OPINION

Çfarë skenarësh duhet të ndiqen që viti shkollor të mos humbasë?

Gazetari i njohur dhe njëkohësisht mësuesi Ardi Stefa sjellë një analizë mbi situatën aktuale të arsimit, ndërsa jep sugjerime të cilat mund të ndiqen nga instancat përkatëse në mënyrë që viti shkollor të mos humbas dhe provimet të zhvillohen.

Prindërit, nxënësit dhe mësuesit janë të shqetësuar nga situata e cila është konfuze dhe krejtësisht e paqartë për faktin se çfarë do të ndodhë sivjet me vitin shkollor.   

Deri më tani është thënë se viti shkollor nuk do të humbasë, por se cilat janë skenaret ende nuk dihet!

Çelja e shkollave u shty për një afat të pacaktuar dhe pasiguria është tashmë në horizont më e dukshme se kurrë, pasi nuk dihet se si do të jetë vendimi përfundimtar i qeverisë për rifillimin e shkollës, në një kohë që nuk dihet ecuria e pandemisë.

Ministrja e arsimit ka thënë se Provimet e Lirimit (klasa e nëntë) dhe të Maturës Shtetërore do të zhvllohen dhe se nuk gjen arsye që ato të shtyhen, pasi zhvillimi i mësimit online është i suksesshëm.


Por a është vërtet kështu?


Pyetjet që dua të shtroj dhe skenaret e mundshme shpresoj të jenë ndihmë për komunitetin e prindërve, nxënësve e mësuese, pse jo edhe për ministrinë e arsimit.


1- A duhet të quhet i humbur viti shkollor?


Viti shkollor, nuk duhet që të quhet i humbur, por i mbyllur.

(Ndoshta dikush mendon se është i humbur, pasi sivjet kishim edhe tërmetin dhe orët nuk u rikuperuan dot.)

Mësuesit dhe nxënësit kanë punuar në kushte shumë të vështira, me një përkushtim të madh, por praktikisht mësimi në distancë në kushtet e Shqipërisë është torturë për të gjithë, pavarësisht trumbetimit që i bëhet gjithë këto kohë. Mësuesit ishin krejtësisht të papërgatitur, ashtu sikundër ishte e papërgatitur ministria për një situatë të tillë. Mësuesit u përshtatën, në kohë rekord, duke shkelur në territore të paeksploruara për ta. Telefonat dhe mesazhet binin orë e pa kohë, duke bërë që mësuesit të ishin 24 orë në dispozicion të nxënësve dhe të linin mënjanë çdo detyrim të tyrin. Mësimet në disa lëndë zhvilloheshin krejtësisht formalisht. Nxënësit pas entusiazmit të parë, tashmë kanë rënë në letargji, duke i vendosur mësuesit dhe prindërit në pozita shumë të vështira. Kuptohet, një gjë e tillë do të ishte shpejt apo vonë e pritshme, pasi nxënësit tanë nuk kanë kulturën, edukatën dhe përgjegjshmërinë nordike!

Gjithsesi, viti shkollor nuk duhet konsideruar i humbur edhe për disa arsye të tjera. Në rast se shkolla qëndron e mbyllur deri në fund të prillit, apo javën e parë të majit, atëherë bëhet fjalë për një periudhë, e cila është rreth 7 javë (duke hequr pushimet e festave të Pashkëve, 1 Majit, Novruzit, etj).

Dhe kjo është një periudhë, e cila relativisht mund të rikuperohet.

Si?

a- Pakësim dhe reduktim i disa temeve mësimore, projekteve, etj, etj.

b- Të konsiderohen të mirëqena të gjitha orët e zhvilluara online, pra plani të rishikohet nën një prizëm të ri e më tolerant.

c- Zhvillimi i orëve të shtata, duke ulur minutazhin e orëve normale.

d- Zhvillim i mësimit edhe në ditët e shtuna, etj, etj.

e- Shtyrje e periudhës së mësimeve përgjatë qershorit, apo edhe në disa ditë të korrikut. Një zgjatje de jure e de facto e vitit shkollor.

Pra, praktikisht viti shkollor mund të shpëtohet.


2- A duhet të rikthehen nxënësit nëpër klasa dhe auditore?


Kjo gjë është e vështirë të thuhet, pasi nuk varet nga ne, por nga ecuria e pandemisë, si edhe vendimet e qeverisë, të cilat do të merren duke pasur parasysh edhe shumë parametra të tjerë ekonomikë e socialë, të cilat për asnjë çast nuk duhet të mos merren parasysh, vetëm në emër të shëndetit publik.

Por nxënësit, sido që të vijë situata apo rrethanat, duhet që sivjet të rikthehen nëpër shkolla. Jo vetëm për mësimin, por edhe për arsye psikologjike e sociale.

I mendojmë pasojat e një izolimi e vetizolimi disamujor të fëmijëve e adoleshentëve në shtëpi, pa shkollë? Kushdo që është mësues e di fort mirë periudhën e përshtatjes që u duhet nxënësve kur vijnë nga pushimet. Shkolla duhet të rifillojë edhe për arsyen e thjeshtë se nxënësit e kanë më të kollajtë të mësojnë duke pasur pranë mësuesit.

