presim ne nga i gjithë ky realitet ku media bombardon me lajme makabre në vend të emisioneve e lajmeve edukative, ku dhuna është shtruar këmbëkryq në familje e ku bullizmi po kalon në ekstrem! Çfarë presim nga fëmijët, e ardhmja e shoqërisë sonë, nëse prindërit të parët, shkolla, e më pas e tërë shoqëria ngre duart dhe dorëzohet para akteve jonormale e josociale, kur qëndrimet tona janë indiferente, kur vetë siguria nuk ka siguri, kur modelet më papranueshme janë vetë prindërit dhe sjellja e tyre në familje?


Unë jam pjesë e sistemit të edukimit dhe si e tillë kurrë nuk do pranoja që ne kemi dështuar në përpjekjet tona. Përkundrazi, nga këndvështrimi im dhe institucioneve që kam drejtuar e drejtoj krenohem me atë çfarë ne bëjmë çdo ditë, sepse udhëhiqemi pikërisht nga parimi ku vizioni dhe misioni hartohen në bashkëpunim. 


Ne kemi modele kaq pozitive të funksionimit të rrjeteve të prindërve, jo më vetëm të një shkolle, por të disa shkollave në qytetin tonë, konkretisht shkollave “Qamil Guranjaku”, “ Ali Agjah’, “Abdyl Paralloi” dhe “Europa”,  “Katund i Ri”, të cilat janë bërë pjesë e edukimit dhe ndarjes së praktikave më të mira.  


Programi i shkollës si qendër komunitare është një qasje perfekte për të ndërtuar një sistem komunikimi dhe urë lidhëse, jo vetëm shkollë- familje e komunitet,  por mbi të gjitha një mjedis ku vetë prindërit bëhen protagonistë të krijimit të partneritetit. 


Mesazhi im për të gjithë prindërit është: 

  1. Përpiquni të kuptoni fëmijët dhe botën e tyre të brishtë, përpiquni të lexoni ëndrrat e tyre.
  2. Përpiquni të reduktoni thellimin e hendekut midis brezave.
  3. Përpiquni të jeni më tolerante,  më të durueshëm, më mirëbesues e mirëkuptues me fëmijët.
  4. Ju lutem flisni sa më shumë me fëmijët, flisni sa më shumë me njëri - tjetrin, merrni përvojat më të mira.
  5. Bëhuni lehtësues të zgjidhjes së problemeve të fëmijëve tuaj. 
  6. Kuptoni ndryshimin mes tyre. Fëmijëve nuk u pëlqen të bëni krahasime me bashkëmoshatarët e tyre e ca më keq me brezin tuaj.
  7. Jini partnerët më të mirë të tyre, partnerët më të mirë të shkollës, partnerët më të mirë të njeri – tjetrit dhe shoqëria jonë do të jetë më e bukur, më mendjehapur, me një vizion më të qartë.
  8. Mos u bëni veç “tutorë” të jetës së fëmijëve, por kërkoni edhe këshilla e ndihmë prej tyre. Mbase zgjidhja e tyre është më e kohës.
  9. Bëhuni shokë me ta aq sa duhet. 
  10. Bëhuni bashkë dhe do t’ia dalim që të kemi një shoqëri më mirë orientuar për të ardhmen, më të sigurt e padyshim më të paqtë.


Ja disa ide se si mund të ndërtohen partneritetet e qëndrueshme dhe efektive të prindërve:

  • Fuqizimi i kompetencave demokratike në shkollë e përtej saj.
  • Kuptimi real i shkollave gjithëpërfshirëse.
  • Fuqizimi i pjesëmarrjes së prindërve në jetën e shkollës.
  • Angazhimi dhe nismat konkrete të ndërmarra nga vetë fëmijët dhe komuniteti i prindërve për përmirësimin e çështjeve që i afektojnë ata.
  • Mbështetja nga drejtoritë e shkollave dhe institucionet e këtyre nismave.
  • Rritja e aftësive të strukturave të zgjedhura të nxënësve si QN,  apo e prindërve si Këshill i Prindërve e bordi i shkollës për shkrim dhe implementim projektesh.
  • Zhvillimi i aktiviteteve gjithëpërfshirëse dhe këmbimi i përvojave (konkurse, ekspozita, kampe verore etj) 
  • Motivimi i shkollave.
  • Promovimi i modeleve pozitive. 
  • Trajnimi i vijueshëm i stafeve pedagogjike. 
  • Fuqizimi i autonomisë së shkollës.
  • Zhvillimi multikultural etj. 


Përmes dhe nëpërmjet këtyre rrugëve ne do të mund të sfidojmë barrierat dhe të inkurajojmë një të ardhme të konsoliduar e të qartë, do të ndërtojmë modele suksesi dhe do të ndryshojmë mendësitë e të edukuarit. 


Nga Anila Çota 

Drejtoreshë e shkollës “Qamil Guranjaku”, Elbasan                                Elbasan, dhjetor 2021



© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,692 Lexime
2 vjet më parë