Analizë

Edukimi, sfida e madhe e shoqërisë njerëzore

Në “ekipin e plotë ndërtimor” të karakterit njerëzor ka rol kyç edhe shkolla, sistemi edukues arsimor. Jehona Quku nëpërmjet këtij shkrimi ndalet pikërisht te ndikimi sistematik i shkollës në rolin e madh edukativ të individit.

Tema: Edukimi, sfida e madhe e shoqërisë njerëzore

Përgatiti: Jehona Quku

Shkolla: “Dedë Gjo Luli”, Hot i ri - Shkodër



Sot jetojmë në kohë të tilla që njerëzit, ashtu si copat e drunjve në vërshim uji, enden në pavetëdije. Më e keqja është se, duke pasur mundësi të rrjedhin lumenj aq të fuqishëm, sa të gjallërojë toka, për arsye të këtyre ‘specialistëve’, të cilët nuk i kanë orientuar në drejtimin e duhur, fatkeqësisht tokat kthehen në këneta. Edhe në fjalorin shpjegues, fjala EDUKATË sqarohet si tërësi e vetive shpirtërore e fizike (botëkuptim, cilësi morale, tipare të karakterit dhe vullnetit), që fiton njeriu nën ndikimin sistematik të shkollës, të familjes e të shoqërisë dhe nëpërmjet veprimtarisë së vet të vetëdijshme.


Nëse hapi i parë edukues i individit hidhet pranë familjes, të cilën me të drejtë e quajmë “Bërthama e shoqërisë”, kuptojmë menjëherë se ç’rëndësi mbart guri i parë i themelit që hidhet  në ndërtimin e karakterit njerëzor. Megjithatë, një ndërtesë është shumë më tepër nga çfarë mund të shohësh. Dhe në “ekipin e plotë ndërtimor” të karakterit njerëzor ka rol kyç edhe shkolla, sistemi edukues arsimor.                                            

Do  të ndalem kështu te ndikimi sistematik i shkollës në rolin e madh edukativ të individit, dhe sërish dua t’i referohem një botimi shumë mbresëlënës në rrugëtimin tim modest drejt profesionit të mësuesisë, të titulluar: “Mësuesi, punëtori idealist i shoqërisë”, autor  Beqir Haçi, botim i vitit 1937.


Në librin e tij me 5 kapituj:

  1. Misioni i shenjtë i mësuesit
  2. Cilësitë fizike  të mësuesit
  3. Cilësitë intelektuale të mësuesit
  4. Cilësitë morale të mësuesit
  5. Cilësitë profesionale të mësuesit


Detyra e shenjtë e mësuesisë


Nevojat e ndryshme të shoqërisë njerëzore kanë dhënë rast për zhvillimin e një numri të madh mjeshtërish. Të gjitha mjeshtëritë janë të dobishme, cila më pak dhe cila më shumë dhe pa to bota  nuk do të kishte arritur kurrë përparimin dhe qytetërimin e sotëm.

Mirëpo, nëse ka një mjeshtëri që mund ta quajmë “të shenjtë“, me kuptimin e plotë të kësaj fjale, kjo sigurisht është MËSUESIA. Mjeshtëria e bujkut, e tregtarit, e avokatit, e doktorit etj, janë shumë të nevojshme për mirëqenien e botës njerëzore, por që të gjitha në praktikë kanë të bëjnë me rregullimin e gjërave të përkohshme. Arsimi, përkundrazi, në kuptimin e tij të gjerë, ka të bëjë me problemin e përjetshëm të njerëzisë: me rritjen dhe përgatitjen e brezave njerëzorë, pa kufi kohe dhe pa asnjë fund. Prandaj në çdo kohë dhe në çdo popull, sipas fuqisë së zhvillimit, problemi i arsimit ka zënë vendin e parë dhe, kur s’është njohur e përfillur rëndësia e tij, ka qenë faktori kryesor në humbjen dhe rrëzimin e kombeve.


Është e natyrshme që krahas me rëndësinë që ka për njerëzimin arsimi, të shkojë paralelisht edhe cilësia e lartë profesionale e apostullit të arsimit: Mësuesit.


“Nuk duhet provë që mësuesi është jeta dhe shpirti i shkollës” thotë lbering-u.


Prandaj, mësuesi që merr këtë barrë kaq të shenjtë përsipër, nuk mund të jetë dhe nuk duhet të jetë kurrë njeri dosido. Ky duhet të jetë i përgatitur më parë shpirtërisht për detyrën e lartë që ka zgjedhur, duhet të jetë qind për qind idealist. Mësuesia nuk mund të merret si një detyrë për të fituar bukën e përditshme, të vetes apo të fëmijës, d.m.th mjeshtëri për të mbijetuar.


