PROJEKTI

BE OPEN-MINDED, BE EUROPIAN- Konferenca me përkthyesit e veprave të projektit BOMBE

Është zhvilluar konferenca për prezantimin e projektit BOMBE (Be Open-Minded, Be Europian), e cila ka bërë bashkë përkthyes të veprave të projektit. Ky është projekti i dytë i shtëpisë botuese ALBAS që mbështet financiarisht nga Creative Europe për përkthimin e 9 veprave.

Është zhvilluar konferenca për prezantimin e projektit BOMBE (Be Open-Minded, Be Europian), e cila ka bërë bashkë përkthyes të veprave të projektit. Ky është projekti i dytë i shtëpisë botuese ALBAS që mbështet financiarisht nga Creative Europe për përkthimin e 9 veprave, pas projektit Seria e autorëve bashkëkohorë, me 7 vepra të përkthyera në shqip nga gjuhë të ndryshme. Në kuadër të Panairit të Librit 2019, konferenca është zhvilluar këtë nëntor në njërën prej sallave të konferencave të Pallatit të Kongreseve në Tiranë. 


Europa Krijuese (Creative Europe) është një nga fondet kryesore të Bashkimit Europian, që synon të vendosë kulturën në bazën e integrimit të vendeve të Europës. Siç duket, përpjekja e gjatë e Europës për integrim nxori në pah një domosdoshmëri: nuk mund të ketë bashkim ngushtësisht ekonomik, pa njohur thellësisht kulturën e gjithsecilit. Edhe pse projekti i një Europe të bashkuar nisi si marrëveshje për ndarje tregjesh, vështirësitë në kohë provuan se ata që bëjnë marrëveshje kanë pas vetes historitë e tyre, gjë që në momente të caktuara u përcakton edhe sjelljet. Kjo bëri që Bashkimi Europian të hartojë fondin Europa Krijuese, që nisi më 2014. Në fushën e librit, përparësi i është dhënë urës së komunikimit që ndërton përkthimi. 


Projektet e përkthimit të Creative Europe, që nga viti 2014 kanë mundësuar që të vijnë në shqip libra dhe autorë shumë të rëndësishëm europianë. Këto projekte nxisin shkëmbimin e kulturave mes vendeve dhe njëkohësisht mundësojnë qarkullimin e letërsisë bashkëkohore europiane. Po ashtu, përmes projekteve të tilla, i jepet një rëndësi të posaçme përkthyesit, i cili vlerësohet si bashkautor i veprës së përkthyer.  


Më poshtë do të gjeni fjalimet e disa prej përkthyesve gjatë kësaj konference.



Mimoza Hysa, përkthyese e librit "Limbo"


Shtëpia botuese "Albas" i jep një rëndësi shumë të madhe përkthyesve, duke i vendosur në kopertinë, aty ku ato realisht e meritojnë. Ky projekt ka disa veçanti, ideatorë të kolanës, përkthyes të duhur. Në këtë projekt, përpos autorëve të rinj, ka edhe autorë të rëndësishëm të cilët kanë fituar çmime të mëdha. Disa libra kanë parë dritën e botimit, disa të tjerë jo, por presin të botohen. Ndër librat e botuar, të cilët lexuesit mund t’i kenë në duart e tyre, përmendim: Shtërgjet, Fizika e trishtimit, Zhdukja e Jozef Mengelesë, Humnera etj. Disa prej tyre janë autorë të rinj, por janë sjellë në shqip nga përkthyes të rëndësishëm. Fakti që janë të përkthyer në disa gjuhë, do të thotë që janë zëra potencialë të letërsisë. Ndër to përmendim romane, si: "Humnera", "Imazhe nga jeta e M-së". Veçoj këtu letërsinë e Ballkanit, e cila po has vështirësi në rrugën drejt lexuesit, megjithatë, nëpërmjet këtyre projekteve dhe personaliteteve që po i sjellin, do ta gjejnë këtë rrugë. 


