Reflektim

Evans Drishti: Gjuha ruhet atje ku shkruhet

Një lexim i vijueshëm sjell një njohje të mirë të gjuhës, e cila domosdoshmërish kërkon shkrimin e rregullt të saj për ta trashëguar atë brez pas brezi si një pasuri identitare.

Pas një pune të gjatë dhe natyrshëm edhe të lodhshme me përgatitjet e festimeve për festat e Nëntorit, ku çdo institucion arsimor u përpoq me mish e me shpirt të përcillte dhe të pasqyronte një atmosferë të këndshme dhe domethënëse, me shpresën se çdonjëri prej të rinjve ka arritur të kuptojë thelbin e këtyre organizimeve, peshën e madhe që mbartin në vetvete tekstet letrare qofshin ato poetike, dramatike apo edhe në prozë, veshjet popullore, tekstet e këngëve të larmishme kushtuar vlerave identitare si gjuha dhe atdheu, urtësitë popullore, tablove historike të një pavarësie të ndritshme … është koha tanimë e një pauze të shkurtër që na ndihmon të reflektojmë më thellë për pozicionimin tonë në shoqëri dhe për aspiratën që i vëmë vetes në ndërtimin e hapave të jetës. 


Në kërkim të një prehjeje shpirtërore i hedhim një vështrim të shkuarës sonë, teksa shfletojmë në ato raftëzat e një biblioteke modeste në ambientet tona familjare, ca fletore që i përkasin viteve të mëparshme, atëherë kur ne ishim në bankat e para të shkollës. 


Ishin të tjera kohë, kur puna me shkrimin merrej shumë seriozisht, ku përkujdesi për ta shkruar germën e alfabetit të shqipes sonë ishte tejet i dukshëm, ku vëmendja për ta shkruar fjalën e bukur shqipe merrte një tjetër dimension, ku ndërgjegjësimi për ta kuptuar domethënien e saktë dhe të plotë të fjalës së bukur shqipe sa vinte dhe bëhej më i ndjeshëm… 


Punohej së tepërmi për atë që quhej “bukurshkrim”, jo vetëm në klasat e para, por për gjatë tërë periudhës së sistemit parauniversitar. Punohej me një këmbëngulje të fortë si nga ana e mësimdhënësit ashtu edhe nga ana e nxënësve, e aq më tepër edhe nga ana e vetë familjarëve të nxënësve, që çdo fjalë dhe frazë të përftonte peshën që i takonte. Në fakt, kjo gjë s’ndodhte vetëm në lëndën e gjuhës shqipe, por në të gjitha lëndët. Sepse njeriu i kohës ishte i ndërgjegjësuar se vetëm nëse punohej fort me shkrimin do arrihej që brezi i ri të kuptonte peshën që mbart fjala dhe gjuha. 


Edhe në rastet e organizimeve të ndryshme nxënësit uleshin dhe i shkruanin pikësëpari tekstet që u jepeshin për interpretim, i lexonin me shumë vëmendje dhe nën drejtimin e mësuesve përkatës aftësoheshin në shqiptimin e saktë dhe të duhur të çdo fjale dhe fraze, në mënyrë që shqipja të tingëllonte sa më bukur dhe pastër. Interpretimet nuk silleshin thjesht për një interpretim, përkundrazi pasqyroheshin me një emocion të fortë me qëllimin e vetëm që të gjithë të pranishmit të përjetonin po ato emocione sa ç’jepte vetë fjala e gjuhës shqipe. Ata përfshiheshin në brendinë e tekstit duke u kthyer në vetvete në një retrospektivë që vetëm energji të ofronte. 


Puna e pavarur si qëllim më vete 


Në fillim të procesit arsimor nxënësit pajisen me “fletore” të larmishme, ku një vend të posaçëm sigurisht zë “fletorja e detyrave të shtëpisë”. Ndërkohë që në të shumtën e rasteve thuajse lihet mënjanë një detyrim tjetër për “punën e pavarur” që realizohet në “fletoren e klasës”. 