Çështja e materializmit (që fatkeqësisht e ka verbuar historikisht njerëzimin) duhet  të jetë çështje e fundit tek mësuesi i vërtetë. Mësuesi duhet të jetë sakrifikues i të mirave materiale, nëse lind nevoja, për lartësimin e misionit të tij të shenjtë. Ky duhet t’i hyjë detyrës me mish dhe me shpirt. Një botë e tërë i ka dorëzuar atij shpresën më të madhe të racës njerëzore: BREZIN E RI, themelin e përjetësimit dhe vazhdimësinë e qytetërimit. Prandaj mësuesi nuk duhet të jetë,po e përsëris,një njeri dosido.  


Dëmet që mund të sjellë një avokat i keq, apo një tregtar, apo çdo mjeshtër tjetër duke mos e kryer detyrën e tij, janë asgjë para dëmit që i sjell shoqërisë një mësues i keq. Mësuesi ka të bëjë me brezin e ri, që ndikohet lehtësisht, sipër të mirë, ashtu dhe për të keq, mbasi është në zhvillim e sipër dhe një drejtim i keq që merret në këtë faze jete, e përvetëson për tërë jetën. Mësuesi i keq e plagos shoqërinë njerëzore në rrënjët e saj. Mësuesi duhet të këtë një përgatitje profesionale të plotë.


Në çdo mjeshtri mund të lejohen eksperimente të paqëllimta dhe punë të paparamenduara mirë, por në MËSUESI këto gjëra s’kanë vend. Mësuesi duhet të dijë pse-në e çdo gjëje që bën dhe kjo duhet të jetë e bazuar në dituri dhe shkencë. Po kështu edhe mënyra e zbatimit të punës. Në njërën anë kultura e tij e përgjithshme, në anën tjetër përgatitja profesionale do ta ndihmojnë mësuesin të ece lirisht e pa gabime në rrugën e tij të vështirë. Përgatitja e tij e përditshme dhe kontakti i vazhdueshëm me zhvillimet më të fundit të shkencës dhe qytetërimit, do ta mbajnë të freskët kulturën e tij, të zellshëm dhe punëtor, të dashur dhe të nderuar në mbarë shoqërinë. Por, pyetja që unë shtroj sot për të diskutuar bashkërisht është: 

A duhet parë vërtetë mësuesi si “punëtori idealist i shoqërisë?”.

A mundemi në një botë materialiste të balancojmë vlerat shpirtërore?

A mendoni se ka ardhur koha ta lexojmë drejtë udhëzimin hyjnor se:

“Edhe në alternimin e natës dhe ditës, ka argument për njerëzit që mendojnë” (nga Ajetet kuranore) .

Njeriu nuk mundet ta mohojë se në jetën e tij alternohet edhe dita edhe nata, por ai mundet të zgjedhë të shfrytëzojë dobitë e mëdha të dritës. Mësuesi nuk duhet të ketë frikë të paraqesë para nxënësit me sinqeritet, se ai, si çdo qenie njerëzore, ka dy anët e medaljes, por është aftësia jonë e përzgjedhjes, që na karakterizon si njerëz të dritës, apo të errësirës.


Në një orë mësimore të lëndës së Gjuhës shqipe, mund të tregoj nga eksperienca personale, se si  mundet mësuesi të trajtojë rolin edukues të artit të poezisë apo letërsisë, në shijen estetike të së bukurës, mirësisë, kurajës dhe kënaqësisë. Dy orë të përcaktuara për krijimtari poetike nga vetë nxënësit, frymëzuar edhe nga imazhe panoramike të natyrës, mësuesja paraqet një interpretim të poezisë së Naim Frashërit: “Fjalët e qiririt”.

Në mes tuaj kam qëndruar

E jam duke përvëluar,

Që t'ju jap pakëz dritë,

Natënë t'jua bëj ditë.

 

Nxënësit nxiten  të kuptojnë se shpirti krijues dhe sakrifikues fshihet brenda secilit. Dua të dal te ideja se: Nëse e bindim individin, që ai në këtë jetë është njëkohësisht edhe nxënës, edhe mësues, ai kupton  se është në një proces të pandërprerë njohjeje, por edhe përgjegjësie për të përcjellë këtë dije.

Mësuesi fiton eksperiencë të mësimdhënies nga puna e tij me nxënësin, por edhe nxënësi fiton njohuri nga eksperienca e jetës profesionale e personale e mësuesit. Pra,të dyja palët janë në marrëdhënie reciproke, sepse i ofrojnë njëra-tjetrës nga jeta dhe koha e çmuar që zotërojnë secila.


Cila është marrëdhënia e individit sot me kohën dhe hapësirën?


Zhvillimi marramendës i teknologjisë dhe komunikimit ka shkurtuar jashtëzakonisht konceptin kohë dhe hapësirë. Sot, individi është i lirë të përzgjedhë edhe llojin e informacionit, edhe hapësirën në të cilën dëshiron ta përvetësojë këtë informacion. Sot nuk ka me peshë vetëm aftësia profesionale e mësuesit të, të vendosë mbi fatin e brezave të rinj, që parashikojnë të ardhmen e shoqërisë, por një botë e tërë e digjitalizuar tashmë, luan rol të zhvillimit pozitiv ose negativ të çdo individi.

