Eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku: Çfarë duhet të dinë mësuesit për DIVA-n dhe përfitimet tatimore nga fëmijët dhe arsimi
Shkrimi sqaron detyrimin për plotësimin e DIVA-s dhe përfitimet reale nga fëmijët në ngarkim. Zbritja prej 48.000 lekësh ul bazën e tatueshme dhe sjell rimbursim real rreth 6.240 lekë, jo 48.000. Shpjegohen afatet, gjobat, rimbursimi dhe zbritjet për arsimin.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Nga data 22 janar 2026, për 70 ditë, deri në 31 mars 2026, në e-filling çdo individ i dy punësuar, që ka të ardhura 50.000 lekë në muaj nga qiratë, apo të tjerë individë kur të ardhurat e përgjithshme vjetore bruto janë 1.200.000 lekë, duhet të plotësojnë (DIVA), Deklarata Vjetore e të Ardhurave Personale. Nëse deklarimi, nuk kryhet brenda këtij afati, individi ndëshkohet me një gjobë, në vlerën 3.000 lekë. Këtë vit në portale apo media ka qarkulluar si lajm i “madh”, duke referuar se i punësuar përfiton 48.000 lekë, nëse ka të deklaruar fëmijë në ngarkim (nën moshën 18 vjeç). Nuk është plotësisht kështu.
Sipas legjislacionit aktual, i punësuari përfiton një zbritje nga baza e tatueshme për çdo fëmijë në ngarkim (nën 18 vjeç), prej 48.000 lekësh në vit nga të ardhurat totale bruto duke zbritur në një farë mase tatimin e paguar gjatë vitit 2025.
Kjo do të thotë që një pjesë e tatimit mbi pagën që keni paguar gjatë vitit do t'ju kthehet mbrapsht, pasi baza juaj e tatueshme ulet. Po e ilustroj. Nëse ju keni të ardhura bruto të tatueshme në masën 1.200.000 lekë ose më shumë do të keni një zbritje prej 48.000 mbi shumën e këtyre të ardhurave.
Pra nëse keni paguar tatime mbi pagën 1.200.000, që mund ta llogarisim si (1.200.000-360.000)*13 % dhe keni paguar 109.200 lekë tatim. Pas plotësimit të deklaratës do të zbritet shuma prej 48.000 nga baza e tatueshme prej 840,000 për të cilën keni paguar 109.200 leke tatim, gjatë vitit 2025. Nëse bëjmë llogaritjet përkatëse, shuma që duhet të paguanit nëse keni në ngarkim një fëmijë nën 18 duhet të ishte 102.960 lekë. Pra kemi një diferencë prej 6.240 lekë të cilin e keni tepricë dhe mund ta kërkoni ta merrni mbrapsht ose të mbetet në sistemin tatimor si tepricë kreditore për periudhat e mëvonshme. Pra, në asnjë rast përfitimi për shembullin që morëm më sipër, nuk është 48.000 lekë, por 6.240 lekë.
Pasi dorëzoni deklaratën, tatimet kalojnë në fazën e verifikimit. Sistemi kontrollon nëse të dhënat e fëmijëve përputhen me gjendjen civile.
Nëse deklarata rezulton "Me tepricë" (që do të thotë se keni paguar më shumë tatim sesa duhet), kjo shumë njihet si detyrim i shtetit ndaj jush. Rimbursimi nuk kalon automatikisht në llogari vetëm duke dorëzuar deklaratën DIVA. Duhet të ndiqni disa hapa të tjerë. Pasi deklarata pranohet, ju duhet të paraqisni një kërkesë zyrtare për rimbursimin (bëhet online përmes portalit e-filling). Sigurohuni që në profilin tuaj në tatime të keni deklaruar saktë numrin e llogarisë bankare (IBAN). Procesi i rimbursimit mund të zgjasë disa javë ose muaj, varësisht nga radha e miratimeve në thesarin e shtetit Gjithsesi DIVA është e detyrueshme për t'u deklaruar, nëse të ardhurat janë më shumë se 1.2 milion lekë në vit, dhe nëse këtë shkrim e lexojnë mësues apo drejtues shkolle, pjesa më e madhe e tyre kanë detyrimin ta bëjnë, pasi nëse nuk bëhet ka penalitete (3000 gjobë). DIVA mund të plotësohet edhe nga individë me të ardhura vjetore më pak se 1,2 milionë lekë, nëse ata kanë pasur më shumë se një punëdhënës, ose kanë të ardhura të patatueshme apo dëshirojnë të përfitojnë nga zbritjet që përmendën për fëmijë në ngarkim.
