Botim i ri

“Engjëlli Blu” nga Anila Kruti, libër për fëmijë me ilustrime (Për moshën mbi 8 vjeç)

Sapo doli nga shtypi "Engjëlli blu", botimi më i ri i shtëpisë botuese “Albas”. Personazhi kryesor i librit është një djalë i veçantë, me spektrin e autizmit.“Engjëlli blu” ndodhet në të gjitha libraritë, gjithashtu e gjeni nesër në panairin “1 Qershori” pranë stendës Albas, tek Pedonalja.

Ky libër me tregime dhe aventura u kushtohet të gjithë fëmijëve të veçantë si Kori.

Libri flet për jetën e përditshme, të gërshetuar me fantazitë e ëndrrave, parë nga sytë e një djaloshi 8-vjeçar, të cilin shokët dhe miqtë e trajtojnë ndryshe. Vogëlushi me emrin Kori është kureshtar për botën e jashtme. Ndonëse ngurron të përfshihet në grupin e shokëve, për shkak se ata e përjashtojnë dhe e trajtojnë ndryshe nga të tjerët, sërish ai përpiqet të japë më të mirën. Kori është i vëmendshëm ndaj detajeve, studion lëvizjet e lojtarëve dhe, madje, memorizon shkëlqyer historinë e lojës së futbollit. Ky detaj i befason bashkëmoshatarët e tij, të cilët arrijnë të kuptojnë se Kori është po aq i ngjashëm sa ata. 


Mamaja e Korit, Era, tregohet e kujdesshme në bisedat para gjumi, duke i treguar për përralla nga më të ndryshmet. Në ndryshim nga fëmijët e tjerë, Kori nuk pyet përse Kësulëkuqja e besoi ujkun kur i tha që ishte gjyshja, po e pyet mamanë nëse mund të bëhet një engjëll blu, që të jetojë lart në qiell me engjëjt, pasi shokët e tij nuk e duan dhe nuk e pranojnë mes tyre. 


“E dashur mami,

Unë e di që jam ndryshe. Edhe shokët e klasës më shohin ndryshe. Jam mërzitur, ma! Unë rri vetëm. Askush nuk do të ulet me mua në bankë. Edhe kur flas nuk më dëgjon njeri. Më duket sikur jam alien… Çfarë kam ndryshe unë? Ti më thua të mos kem frikë nga njerëzit. Por njerëzit nuk sillen mirë me mua, ma! I kuptoj të gjitha.  

Doja shumë të kisha një shok. Të luaja dhe të dilnim bashkë. Të qeshnim, të flisnim për sportin, për librat dhe shkollën. Por mua nuk më do njeri, as në shkollë, as në klasë dhe as në lagje, se unë jam autik. Ti më ke thënë që fëmijët autikë janë të mrekullueshëm. Po shokët, pse nuk ma thonë këtë? Pse nuk më duan?!


Në fantazinë e vogëlushit engjëjt janë më pranues se njerëzit dhe nuk e diferencojnë Korin nga të tjerët. Ata nuk e quajnë “autik” dhe nuk e tallin, sikurse bën Tili në lagje. Engjëjt e duan njësoj si mamaja e tij. Duke qëndruar para pikturës së nënës së tij, Kori përhumbet dhe ndërmerr një udhëtim plot me aventura, sfida e të papritura, ku njeh miq të rinj që e duan shumë. Në udhëtimin imagjinar të Korit, qeni Dasi, delfini Zuro dhe dhelpra flasin dhe veprojnë njësoj si njerëzit. Kafshët bëhen miqtë e tij më të ngushtë, që e shoqërojnë në aventurat e tij në botën ujore dhe atë tokësore. Kori kupton se në këtë botë fantastike të gjithë e duan dhe merr prej tyre atë që nuk e merr nga shokët e lagjes dhe të shkollës: dashurinë. 


Në fund të këtij udhëtimi, hipur mbi kalin e tij pikalosh, Korit i duhet të përballet në një garë me Tilin që e tall vazhdimisht. I frikësuar për këtë përballje, në vesh u kumbojnë fort fjalët e gjyshit: “Ec para pa frikë, bir! Forca jote është në zemrën tënde!”. Këto fjalë inkurajuese e bëjnë Korin ta fitojë garën dhe ta lërë Tilin pas. 


Kori e kupton se bota nuk është një vend vetëm armiqësor. Sa kohë që ka pranë familjarët, kafshët dhe disa miq të ngushtë, Kori do të jetë i pranuar dhe i lumtur, si çdo fëmijë tjetër në botë. 


Libri më i ri për fëmijë ndodhet në treg prej pak ditësh. “Engjëlli blu” ndodhet në të gjitha libraritë, gjithashtu e gjeni nesër në panairin “1 Qershori” pranë stendës Albas, tek Pedonalja. 




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

644 Lexime
5 muaj më parë