Çdo gjë e re që hyn në jetën e njeriut, do të jetë e dobishme për aq kohë sa i shërben atij në përmbushjen e nevojave jetësore, por nëse e pushton shpirtërisht, e kthen në skllav dhe e shkatërron si individ.

Fëmijët thithin në mënyrë të natyrshme qëndrimet dhe mendimet e të rriturve me rëndësi në jetën e tyre. Strukturat e bindjeve të të rriturve në të vërtete, mund t’u imponohen fëmijëve. Dhe fëmijët, pastaj, mësojnë të jenë të varur nga mendimet e të tjerëve. Ata mundtë dënohen që të jenë mendjengushtë ose të nxiten te vlerësojnë autoritetin e aftësive të veta arsyetuese, të mendojnë në mënyrë të natyrshme, që njerëzit mund te kenë bindje dhe pikëpamje të ndryshme, të venë në pikëpyetje arsyetimin e tyre dhe të të tjerëve. Në qoftë se fëmija do të bëhet mendjehapur dhe kritik, të menduarit e tij nuk duhet t’i lihet rastësisë. Ne nuk mund të mendojmë gjithnjë për gjithçka, por gjithmonë mendojmë për diçka. Të menduarit  kritik përshkruan se si mendohet për diçka.

Të mësosh të pyesësh, kur të pyesësh dhe çfarë pyetjesh të bësh.

Të mësosh si të arsyetosh, kur ta përdorësh arsyetimin dhe çfarë metodash arsyetimi të përdorësh.

Fëmija mund të mendojë në mënyrë kritike dhe arsyetuese vetëm në masën që është në gjendje të shqyrtojë me kujdes përvojat,të vlerësojë njohuritë dhe idetë. Për të nxitur një fëmijë që të përpiqet të arsyetojë do të duhet të tregojmë se arsyetimi i drejtë sjell ndryshim dhe të çon drejt suksesit dhe se gabimet në arsyetim çojnë zgjidhje të gabuara dhe në dështim. Fëmija do të jetë më i gatshëm që ta bëjë përpjekjen, në qoftë se ka parë një të rritur që i ka dhënë shembullin e kuriozitetit intelektual dhe të këmbënguljes që kërkohet. Kështu p.sh.: në qoftë se ju ka dalë një problem mund t’i tregoni fëmijës se çfarë përpjekjesh kërkohen, p.sh: “Ta mendoj një herë…pse bëj x do te dalë y…”,  “Çfarë së pari?”. “Pse jepet ose thuhet kjo?” Gatishmëria për të arsyetuar ndihmohet nga një qëndrim i shëndoshë ndaj argumentit (rrahjes se mendimeve).


Tipari dallues i mendimtarit kritik është gatishmëria për të sfiduar idetë e të tjerëve. Kjo do të thotë që,në qoftë se duam që fëmijët tanë të jenë mendues kritikë, atëherë ne duhet t‘i nxitim ata që të sfidojnë idetë tona dhe mënyrën tonë të të menduarit. Një rrjedhim i kësaj është, që fëmija duhet të jetë gjithashtu i gatshëm, edhe idetë e veta t’ia nënshtrojë shqyrtimit të imët dhe sfidues të arsyetimit. Megjithatë, kjo është e vështirë për t`u arritur. Ne të gjithë kemi prirjen që idetë tona t‘i mendojmë si zgjatime të vetes sonë. Vënia në dyshim e ideve tona është e përafërt me vënien në dyshim të vetvetes. Për fëmijët është dyfish e vështirë. Kur i mëson fëmijët të mendojnë, se sfida është të të ndihmojë të zbulosh procesin e vlerësimit, miratimi dhe mosmiratimi i ideve të vetes, është një proces i natyrshëm  dhe i shëndoshë; besimi për të qenë vetëkritik mund të forcojë kuptimin e vetvetes.


***


A quhet mësues i  mirë ai që të përcjell dije sipas mënyrës dhe aftësive të tij perceptuese, apo ai që është i bindur të pranojë, se dija është e pafundme dhe nxënësit i lë si detyrë, sikurse edhe vetë mësuesi e praktikon, të hulumtojë për dije të reja dhe të reflektojë për dobinë apo dëmin e saj në jetën personale.

Një mësues i mirë, mendoj unë, që të jetë i denjë për profesionin e tij, duhet thjesht ta dojë me zemër punën e tij, edhe nëse nuk mund të jetë100% idealist. Mjafton që modestish të pranojë se nuk është i pagabueshëm, por, edhe të njohë mirë potencialet e veta, me qëllim që, edhe të rrezatojë dije, por edhe të përvetësojë dije përgjatë gjithë jetës së tij. 



Referencat:

Haçi Beqir (1937) “Mësuesi, punëtori idealist i shoqërisë”.

SpahoVjollca (2005) “Probleme psikopedagogjike e sociale”.

Ertugrul Halit (2000) “Njeriu që kërkon vetveten”.

Topbash Osman Nuri (2011) “101 Hapa në Edukim”.

Kuran – Botim në gjuhën shqipe 1994.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,298 Lexime
1 vit më parë