In memoriam

Ceremoni përkujtimi në nder të ishpresidentit të kompanisë ALBAS, Latif Ajrullait

E shtuna e zezë e një viti më parë u kthye në një të shtunë të bardhë gjatë ceremonisë së përkujtimit të ishpresidentit të kompanisë ALBAS, Latif Ajrullait, i cili humbi jetën nga Covidi nëntorin e 2020-ës. Një ceremoni e thjeshtë shumë prekëse u zhvillua në mjediset e shtypshkronjës Deaprint.

E shtuna e zezë e një viti më parë u kthye në një të shtunë të bardhë gjatë ceremonisë së përkujtimit të ishpresidentit të kompanisë ALBAS, Latif Ajrullait, i cili humbi jetën nga Covidi nëntorin e 2020-ës. Një ceremoni e thjeshtë shumë prekëse u zhvillua në mjediset e shtypshkronjës Deaprint, të cilën ai e drejtoi për 10 vjet radhazi.

 

Ceremonia u zhvillua me punonjës të shtëpisë botuese Albas dhe të Deaprintit.


Shumë prekëse e mallëngjyese ish mënyra e organizimit, ku në ekranin gjigant, një portret i Latifit dukej sikur i përshëndeste duke buzëqeshur e dorën lart. 


Rita Petro partnerja e tij dhe gjithashtu drejtoresha e Albas-it e hapi fjalën e saj duke thënë:

“Le ta kthejmë këtë ceremoni përkujtimi në një ceremoni feste se Latifit i pëlqente kur puna kombinohej me muzikën dhe argëtimin”.


Edhe minuta e heshtjes u mbajt nën tingujt e këngës më të preferuar të tij: Papa was a rolling stone. "Latifi si një yll që shuhet, na la pas shumë energji pozitive dhe dritë, e cila do vazhdojë gjatë, shumë gjatë".

Gjatë ceremonisë e morën fjalën të afërm, bashkëpunues e miq të tij për të kujtuar disa nga momentet dhe kujtimet me të.

I pranishëm, djali, Driton Ajrullai përcolli mesazhin e shpresës: “Kur ju shoh të gjithëve këtu sa jeni, me të vërtetë vështirësia ime lehtësohet shumë. Shpresoj që ditë të mbara do na presin dhe shumë gjëra bashkë mund t’i kalojmë edhe më mirë, duke arritur suksese edhe më të mëdha”.

 

Bashkëpunëtori dhe tani drejtori i shtypshkronjës Deaprint, Redin Jegeni e kujtoi kështu: “Latifi kishte disa pseudonime, shefi, profi, gjyshi, ndërsa për mua ishte shoku, miku dhe partneri”.

 

Nëndrejtoresha e Deaprintit, Marjana Mero solli në kujtesë e me plot nostalgji fillimin e kompanisë gjigante të librit në funksion të të gjithë trevave shqipfolëse: “U bënë mbi 10 vite me Latifin, që në fillim kur u krijua shtypshkronja. Filloi puna dhe ajo që më ka ngelur në mendje është data 24 maj 2010 kur erdhën makineritë e para, e cila ka qenë me të vërtetë një kënaqësi e madhe për mua. Veçanërisht lumturia e Latifit kur u vu në punë për herë të parë rotativi".

 

Moment i veçantë ishte kur në këtë ditë përkujtimore kryeredaktorja e Shtëpisë Botuese Albas, Natasha Pepivani, dhuroi një skulpturë realizuar mjeshtërisht nga Ilmi Kasemi me portretin e Latif Ajrullait, teksa u shpreh se: “Latifi gjithë këtë e nisi si ëndërr, një ëndërr që e bëri projekt, e bëri realitet duket krijuar bashkë me Ritën Albasin, që të kishte shtrirje edhe në Maqedoni, edhe në Kosovë edhe në Preshevë”.

 

Edhe përgjegjësi i Albas në Kosovë Fatlum Hetemi kujtoi me plotë emocion liderin që ka lënë pas shumë vepra, pozitivitet dhe frymëzim: “Ky vit pa të, e kam fjalën pa praninë fizike, ka qenë i vështirë. Ndonëse energjia e tij nuk më ka munguar në asnjë moment. Kam mësuar shumë, ama tri gjëra nuk i harroj e për këto s’do ta harroj kurrë. Kompetencën për punë, organizimin në punë e pasionin për punën. Pasioni është thelbi i të gjithave. Vërtet unë s’kam dëgjuar leksione për udhëheqës model, ama kam pasur fatin të rritem me një udhëhqës model. Profa bashkë me Ritën nuk themeluan thjesht një shtëpi botuese, por krijuan një familje të madhe. Sot punojmë për këtë familje nga të gjitha trevat shqiptare. Të dytë bashkë, si vizonarë e largpamës, me pasion për punën e jetën, hoqën kufijtë për librin shqip".

 

Bashkëpunëtoret e afërta dhe punonjëset e para dhe më të vjetra të kompanisë shprehën mirënjohjen për figurën e tij.

Eva Kukaleshi: “Nuk doja të tregoja asnjë nga kujtimet, vetëm të kujtoj besimin që pati Latifi në atë Kohë...".

Elida Topallaj: “Gjithkush nga ne që është këtu ka shumë për të thënë, por me fjalë zemre jemi të mbushur plot”.

Sevi Agolli: “Me fjalët inkurajuese të shefit unë kam bërë zjedhjen më të mirë në jetë. Faleminderit për besimin që më dha dhe faleminderit që krijoi Albasin”.

 

Kjo vjeshtë na tregon se gjethet bien, por ato janë të arta, të bukura dhe e gjithë panorama është për t’u admiruar, ashtu siç është për t’u admiruar gjithë vepra e madhe mbarëshqiptare që ka lënë pas Latif Ajrullai.

Ai do të mbetet i paharruar!

Nanila Allkja Biçaku 


© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,335 Lexime
2 vjet më parë