Botim i ri

Botim i ri nga ALBAS: Seria "Rudi", 4 libra plot aventura për lexuesit e vegjël

Një ujk që dashuron skejtbordin, tre shokë dhe aventura plot humor e mister! Seria e re e ALBAS, “Rudi”, sjell katër histori që i mësojnë fëmijët të vlerësojnë miqësinë, të tregojnë empati, të mos nxitojnë në gjykime dhe të përballen me guxim me të papriturat. Për lexuesit 9+!

Seria “Rudi” nga Paul Westmoreland (Përktheu: Tobias Xhaxhiu)


Një seri e veçantë për lexuesit e vegjël që duan aventura, pak mister dhe personazhe të veçanta që nuk ngjajnë me askënd tjetër. Rudi është një ujk që dashuron skejtbordin dhe bashkë me shokët e tij, Femin dhe Edën, përfundon gjithmonë në aventura nga më të pazakontat: gjen një ujk të humbur dhe bën çmos t’i gjejë një familje; miqësohet me “përbindëshin” e klasës, të cilin askush nuk e afron; zbulon sekretin sa qesharak, po aq edhe të frikshëm të shokut të tij; dëshiron me gjithë zemër të fitojë një medalje në konkursin Yjet e Skejtbordit.


Seria e Paul Westmoreland-it, me ilustrime nga George Ermos, ndërthur humorin, aventurën dhe një atmosferë të lehtë “drithëruese” me tema të rëndësishme në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve. Përmes aventurave të Rudit, lexuesit e vegjël njihen me vlerën e miqësisë dhe bashkëpunimit, mësojnë të përballojnë situatat e reja me guxim dhe vetëbesim, të tregojnë empati ndaj të tjerëve dhe të kuptojnë se problemet mund të zgjidhen duke menduar, duke pyetur dhe duke kërkuar ndihmë. Gjithashtu historitë i nxisin fëmijët të mos nxitojnë në gjykime dhe të shohin përtej pamjes së parë, duke i ndihmuar të kuptojnë se dikush që duket “i frikshëm”, “i çuditshëm” apo ndryshe, mund të mos jetë aspak ashtu siç duket.


Mosha e sugjeruar: 9+.

Një ujk. Një skejtbord. Një grup shokësh. Shumë aventura! "Rudi" i sapobotuar në “Albas”!



“Rudi dhe ujku i vogël” 

Kur Rudi gjen një ujk të vogël të humbur te Parku i Skejtit, e di mirë se duhet ta ndihmojë. Rudi provon gjithçka që i rrok mendja për të gjetur tufën e këlyshit, por ujqërit nuk duken askund dhe as nuk ndihen me hundë. Ndërkohë, koha fluturon. A mund ta ndryshojë fatin e këlyshit një ulërimë në mes të natës?



“Rudi dhe sekreti i shokut të tij”

Kur Rudi dhe Eda shkojnë për të fjetur te shtëpia e Femit, ata zbulojnë një sekret të çuditshëm: Femi ecën në gjumë! Por surprizat nuk mbarojnë me kaq. Kur pa dashje Rudi lë hapur baxhën, ndodh diçka edhe më e pabesueshme. Femi jo vetëm që ecën në gjumë… por nget edhe skejtbordin! Dhe me një shpejtësi marramendëse! A do të arrijë Rudi ta kthejë Femin në shtëpi shëndoshë e mirë, para se nata të kthehet në një makth të vërtetë?



“Rudi dhe yjet e skejtbordit”


Konkursi Yjet e Skejtbordit ka ardhur në qytet. Rudi dhe shokët e tij mezi presin të marrin pjesë e të tregojnë se ç’dinë të bëjnë. Por kur disa djem–ujq më të mëdhenj i premtojnë Rudit se do të fitojë medalje ari, po t’i bashkohet tufës së tyre, Rudi vendoset përpara dy zgjedhjeve. Sa larg do të shkojë Rudi për të fituar? A është i përgatitur për atë që mund të humbë?



“Rudi dhe përbindëshi i shkollës”


Në shkollën e Rudit ka ardhur një nxënës i ri dhe të gjithë thonë se është i frikshëm. Një ditë, ai mërzitet dhe ia mbath. Rudi nuk mund të qëndrojë duarkryq, ndaj niset ta ndihmojë. Ama shqisat prej ujku e çojnë drejt kështjellës së vjetër mbi kodër, asaj që të fut frikën! A do të tregohet Rudi aq trim sa të ndjekë hundën e tij dhe të zbulojë të vërtetën për përbindëshin e shkollës?



© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

115 Lexime
10 orë më parë