Përveç kësaj zbritje prindërit mund të përfitojnë zbritje shtesë për arsimin, e cila shkon deri në 100,000 lekë në vit për shpenzimet e arsimit, nëse fëmija është ende në shkollë dhe të ardhurat e tyre janë më pak se 1.2 milion lekë në vit. Për të marrë zbritjet për fëmijët që ndjekin arsimimin është e nevojshme që të ruhet dokumentacioni i shpenzimeve, si faturat apo mandatpagesat e shkollimit dhe kurset e ndryshme, libra, uniforma, etj. që kanë paguar dhe fëmija duhet të jetë realisht në ngarkimin tënd. Përfituesit e rimbursimit për shpenzimet arsimore dhe për fëmijët janë prindërit që janë ligjërisht të ngarkuar me fëmijë nën 18 vjeç.
Një shembull konkret
| Situata në familje | Zbritje nga bazae tatueshme |
|---|---|
| 1 fëmijë ≤ 18 vjeç | 48.000 zbritje + deri 100.000 për arsim |
| 2 fëmijë ≤ 18 vjeç | 96.000 zbritje + deri 200.000 për arsim |
| Fëmija mbush 18 vjeç | Zbritja prej 48.000 lekë nuk aplikohet; vijon vetëm zbritja për arsim nëse fëmija vazhdon shkollën. |
E sqaroj përsëri se edhe prindërit që nuk kanë detyrimin për plotësimin e DIVA-s nëse duan të përfitojnë rimbursimin për fëmijët duhet të plotësojnë DIVA-n. Nëse ti ke të ardhura të larta mbi 1,2 milionë lekë/vit, përfiton vetëm zbritjen për fëmijët, pra 48 mijë lekë secili, por nuk përfiton zbritjen për shpenzimet arsimore (100.000). Arsyeja është se individët me të ardhura më të larta kanë përfituar një nivel zbritjeje, p.sh. ata me paga të larta paguajnë tatim më të ulët falë normave progresive dhe zbritja shtesë për shkollimin u është kufizuar. Prindërit me të ardhura më të ulëta ose mesatare (≤) 1.2 milionë lekë/vit i marrin të dyja përfitimet. Pra, zbritje 48.000 lekë për çdo fëmijë dhe deri 100.000 lekë në total për shpenzimet arsimore vjetore. Shuma maksimale për arsim është 100.000 lekë në vit edhe nëse ke më shumë se një fëmijë, pra është kuotë fikse, pavarësisht numrit të fëmijëve. Në një familje ku prindërit fitojnë 2 milionë lekë në vit, secili nga puna dhe kanë një fëmijë, nuk do të përfitojë uljen në bazën e tatueshme prej 100.000 lekësh për arsimin, por do të përfitojë vetëm zbritjen 48 mijë lekë për fëmijën, ose 6.240 lekë. Ndërkohë në një familje tjetër me të ardhurat e prindit kryesor 800 mijë lekë në vit dhe ka dy fëmijë, ai prind mund të deklarojë të dyja zbritjet: 2×48 000 = 96.000 lekë për fëmijët plus deri 100.000 lekë shpenzime arsimore.
Gjithashtu sqaroj se zbritjet për fëmijët dhe arsimin mund t’i kërkojë vetëm njëri prej prindërve, jo të dy, praktikisht sipas ligjit dhe udhëzimit përkatëse zbritjet duhet t’i marrë prindi me të ardhurat vjetore më të larta.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant
Material orientues mbi kualifikimin e punonjësve arsimorë, për vitin shkollor 2025–2026 / Dosja e aplikantit
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit