Çështja e fiktivitetit në maturë

Evans Drishti: 2023-i i Maturës Shtetërore, çfarë stimulon “hapësira e madhe”?!

Zhvillimi i provimeve të maturës në “një hapësirë të madhe” sjell një komoditet të domosdoshëm për mbarëvajtjen e këtij procesi domethënës dhe vlerësues.Kjo natyrshëm shmang kopjimin si një “mundësi djallëzore” e evidentueshme që ka sjellë përherë disbalancimin “hakërryes” mes “atij që di” dhe “atij që s’di”.

“Këtë vit provimet e maturës do bëhen në hapësira të mëdha”. 

Kjo është kryefjala ideore dhe vendore për maturantët e këtij viti. Kjo sjell natyrshëm edhe “risi”të e 2023-it për maturën dhe maturantët.

Po për maturimin?!

“Fiktivitet notash” është një tjetër “fjalë kyçe” që përbën thelbin e këtij “ndryshimi” të domosdoshëm dhe domethënës… 

Çdo maturant “po ndërgjegjësohet” SOT për mbarëvajtjen e “sukses”-it të shumëkërkuar. Po si?

S’dolën SOT për herë të parë mësimdhënësit e maturës shtetërore për të dhënë orientimet e duhura dhe të mirëkuptueshme për maturantët… 

S’dolën SOT për herë të parë orientimet e qarta dhe të kuptueshme për maturën shtetërore për të krijuar qasjet kyçe dhe faktike për “thelbin” e këtij procesi… 

S’dolën SOT për herë të parë lëndët përkatëse të “provimit të maturës shtetërore” si: Gjuhë dhe Letërsia shqipe, Matematika dhe Gjuha Angleze apo edhe ajo me zgjedhje… 

S’dolën SOT për herë të parë “natyrat” dhe “stilet” e teksteve letrare dhe joletrare për t’u bindur se një tekst i caktuar kërkon domosdoshmërish një “LEXIM” të kujdesshëm dhe të mirëfilltë… 

S’dolën SOT për herë të parë “formulat” dhe “konceptet” matematikore për t’u fokusuar në “kuptimësinë” e një ushtrimi për marrjen e një zgjidhjeje të saktë… 


S’besojmë se do pritet ndonjë “mrekulli” për të përftuar një “kthesë” të paimagjinueshme për një ngritje të dukshme të nivelit “intelektual” te të rinjtë vetëm në sajë të një “provimi”, ashtu sikurse besojmë se për sa kohë të “respektojmë” normat më bazike të të qenurit “maturant” si: 

  • Ndërgjegjësimi dhe serioziteti për të qenë një maturant i plotësuar; 
  • Përqendrimi dhe fokusimi te materiali lëndor, veçanërisht në lëndët bazë të provimit; 
  • Korrektësia që duhet të tregojë për të kuptuar çdo shpjegim të mësimdhënësit përkatës;
  • Këmbëngulja që duhet të shfaqë çdo ditë duhet rritur medoemos vetëllogarinë dhe kërkesën e llogarisë ndaj mësimdhënësit për çdo shpjegim të munguar apo të paplotësuar;
  • Heqja një herë e mirë nga truri “adoleshent” se në rrugë sa më të shkurtër të marrim çdo gjë të mundshme për rezultate të larta;
  • Bindja një herë e përgjithmonë se vetëm duke bërë një “LEXIM” të qartë dhe të kuptueshëm do arrijë padyshim në zgjidhjen e çdo kërkese në dukje “të pazgjidhshme” dhe aq më tepër edhe në përgjigje tejet të sakta;
  • Shmangien një herë e mirë nga truri të një psikologjie shkatërruese të formimit intelektual të të rinjve të frazës “brutale” sikurse thuhet “Ç’më duhet kjo lëndë apo ky lexim?!”;
  • Rritja e leximeve të rregullta duke marrë paralelisht “shënime” fjalë dhe fraza të ndryshme për t’u qartësuar në kontekstin e dhënë;
  • Bindja një herë e mirë se s’mund të ketë një rezultat “të pritshëm” apo “të shumëkërkuar” duke i lënë “leximet” dhe “studimet” e lëndëve për në fazën e fundit përgatitore pak orë para provimit, me idenë “përvëluese” se “diçka do bëjmë!” …


Ky provim i maturës shtetërore s’mund të krijojë asnjë lloj alibie në psikologjinë e asnjë maturanti si diçka e “pakapërcyeshme” apo “e stërmundimshme” per aftësinë intelektuale të të rinjve.  

Zhvillimi i provimit të maturës shtetërore në “një hapësirë të madhe” sjell një komoditet të pranueshëm dhe të domosdoshëm për mbarëvajtjen e këtij procesi domethënës dhe vlerësues.

Kjo natyrshëm shmang “kopjimin” si një “mundësi djallëzore” e evidentueshme që ka sjellë përherë disbalancimin “hakërryes” mes “atij që di” dhe “atij që s’di”… 

Është munduar tërë kohës mësimdhënësi profesionist dhe i përkushtuar të ofrojë për çdo natyrë maturanti “fleksibilitetin” dhe “largpamësinë” si armata të qenësishme për një arritje “suksesi” të pranueshëm... duke sjellë në çdo orë mësimore dhe konsultative:

  • Shpjegim të qartë dhe të kuptueshëm; 
  • Arsyetim konkret të fjalëve dhe fjalive sipas konteksteve përkatëse;
  • Gjykim të hollë dhe frymëzues për çdo temë dhe tematikë;
  • Interpretim rrëqethës dhe intuitiv duke u futur në botën ideore dhe shpirtërore të çdo maturanti;
  • Argumentime të sakta dhe bazike për çdo lloj ushtrimi apo koncepti themelor; 

Për rrjedhojë i ashtëquajturi “fiktivitet i notës” vjen natyrshëm drejt “eliminimit” duke u bindur jo vetëm mësimdhënësi, por edhe maturanti se çdo përpjekje e mundshme për t’u sjellë “i mëshirshëm”  ndaj formimit të një maturanti mbetet “boshe” dhe “false”, e për më tepër “tronditëse” dhe “penalizuese” për të dyja palët!  


Ka shumë rëndësi që kjo “FLETË PROVIMI” të mos përgatitet “vështirësuese” dhe “tronditëse” për mendjen e ndritur të maturantit, por “lehtësuese” dhe “bindëse” për të nxjerrë në pah atë formim “logjik” të kultivuar në trevjeçarin e artë të gjimnazit, e jo vetëm… 


Ashtu sikur ka shumë rëndësi edhe “risi”-ja tjetër e 2023-it, sipas së cilës maturanti ka të drejtë të shohë fletën e tij të provimit për t’u bindur për rezultatin, një proces tejet i domosdoshëm dhe shumë i kërkuar për vite me radhë. Por duhet të pranojmë se edhe në këtë rast, sërish kërkohet “LEXIMI” dhe “MUNDIMI” për një përgatitje serioze e dinjitoze. Për sa kohë që kjo përgatitje të merret “LEHTË” si e papërfillshme duke mos shfaqur ndonjë preokupim të vlefshëm, të jemi të bindur se çfarëdo metode “e vyer” të përdoret gjatë procesit s’mund të sjellë as mund të ketë asnjë lloj efekti në përmirësim të rezultatit. 


Ashtu sikur ka një rëndësi tejet të posaçme të kuptohet një herë e mirë edhe fakti se çdo “PROVIM” në vetvete mirëfilltazi sjell një “çoroditje” psikologjike dhe një “ankth” të padëshirueshëm te çdo maturant, për arsye që dihen, e si rrjedhojë një emocion i momentit sjell “PAQARTËSI” dhe “PËRGJIGJE TË PAPLOTA” ku edhe një maturant i notës 10 (dhjetë) fatkeqësisht “zbret” më poshtë duke mos prezantuar gjithë atë kolorit aftësish që ka ushqyer dhe mbartur prej vitesh. 


Edhe në raste të tilla s’mund dhe s’duhet “gjykuar” dora e mësimdhënësit apo aftësia vlerësuese e tij për përcaktimin e kësaj NOTE”, pasi një nxënës i suksesshëm i notës së merituar dhjetë është i tillë në çfarëdo lloj shkolle që të studiojë. Kjo natyrshëm ka të bëjë me perceptimet që sjellin pyetjet dhe “pranueshmërinë” e përgjigjeve. Çdo maturant i suksesshëm është mëse i vetëdijshëm se çdo përgjigje analizuese dhe shtjelluese ka të bëjë natyrshëm edhe me “kontekstin” jo vetëm të fragmentit të dhënë, por edhe të librit nga është marrë. 


Që ka një “rënie” të dukshme të interesimit të të rinjve ndaj “leximit”, kjo është një dukuri “e kuptueshme”, por një orientim i qartë dhe përfshirësi maturantëve drejt një “leximi” të kthjellueshëm përbën një prioritet të kohës dhe një çelës suksesi… 


“Të mbytur” dhe “të mbështjellë” nga vorbulla marramendëse e informacioneve teknologjike, nxënësit e sotëm shfaqen “të turbulluar” dhe tejet “padëshirë” ndaj kësaj “sfide” që ofron edhe matura shtetërore, prandaj është dhe mbetet domosdoshmëri përcjellja e “thelbësores” dhe “konkretes” të teksteve të ndryshme duke iu shmangur “hallakatjes” së padëshirueshme që i sjell maturantit vetëm “pakënaqësi” dhe “ankth”… 


“Logjikja” dhe “e arsyetueshmja” mbeten përherë çelësat e duhur për të kuptuar një kërkesë ushtrimi, sado e vështirë të jetë në pamje të parë...


“Fjalë kyçe dhe fraza konkrete” përbëjnë përherë thelbin e një përgjigjeje të qartë dhe të saktë për pyetjet që kërkojnë shtjellim dhe analizë… 

“Lexime të qarta dhe të sakta” kërkojnë tekstet për të marrë ndërkaq edhe përgjigje të vlefshme… 

“Dashurojeni” lëndën, qoftë edhe një herë të vetme, që të jeni “të shpëtuar” për tërë jetën… 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,314 Lexime
1 vit më parë