Bullizmi, 36% e nxënësve mendojnë se në shkollat e tyre ushtrohet dhunë!
Bullizmit, mbi 36% e të anketuarve mendojnë se në shkollat e tyre ushtrohet dhunë. Mënyra kryesore e të ushtruarit të dhunës fizike në të 3 shkollat ku u zhvillua studimi është “shkulja e veshit” ndërsa ajo verbale “fyerje dhe ofendime”.
Shkollat kanë qenë historikisht një vend paqeje, harmonie dhe diturie. Megjithatë, kjo panoramë po ndryshon. Gjithnjë e më shumë, bullizmi në shkollë po tërheq vëmendjen e shumë studiuesve, medias, autoriteteve në shkollë dhe prindërve që janë të shqetësuar rreth sigurisë e mirëqenies së fëmijëve. Studimet ndërkombëtare mbi shkallën e përhapjes së bullizmit tregojnë se një numër i madh nxënësish përfshihen ose ndikohen nga kjo dukuri me pasoja psiko-sociale të rënda që mund të çojnë deri në vetëvrasje.
Në kuadër të temës time të diplomës ku trajtova fenomenin e bullizmit ndërmjet nxënësve kam marrë në studim 3 shkolla 9-vjeçare në qytetin e Kamzës (klasat e 7-a e të 8-a) të cilët u janë nënshtruar pyetësorëve që kam zhvilluar si dhe intervistat me psikologët të shkollave përkatëse.
Pas shqyrtimit të të dhënave arrita në përfundimin se fenomeni i bullizmit është shumë i përhapur dhe këtë e faktojnë nxënësit, mbi 36% mendojnë se në shkollat e tyre ushtrohet dhunë, nga ana tjetër ata janë mjaft të informuar rreth këtij fenomeni.
Mënyra kryesore e të ushtruarit të dhunës fizike në të 3 shkollat “shkulja e veshit” ndërsa ajo verbale “fyerje dhe ofendime”. Nxënësit e kanë të vështirë të përgjigjen kur vjen puna te vetja e tyre, këtë e tregon numri i lart i nxënësve që e kanë lënë pa plotësuar pyetësorin duke patur ndrojtje apo frikë për të treguar dhe pse pyetësori ishte anonim.
Nxënësit që shprehen se janë dhunuar tregojnë se agresori ka qenë në një moshë më të madhe sesa vetë ai. Në pjesën më të madhe të përgjigjeve në lidhje me pyetjen time kërkimore a raportojnë ata nëse shohin dikë që po dhunohet, tregojnë se ndërhyjnë vetë për t’i ndarë në mënyrë që të mos zihen më dhe vetëm një pjesë e vogël zgjedh të njoftojë mësuesin ose mësuesen.
Pyetja ime kërkimore nëse gjendja ekonomike është shkaku kryesor që një nxënës të preket nga bullizmi u hodh poshtë pasi të tre shkollat që unë mora në studim zgjodhën si shkaktarin kryesorë të fenomenit të bullizmit pamjen e jashtme. Sipas tyre kjo është arsyeja apo shkaku që ky fenomen ndodh. Nga ana tjetër, vërtetohet se djemtë janë më të përfshirë në këtë fenomen me një shifër 88%.
Studimi tregon se dhuna ndodh në vende të ndryshme. Dhuna në shkollën “X” ndodh më shpesh në mjediset e klasës kur mësuesi apo mësuesja nuk janë në klasë, ndërsa nxënësit e shkollës “Y” shprehen se dhuna ndodh më shpesh në oborrin e shkollës. Mendim po ashtu ndryshe kanë dhe nxënësit e shkollës “Z” ku sipas përgjigjeve tyre dhuna ndodh më shpesh në pjesën e pasme të shkollës.
Ajo çfarë propozon psikologia e shkollës është këshillimi i vazhdueshëm me nxënësit, informimi dhe ndërgjegjësimi nëpërmjet aktiviteteve e orëve edukative, vigjilenca dhe bashkëpunimi mësues-nxënës-prind i cili është i pashmangshëm në punën psiko-edukative me fëmijët. Sipas psikologes nxënësit nuk raportojnë te psikologu kur bien pre e bullizmit por në një farë mënyre bullizmi i vret në heshtje. Sipas saj, të parët që e identifikojnë nxënësin që ka rënë pre e bullizmit është mësuesi ose prindi. Këshilla e znj. Sulçe është bashkëpunimi ndërmjet 3 aktorëve prind-mësues-psikolog pasi vetëm në këtë mënyrë mund të identifikohej personi që është i bulluar dhe kjo metodë rezulton mjaft e suksesshme dhe mund të çonte në uljen e fenomenit të bullizmit.
Konkluzioni. Nxënësit jo vetëm ishin të njohur me fenomenin e bullizmit, por ishin në dijeni se kohët e fundit ka pësuar rritje.
Rekomandimi kryesor është hartimi i një strategjie dhe zhvillimi i politikave bashkëkohore kundër bulliste nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit, të cilat të synonin rritjen e sigurisë në shkollë, krijimin e një mjedisi mbështetës social si dhe një rishikim i rregullores së shkollës duke përfshirë në programe më shumë fenomenin dhe metodat për mbrojtjen ndaj tij. Mësuesit duhet të zhvillojnë veprimtari në klasë, si dhe diskutime në lidhje me bullizmin që do ta ndihmojnë mësuesin të informohet rreth asaj se çfarë po ndodh në klasën e tij, por do të ndihmojë edhe nxënësit që të ndjehen të sigurt dhe të mbështetur.
(Elson Koleci, student në degën Marrëdhënie me Publikun; Portali Shkollor)
Çfarë do të thotë të jesh studente e infermierisë në Shqipëri këto kohë? Rrëfehet ekselentja Geraldina Mançka
Pedagogia Entela Binjaku: Studentët përballen me një treg pune nepotizmi dhe partiak
MASR/Viti akademik 2020-2021 fillon më 2 nëntor