Çdo lëndë mësimore qoftë e shkencave natyrore apo ekzakte padyshim që përmban në vetvete një “detyrim” për të ushtruar nxënësit në punën me shkrim, e cila mund të jetë e larmishme:

  • Shkruhen terma apo fraza që dalin nga teksti i dhënë. 
  • Shkruhen fjali që mbartin një peshë kyçe për të nxjerrë në dukje kuptimin e pjesës apo fragmentit. 
  • Shkruhen informacione që kanë të bëjnë me data, emra vendesh, të dhëna dhe karakteristika të personazheve të ndryshme qofshin ato historikë, letrarë etj. 
  • Shkruhen kërkesa të ndryshme ushtrimesh shoqëruar me zgjidhjet përkatëse. 
  • Shkruhen formula të ndryshme që përbëjnë thelbin e temës. 


Ajo që duhet të spikasë më tepër është “forcimi i logjikës së nxënësit” për të nxitur kreativitetin në botën e tij. Kështu: 

  • Shkruhen fjalë apo fraza të ndryshme nëpërmjet të cilave nxënësit vihen të formulojnë fjali të qarta dhe domethënëse apo edhe tekste, bazuar në librat që kanë lexuar apo që lexojnë. 
  • U jepen shprehje të ndryshme sipas lëndëve përkatëse, ku nxënësit nxiten të japin mendimet dhe opinionet e tyre në lidhje me kuptimësinë. 
  • Mund të punohet në lidhje me vendet e ndryshme të hapësirës gjeografike duke i vënë nxënësit të gjykojnë për specifikat përkatëse. 
  • Mund të nxiten të kuptojnë lidhjet e lëndëve të ndryshme laboratorike me hapësirat që ofron përditshmëria…


Puna me projektet 


Vitet e fundit vihet re një “trysni” e fortë në realizimin e “projekteve” lëndore, të cilat përbëjnë edhe një prej boshteve qendrore të vlerësimit që do marrë nxënësi në fund të një tremujori. 

Nxënësit shihen teksa “gërmojnë” në spektrin e pakufishëm të “Google”, si rrugëzgjidhja më e shpejtë, në gjetje të ndonjë materiali “shpëtimtar” që do i finalizojë “projektin” për përftimin e “notës së merituar”. Për rrjedhojë vjen menjëhershëm metoda e njohur kompjuterike “Copy-Paste” e cila vjen si shpëtimtare për natyrën “e palodhur” të brezit të ri. 


Në këtë drejtim duhet një punë këmbëngulëse e çdo mësimdhënësi që të ofrojë orientimet e duhura në mënyrë që “puna me shkrim” të jetë mbizotëruese edhe në realizimin e projekteve të larmishme lëndore. Padiskutim që teknologjia është një mundësi e artë që na vjen në ndihmesë secilit, por puna me shkrimin është thelbësore të mbetet përherë “parësore” si një mundësi e artë e aftësimin të brezit të ri me shkrimin e saktë dhe të duhur të shqipes, pavarësisht cilës klasë apo cilës fushë i përket. 


Për sa kohë që të ushtrojmë rregullisht “punën me shkrimin” arrijmë të kuptojmë njëherë e mirë shkrimin e saktë dhe të kuptueshëm të fjalëve dhe për rrjedhojë ndërgjegjësohemi edhe në respektimin e “rregullave drejtshkrimore” 


Fjalët shqipe dhe fjalët e huaja 


Ka shumë rëndësi që fjalët e huaja, që janë në përdorim të dendur në përditshmërinë tonë, të zëvendësohen me fjalë të mirëfillta të shqipes. Kështu: 


I përkryer në vend të perfekt 

I përshtatshëm në vend të adapt 

Zotim në vend të angazhim 

Miratoj në vend të aprovoj 

I vrazhdë në vend të brutal 

Teproj në vend të ekzagjeroj 

Ndjek në vend të frekuentoj 

Shmang në vend të evitoj 

Ngul këmbë në vend të insistoj 

Përfundim në vend të konkluzion 

Epërsi në vend të superioritet 

Pajtim në vend të abonim 

Të lutem në vend të aman 

Thirrje në vend të apel 

Zbatoj në vend të aplikoj 

Vendimtar në vend të deçiziv 

Ngjarje në vend të eveniment 

Zemërim në vend të indinjatë 

Ndikoj në vend të influencoj 

Padituri në vend të injorancë 

Kureshtar në vend të kurioz  


Një lexim i vijueshëm sjell një njohje të mirë të gjuhës, e cila domosdoshmërish kërkon shkrimin e rregullt të saj për ta trashëguar atë brez pas brezi si një pasuri identitare. 


Nga Evans Drishti 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

486 Lexime
1 muaj më parë