Edlira Lloha, përkthyese e librit "Shtërgjet"


Ky libër është ditari i një personi që maskohet në shumë persona të tjerë. Ditar kthimi, por jo i një personi të vetëm. Një personazh që hyn në lëkurën e shumë personave të tjerë që takon gjatë rrugës. I takon një shoqërie të atomizuar, ku çdo individ është një atom më vete, ku nuk ekzistojnë lidhje shumë të ngushta me njerëzit e afërm, ku individët nuk krijojnë dot lidhje të forta. Diagnoza e një shoqërie ku jetojmë. Përkthimi ka pasur disa sfida. Anatomia zë një pjesë shumë të madhe në roman dhe terminologjia ka qenë e vështirë për t'u përshtatur. Kjo ka qenë sfida më e madhe. Individi i shkëputur nga lidhje e ngushta. Shtërgjet përbëhet nga një mozaik karakteresh në një lëvizje të pandërprerë. Duket se bota moderne lëviz në mënyrë të çoroditur dhe kaosi duket se është i gjithëpranishëm, jo vetëm ngaqë është copëtuar itinerari i lëvizjes, por edhe ngaqë vetë subjekti i lëvizjes është copëtuar. Kështu, në këtë libër pleksen lëvizje gjithfarësh, njerëzish të njohur a të panjohur, personazhesh historike a të trilluar, njerëzish a mumiesh, trupash të shëndetshëm a trupash të gjymtuar, trupash të plotë a pjesësh të tyre. Duket sikur është shkërmoqur gjithçka e që kjo lëvizje e çoroditur të mund të ngrihet në dinjitetin e një udhëtimi, apo edhe më tej, të një pelegrinazhi, ajo duhet disiplinuar. 


Ben Andoni, përkthyes i librit "Humnera" 


Letërsia ka sfidat e saj. Përkthimi i saj gjithashtu. Letërsia moderne ka një kanon, si individualizmi. Sllavët kanë trashëguar edhe në letërsia vuajtjen, nisur edhe nga historia e tyre. Tentativë drejt rrënjëve dhe identitetit të tyre. Individi përballë jetës sot. Kjo e bën të qasshme këtë lloj letërsie. 



Ana Kove, përkthyese e librit "Nata, dritat"

 

Libër me tregime. Tregimet janë ca më të vështira, për t'i asimiluar tregu, edhe pse sot leximi i fragmentarizuar praktikohet mjaft. Megjithatë, përkthyesja Ana Kove ka marrë përsipër përkthimin e një vepre të tillë. Clemens Mayer edhe pse i ri, është një shkrimtar i madh, i cili në botën gjermanike lexohet shumë. Ai ka marrë një nga çmimet më të rëndësishme në gjermani, si çmimi Lajpcig. Madje, libra të tij edhe janë bërë filma. Një autor shumë i rëndësishëm edhe për lexuesin shqiptar. Ai vjen nga Gjermania Lindore, prek tema të vështira, stilistikisht të vështira. Personazhe të vështira, kontroverse. Personazhe që të tronditin, realiteti i detyron të vjedhin, drogohen, të rrahin, sepse fundja kjo është jeta. E ka edhe këtë anë të errët. Jeta jo gjithmonë është e bukur, ka edhe skandale. Ai i përfaqëson këto fragmente përmes shumë simbolesh. Libri është i vështirë për t'u lexuar. Kërkon një lexues të kultivuar, shije të zhvilluar leximi. Këta autorë janë të testuar. Ndaj, lexuesi do të përfitojë shumë nëse do marrë ndër duar të tillë shkrimtarë. Do jua rekomandoja, sepse do shikojnë aty realitetin e zymtë, por edhe do të shikojnë dritën prej realitetin ku gjenden. 



Amantia Kapo, përkthyese e veprës "Zhdukja e Jozef Mengelesë" 


Mënyra e të shkruarit, mënyra si i sillte historitë. Një roman rreth nazizmit që në fillimet e tij. Një roman dokumentar. Mënyra se si futet në psikologjinë e personazhit, mjekut, i cili shkon në Aushvic, për "kurimin e njerëzimit". Kjo ide përshkruan gjithë librin. Pra, nuk është individi i rëndësishëm, por populli gjerman. Autori ka shkruar edhe libra të tjerë për krimet e nazizmit. Libër që hap shumë dritare. Është njëlloj testimi të mënyrës sesi ne e shikojmë diktaturën. Ne vendosim paralele edhe me diktaturën tonë, e cila nuk është përcjellë siç duhet përmes letërsisë. 


Milena Selimi, përkthyesja e romanit "Fizika e trishtimit" 


Lidhja ime me letërsinë bullgare është mjaft e afërt. Kjo vepër është përkthyer në 17 gjuhë. E njoh këtë shkrimtar dhe kurbën e zhvillimit të tij. Autori sapo ka marrë një çmim të rëndësishëm në Poloni. Ai ka një komunikim dhe një kërkesë për të komunikuar me shumë vende Europiane. Çfarë është Fizika e trishtimit? Ajo që mua më befason është mënyra sesi e ka ndërtuar romanin. Romani përfshin të gjithë gjeneratën……

©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

1,615 Lexime
4 vjet më parë