Dinastia e Epidamnit - Legjenda e Durrësit para Luftës së Trojës - Botim i ALBAS-it
Shkrimi i redaktores Artemisa Bushi prezanton librin Dinastia e Epidamnit, botim i Albas-it, që rrëfen në vargje legjendën e Durrësit para Luftës së Trojës, duke ndërthurur motive mitologjike, historike dhe folklorike, për fëmijë dhe të rritur.
Nga Artemisa Bushi, redaktore
Një legjendë, gati e harruar, që flet për qytet-portin e bekuar, rrëfyer në vargje nga Epidamn Zeqo.
“Legjenda e Durrësit para Luftës së Trojës”, tanimë është në duart e lexuesve. Mund të lexohet me ëndje nga të gjithë, fëmijë e të rritur.
Me mjaft mjeshtri autori na rrëfen në vargje legjendën e themelimit të qytetit të lashtë Epidamn dhe më pas të Dyrrakionit, aty ku sot shtrihet Durrësi. Legjenda është bazuar mbi motive mitologjike, folklorike dhe burime të autorëve antikë.
Sipas legjendës, mbreti Gurkan ndërton kështjellën e parë mbi mal, ku lind Epidamni, i cili më vonë themelon qytet-portin që do të mbajë emrin e tij. Vajza e tij, Mjaltëza, lidhet me Perëndinë e Detit, Redonin, dhe nga kjo lidhje lind Dyrraku, themeluesi i qytetit të ri Dyrrakion. Në brezin pasardhës lind Joni, princi i ri i qytetit, i cili bie heroikisht duke mbrojtur vendin nga të huajt. Në nder të tij, deti merr emrin Jon, ndërsa gadishulli quhet Ilirik.
Edhe pse përgjatë leximit të vargjeve fëmijët do të hasin edhe terma historikë, gjuha e përdorur nga autori është e thjeshtë dhe mjaft e kuptueshme për ta.
Përmes përmendjes së themeluesve të qytetit, fëmijët mësojnë për trashëgiminë historike të Durrësit të sotëm. Ndërsa elementet natyrore që përdoren gjerësisht në rrëfim, simbolizojnë jetesën dhe mbrojtjen e qytetit. Libri është i pasur me ilustrime që plotësojnë rrëfimin në vargje të legjendës.
Në mbyllje, autori na premton vijimin e rrëfimit në pjesën e dytë, që lidhet me epokën pas Luftës së Trojës.
Shumë urime të përzemërta dhe suksese, Epidamn!
Rrugëtim të mbarë librit në duart e lexuesve!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
"Kitara blu" e Xhon Banvill, romani më i mirë i vitit 2025 sipas Xhoina Salaj
Planet mësimore dhe ditarët e teksteve shkollore të Albas Shqipëri
Shoqja ime Koni