Botuesit ngrenë alarmin: Mbi 5 mijë libra shqip të piratuar në trevat shqiptare

Shoqata e Botuesve Shqiptarë denoncoi publikisht përhapjen masive të piraterisë së librave në rajon, duke përfshirë edhe institucione shtetërore. Rasti më i rëndë: shpërndarja e librave të piratuar nga Komuna e Tetovës. Kërkohet ndërhyrje urgjente.

Nga Nanila Allkja Biçaku


Shoqata e Botuesve Shqiptarë ngriti sot një alarm të fortë publik për gjendjen e rëndë që po kalon sektori i botimeve shqip për shkak të përhapjes masive të piraterisë në gjithë hapësirën shqiptare. 


Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Tiranë, figura të njohura të industrisë së librit denoncuan raste konkrete të shkeljeve të të drejtave të autorit, ku përfshihen edhe institucione shtetërore në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Dy zërat kryesorë të kësaj dalje publike, Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës, dhe Bujar Hudhri, botues i njohur, kërkuan ndërhyrje urgjente për të frenuar këtë dukuri që po shkatërron moralin dhe ekonominë e librit shqip.


Petrit Ymeri, në fjalën e tij, tha se nisma e kësaj konference u mor për shkak të një rasti flagrant të piraterisë në Tetovë, por që në fakt është vetëm maja e një problemi shumë më të thellë. Ai nënvizoi se fenomeni i riprodhimit ilegal të librave dhe shpërndarjes së tyre në librari, në mënyrë të organizuar, është bërë një praktikë e përhapur në vend dhe rajon. 

“Kemi bërë ç’është e mundur ta evidentojmë dhe të reagojmë me mundësitë tona, por situata është rënduar. Librat tanë skanohen, ngarkohen në portale të ndryshme ose shtypen në mënyrë të paligjshme e shiten pa asnjë pengesë,” tha ai.


Ai foli me shqetësim për faktin që kjo pirateri tashmë është shtrirë edhe në format elektronik dhe është bërë një kanal i vazhdueshëm për shpërndarje masive të librave në mënyrë ilegale, duke përmendur me emër rastin e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Ky i fundit, sipas Ymerit, ka blerë libra të piratuar dhe i ka shpërndarë publikisht si dhurata në shkolla e biblioteka, një veprim që përbën jo vetëm shkelje të ligjit, por edhe një përfshirje të drejtëpërdrejtë të një përfaqësuesi të shtetit në një akt të paligjshëm. Por sipas tij edhe në Kosovë rastet janë evidente. 


 “Në Kosovë, pirateria është shumë e përhapur. Janë të përfshira si shtëpi botuese të vogla, ashtu edhe të mëdha, madje edhe librari që i shesin këta libra në panaire,” u shpreh ai.


Ndërkohë, Bujar Hudhri e cilësoi situatën si të pashembullt dhe thellësisht zhgënjyese për botuesit shqiptarë. Ai theksoi se që prej pandemisë, për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe mungesës së kontrollit institucional, shumë libra janë riprodhuar thuajse identikë me origjinalët. 


Hudhri e quajti situatën në Maqedoninë e Veriut edhe më shqetësuese, pasi sipas tij, atje ka fonde shtetërore të konsiderueshme për blerje librash, që në vend që të ndihmojnë botuesit, po shndërrohen në një terren të favorshëm për pirateri. 

“Shumë libra pirat prodhohen në bashkëpunim me komuna të ndryshme dhe shpërndahen në biblioteka publike. Askush nuk i kontrollon. Nuk ke mundësi t’i dallosh ato libra si produkte të paligjshme,” tha ai.


Hudhri denoncoi publikisht se ka ngritur padi ndaj kryetarit të Komunës së Tetovës për shpërndarjen e 5.450 kopjeve të librave të piratuar, një akt që e cilësoi skandaloz dhe moralisht të papranueshëm. Ai theksoi se dëmi i shkaktuar nuk është vetëm ekonomik, por edhe etik, sepse librat pirat janë të shtypur me cilësi të ulët, me faqe të munguara ose me kopertina të deformuara, por qarkullojnë në mënyrë të tillë që lexuesi nuk arrin të kuptojë se nuk po blen një produkt origjinal. 



“Këto libra shpërndahen në shkolla dhe biblioteka dhe do të përdoren nga breza të tërë nxënësish. Imazhi ynë si profesionistë, si botues, si njerëz të kulturës, shkatërrohet. Puna jonë zhvlerësohet,” tha Hudhri me ton të ashpër.


Hudhri shtoi se ajo që e revoltoi më shumë ishte fakti që Kasami, i njëjti që shpërndau libra të piratuar, organizoi edhe një ceremoni publike ku i dha titullin “Qytetar Nderi” shkrimtarit Ismail Kadare, ndërkohë që kishte shpërndarë pa të drejtë edhe vetë librat e tij. “Ai ka pirateruar librat e Kadaresë, të Gabriel Garcia Márquez-it, të Petro Markos dhe autorëve të tjerë të mëdhenj shqiptarë. Kjo është e padrejtë dhe e patolerueshme,” u shpreh Hudhri, duke e cilësuar ngjarjen si një përdorim politik të një akti të paligjshëm, në dëm të kulturës kombëtare.



Në fund të konferencës, Shoqata e Botuesve bëri një apel të hapur për ndërhyrjen e institucioneve shqiptare në mbrojtje të botuesve, duke kërkuar që shteti të mos qëndrojë më pasiv përballë kësaj dukurie që e cilësuan “krim kulturor”. 


Ata theksuan se produkti i tyre nuk është privat, por është pjesë e strukturës kombëtare të kulturës dhe dijes. “Ne jemi të heshtur, të vetmuar, si faktorë të rëndësishëm kulturorë pa mbështetje institucionale. Por puna jonë nuk është një mall në treg, është një pjesë e identitetit tonë,” përfundoi Ymeri.

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

362 Lexime
6 ditë më parë