Botim i ri

Artemisa Bushi: “Faqja e fundit”, një rrëfim ngjethës mes dy kohëve...

Gjithnjë ndiej një kënaqësi të veçantë kur (rastësisht, ndoshta?) në rendin e punës më përcaktohet një autor shqiptar. Pas pritjes mjaft të mirë nga lexuesi të romanit “I keqi i vetes”, të Gazmend Kapllanit, tanimë botimeve të shumta të Albas-it i shtohet edhe një roman tjetër i tij: “Faqja e fundit”.

Gjithnjë ndiej një kënaqësi të veçantë kur (rastësisht, ndoshta?) në rendin e punës më përcaktohet një autor shqiptar. Pas pritjes mjaft të mirë nga lexuesi të romanit “I keqi i vetes”, të Gazmend Kapllanit, tanimë botimeve të shumta të Albas-it i shtohet edhe një roman tjetër i tij: “Faqja e fundit”. 


Sërish (ashtu si te romani “I keqi i vetes”), romani fillon me një rikthim të personazhit kryesor në vendlindje, pasi merr vesh vdekjen enigmatike të të atit në Shangai. 

Sapo kthehet në Tiranë, në fillim Melsi ndihet i huaj me veten, madje i pashqetësuar nga prania e të tjerëve.


“Por, fundi i fundit, pse duhet ta shqetësonte identiteti i të tjerëve, atë, që nuk e dinte më as vetë se kush ishte? Herë-herë kishte përshtypjen se e kishte kaluar gjithë jetën i mbyllur në një kështjellë të fildishtë dhe befas jeta i kishte treguar gjithë dhunën, llumin dhe cinizmin që përmbante dhe që përbënte ndoshta thelbin e saj të vërtetë.” 


Përgjatë ditëve që qëndron në shtëpinë ku kaloi fëmijërinë, i dëshpëruar dhe përplot pikëpyetje për largimin e të atit në Shangai dhe vdekjen e papritur të tij, Melsi vendos të rrëmojë mes orendive të vjetra, që i duken si fantazma. Derisa, në një sirtar ai gjen një fletore brenda së cilës fshihet një histori tronditëse për familjen e tij. 


Një gjetje nga autori (ndoshta trill, por kaq e prekshme dhe me nota vërtetësie), që krijon një bosht mjaft interesant. Sërish do ta cilësoja si mjeshtri rrëfimi ndërthurjen e kohëve, mendimeve dhe gjithçka rrjedh kaq natyrshëm. 


Në librin e shkruar nga babai i Melsit rrëfehet historia e familjes që në fillesë, kalvari i vështirësive, kurthet, vështirësitë, plagët e pashlyeshme të një regjimi. Si e shkatërroi, degradoi, ky regjim individin e, si pasojë, në hallkën e madhe të zinxhirit të shoqërisë, edhe familjen, miqtë e shokët. Çfarë ndodhi me individin, edhe pse, përtej gjithçkaje, dëshira për mbijetesë triumfoi? 


Madje edhe vetë Melsi, pa dashje, pjesë e kësaj hallke, në atë kohë izolohet në botën e librave, të historive të vërteta ose jo, thjesht që të krijojë një guaskë për t’u mbrojtur...


“Ai lexonte me mani librat që babai tani i fshihte poshtë shtratit të madh në dhomën e gjumit, si Kafka, Kamy, Dostojevski, Celine, Bodler.” Ndërsa Kafka e trondiste edhe me kuptimin e emrit të tij në shqip.

Të ishte kjo histori vallë e vërtetë?! Mendimet e Melsit na tregojnë: 

“Nëse ishte i vërtetë, atëherë rrëfimi i babait ishte diçka më tepër se një draft për libër. Dhe nëse nuk ekzistonte, kjo do të thoshte që babai kishte krijuar me sukses të madh një fantazmë bindëse, ashtu siç bën çdo shkrimtar që e meriton atë emër.” 


Me rënien e regjimit Melsi mërgon!

Takohet me njerëz të rinj. Lidhja e tij me Anën na rrëfen se në çdo vend individët janë dhe mbeten pjesë e trazimit shoqëror, që nuk mund t’i shpëtojnë dot lehtë. 

Por çfarë i shqetëson? “Frika e së kaluarës, frika që të fillojnë një jetë nga e para apo thjesht fika se jeta e tyre do të jetë një vazhdimësi e traumës së rëndë?”


Edhe pse personazhet e Kapllanit kuptojnë se, “më në fund duhet të përfshihen në një botë edhe më të sëmurë se ajo në të cilën kanë jetuar deri më tani”, u mbetet atyre në dorë të zgjedhin. Dhe ç’bëjnë? Zgjedhin vende të tjera për të kapërcyer mallkimin e familjes dhe të vendit të tyre. E bëjnë këtë sepse e duan shumë jetën dhe sidomos jetën me dinjitet. 

Zgjidhja që autori bën është kaq e thjeshtë në dukje, por mendoj se: të përfshish kaq shumë ndodhi, mendime dhe kundërmendime, të tashmen dhe retrospektivën, dilemat, zgjidhjet dhe zgjedhjet me një rrjedhshmëri mendimi, tregon edhe një herë pjekurinë dhe qartësinë e mendimit të Kapllanit. 

Për 25 ditë qëndrimi në vendlindje, Melsi jo vetëm i shkon deri në faqen e fundit një romani (të shkruar nga babai i tij), por ndoshta tanimë ai ndien një bindje se kjo është faqja e fundit e një kalvari të gjatë pikëpyetjesh për të... 


Pas varrimit të të atit, Melsi ndihet në paqe me fantazmat që e kanë ndjekur. Dhe bashkë me Ardianën (vajza që ndihet më afër shpirtërisht), tanimë ndihet gati:

“Ndiheshin të dashuruar dhe të fortë. Pothuajse të gatshëm për të përballuar sfidat e ashpra dhe kurthet që ngaherë jeta u jep me bollëk njerëzve që jetojnë me dashuri dhe pasion për njëri-tjetrin.” 

Unë, si lexuese pyes? Është e rastësishme kjo zgjedhje? Apo është faqja e fundit e një “kapitulli”, që lë vend për një fillim të ri...


Përgatiti: Artemisa Bushi (redaktorja e romanit)


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,880 Lexime
2 vjet më parë