Por qeveria duhet të mendojë seriozisht për rifillimin e shkollës edhe për shkakun e thjeshtë, se nëse masat shtrënguese do të lirohen dhe jeta ekonomike gradualisht do t’i rikthehet normalitetit, atëherë këta të rinj e të reja duhet që të mos përjashtohen nga normaliteti.


Si do të ndodhë kjo? Formula mund të gjenden plot.


a- Ndoshta mund të vendoset një lloj mësimi i reduktuar në orar dhe me një orar të posaçëm. D.m.th. të zhvillohen të gjitha lëndët, por me orë jo 45 apo 90 minutëshe.

b- Të zhvillohen vetëm lëndët kryesore.

c- Klasat e dhjeta e të njëmbëdhjeta dhe klasat e nëntëvjeçares me orar të reduktuar, ndërkohë që klasat e nënta dhe të dymbëdhjeta të rikthehen në bangat e shkollës, duke zhvilluar vetëm lëndët që kanë provime.

Po si do të realizohet kjo?

d- Natyrisht secila shkollë duhet të ketë një program fleksibël orari. Ndoshta mësimi mund të zhvillohet edhe me turne paradite e pasdite, duke kërkuar që të respektohen rregullat e distancimit social e fizik, pajisja e mësuesve dhe nxënësve me doreza, maska e dezinfektues. Pra klasat të punojnë me një orar të mirëpërcaktuar, në grupe të vogla dhe kur njëri grup të largohet të fillojë mësimi i grupit tjetër.


3- Zhvillimi i provimeve të Lirimit dhe të Maturës Shtetërore


Flitet që provimet e Lirimit dhe të Maturës Shtetërore duhet të zhvillohen. Dakord, por si? E, pra, mua si mësues që jetoj përditë me ankthin e maturantëve për të ardhmen e tyre më intereson që ta di! Më intereson që mundi i tyre disavjeçar të mos rrëzohet si kështjellë në rërë.

Më intereson që mundi e sakrificat e tyre dhe të prindërve të tyre të shpërblehen me degët që kanë ëndërruar e vënë pikësynim të jetës e të ardhmes së tyre. Më intereson që nxënësit e mi mos ta fillojnë jetën me zhgënjim e të demoralizuar për degën që do humbasin. Se ndryshe nxënësit e mi dhe i gjithë ky brez janë kontigjent për të braktisur Shqipërinë në rastin më të parë.

Më intereson edhe si mësues që puna ime dhe e kolegëve të mi mos të shkojë dëm...

Më intereson edhe si prind që nuk dua që fëmija im të marrë thjesht “dije fejsbukiane”!


Atëherë? Çfarë duhet bërë? Si duhet menduar për këta të rinj e të reja, të cilët u gjendën që qendër të një cikloni të tmerrshëm, jo për faj të tyre?

a- Provimet e lirimit dhe të Maturës Shtetërore të zhvillohen, jo online, pasi (mos të gënjejmë veten), as kushtet, as mundësitë e as infrastrukturën shkollore e teknologjike nuk i kemi.

b- Ndoshta provimet (vetëm për sivjet) duhet të zhvillohen nëpër shkollat përkatëse me mësuesit e tyre, siç zhvilloheshin shumë vite më parë, përballë një komisioni dhe vetëm me gojë. Askush të mos mendojë se do të ketë në këtë rast tolerime në notë nga mësuesit, apo shkollat, pasi kështu vihet në dyshim integriteti profesional e njerëzor i mësuesve.

c- Nxënësit duhet të testohen vetëm për programin e zhvilluar deri në 9 mars, sidomos për maturantët dhe nxënësit e klasave të nënta.

d- Testet, sido që të vendoset, të paktën për sivjet duhet të jenë të një niveli mesatar akademik e psikologjik, ndërkohë që heshturazi mund të ketë edhe ndonjë “tolerim” nga ana e korrigjuesve për një korrigjim të butë...


4- Mësuesit...

Një tjetër kategori e goditur këtë periudhë. Mësuesit e të gjitha niveleve. Mësuesit në arsimin publik e atë jopublik. Këta mësues, të cilët kanë punuar me përkushtim dhe në kushte tejet të vështira. Kanë sakrifikuar orë të tëra nga familja apo fëmijët e tyre, për të punuar me nxënësit. Dhe ende nuk e dinë, mësuesit e arsimit jopublik, veçanërisht nëse do paguhen apo sa do të paguhen. Edhe kjo kategori punonjësish (sidomos mësuesit e shkollave jopublike) duhet të mbrohen me ligj dhe të bëhet ç’është e mundur që të mos lejohet abuzimi ekonomik, psikologjik, apo profesional me ta. Pra mendoj se qeveria duhet të dalë me një akt normativ që të garantojë paprekshmërinë e pagës për mësuesit në shkollat private. 


Nga Ardi Stefa 


© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

7,782 Lexime
4 vjet më parë