Reflektim

Arsimtarët janë fuqia drejtuese e vendit, dëgjoni zërin e tyre

Të mos jemi të kufizuar vetëm në raste festash për të vlerësuar figurën e mësuesve. Ka shumë rëndësi të dëgjohet zëri i arsimtarit, jo vetëm brenda një auditori gjatë shpjegimit të një materiali lëndor, por edhe në trupën pedagogjike dhe më gjerë.

Nga Evans Drishti 


Mësuesja e klasës së parë – kryefjala e pikënisjes së rrugëtimit shkollor dhe intelektual për çdokënd. 

Të gjitha vlerat përcillen në këtë fazë nga mjeshtëria, profesionalizmi dhe njerëzorja e shpirtit të saj artist. Ajo qëndron shumëdimensionale me mendje të ndritur, rrënjoset thellë në inteligjencën e çdo nxënësi për të çelur dritare të shumta në vazhdimësinë e jetës. 


Arsimtarët ofrojnë mjeshtëri për shoqërinë


Çdo lloj profesioni apo mjeshtërie zanati mbart në fokus profesionalizmin e arsimtarëve. 

Kështu:

Një jurist, një avokat, një prokuror, një gjyqtar, pra një intelektual i drejtësisë rritet, zhvillohet dhe integrohet mbi bazën e orientimeve profesioniste të arsimtarëve. 

Një mjek profesionist shëron me mendjen e ndritur të kultivuar nga profesionalizmi i arsimtarëve. 

Një inxhinier profesionist ndjek dhe vëzhgon hap pas hapi tërë procesin e ngritjes të veprave madhore të vendit mbi bazën e vizioneve të larmishme të frymëzuara nga mendja mjeshtërore dhe profesionale e arsimtarëve. 

Një arkitekt profesionist shfaq talentin e tij ideor dhe vizual mbi bazën e orientimeve profesionale të arsimtarëve. 

Një mësues specialist ofron orientime të sakta dhe të qarta mbi bazën e zhvillimeve profesiuonale të arsimtarëve. 

Një artist qoftë ky muzikant apo aktor, si dhe i çdo zhanri tjetër që ka të bëjë me spektrin e artit dhuron mjeshtëri dhe bukuri frymëzuese në sajë të influencës profesionale të arsimtarëve. 

Të gjithë mjeshtërit e zanateve dhurojnë mjeshtëri në sajë të punës së palodhur të arsimtarëve profesionistë. 

Arsimtarët janë shumëdimensionalë 

Arsimtari profesionist s’ngelet vetëm në shpjegimin e një mësimi, përkundrazi 

  • Është menaxhues i rëndësishëm i grupimeve rinore dhe intelektuale 
  • Është organizator profesionist i shumë eventeve jo vetëm brenda një klase apo shkolle, por edhe në rang lokal dhe qëndror. 
  • Është ideator i shumë projekteve kurrikulare dhe ekstrakurrikulare me fokus të rinjtë apo edhe shtresat e ndryshme shoqërore 
  • Është konsulent dinamik dhe vizionar në përcjelljen e realiteteve sociale dhe kulturore 
  • Është evidentues dhe ndërtues i vlerave dhe aftësive tek brezi i ri 


Arsimtari profesionist, 

nga njëra anë di të menaxhojë mjeshtërisht një auditor të rinjsh të moshave të ndryshme, nisur jo vetëm nga njohja më nga afër e psikologjisë së tyre, por edhe nga zhvillimi dhe prirja intelektuale e secilit prej tyre, nga ana tjetër, di të drejtojë profesionalisht një trupë pedagogjike dhe një institucion arsimor të tërë. 

Prandaj ka shumë rëndësi të dëgjohet zëri i arsimtarit, jo vetëm brenda një auditori gjatë shpjegimit të një materiali lëndor, por edhe në trupën pedagogjike dhe më gjerë, duke reflektuar mendime efikase që i shërbejnë mbarëvajtjes së një procesi. 

Arsimtari nuk është thjesht, një qenie që “i imponohet” të dëgjojë drejtuesin e shkollës për të marrë disa orientime evidencash, përkundrazi është intelektuali që kupton, arsyeton, koncepton e reflekton, prej të cilit ke shumëçka që mund të përfitosh nga vizioni largpamës dhe pikëpamjet socio-kulturore. 

Pasi fjala e arsimtarit ka vlerë dhe peshë.

Zëri i arsimtarëve ka peshë influencuese 

Profesionalizmi i arsimtarëve shfaqet dhe duhet të dominojë edhe në struktura të tjera administrative, qofshin ato publike apo jo publike. 

Kështu,

arsimtarët profesionistë duhet t'i shohim në strukturat drejtuese si: në bashki, në komunë, në prefektuarë, në teatër, në kinema, në qendra kulturore, në galeri artesh, në biblioteka, në ministri, në kryeministri, e sidomos në parlament. 


Zëri i arsimtarëve në media 

Bota mediatike njihet për pushtetin mbizotërues që ka në rang global, prandaj edhe arsimtarët profesionistë duhet të jenë patjetër pjesë aktive e këtij pushteti.

Po si? 

  1. Duke ofruar opinionet dhe mendimet e tyre të vyera në fushat përkatëse dhe veçanërisht në çështjet sociale e kulturore;
  2. Duke sjellë prezantime të kontributeve të tyre me vlerë si në grupime të vogla ashtu edhe në ato më të gjera; 
  3. Duke ofruar bashkëpunime në realizimin e projekteve të larmishme argëtuese apo informuese.


Ç’është e vërteta, këtë qasje tashmë kemi nisur ta shohim gradualisht edhe në sajë të mundësisë që ofrohet nëpërmjet disa mediave lokale, rrjeteve sociale dhe portaleve të ndryshme. Është për t’u veçuar p.sh Portal shkollor Albas që ofron një larmi reflektimesh të këtilla organizimeve dhe projekteve domethënëse që vijnë nga institucione të ndryshme arsimore. 

Jemi dëshmitarë tashmë që nëpërmjet këtyre postimeve njihemi mjaft mirë jo vetëm me dimensionet dhe vizionet që ofrojnë këta arsimtarë profesionistë, por edhe me produkte jetëdhënëse nga brezi i ri. 

Prezantimet e herëpashershme të profesionistëve dhe talenteve ndihmon që 

  • t’u dëgjohet zëri 
  • të kuptohen qasjet profesionale 
  • t’u hiqen emocionet në komunikim 


Kujdes!

Të mos jemi të kufizuar vetëm në raste festash për të tilla prezantime. Reflektimet e profesionistëve në çdo kohë dhe rrethanë mbeten përherë të mirëpritura për mbarë shoqërinë.


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

809 Lexime
1 muaj më parë