INTERVISTË

Forca e magjisë në serinë me përralla "Ariu i bardhë i ëndrrave"

Babaxhani ëndërr-realizues siç është Ariu i Bardhë i Ëndrrave, sjell një violinë prej reje nëpër ëndrrat e tij. Sa magjike është kjo? Bëjini fëmijët tuaj pjesë të kësaj fantazie.

Përmes serisë "Ariu i bardhë i ëndrrave", psikologia Denada Toçe na flet për rëndësinë e fantazisë tek fëmijët, duke i konsideruar ato çaste të magjishme, si dhe na tregon arsyen dhe motivin e frymëzimit të saj, për të botuar tri libra të kësaj serie, nëpërmmjet një bashkëpunimi të frytshëm me shtëpinë botuese "Albas". 


Magjia, atë që do të duhet ta dhurojë vetëm përralla. Besimi, atë që do të duhet ta ketë çdo fëmijë në rritjen e tij. Dashuria, atë që do të duhet ta përjetojë çdo fëmijë në familje, që të ndjehet se është një person, me të drejtën për të ëndërruar, për të pasur dëshirat e tij dhe kujdesi që këto dëshira, në dukje ndonjëherë të vogla edhe për vetë prindërit, por aq të rëndësishme për rritjen emocionale të shëndetshme të fëmijës. 


1. Librat për fëmijë mbi tre vjeç duket se po bëhen "specialiteti" juaj, gjinia që më së shumti po lëvroni. Si nisi vëllimi parë? 

Dëshira për të shkruar ka qenë me mua për një kohë të gjatë. Kam shkruajtur edhe më përpara, tregime të vogla, poezi, por shkrimi i përrallave ka një përmbajtje disi të veçantë. Ajo lindi bashkë me etjen e një nëne të re, për t'i dhënë fëmijës së saj më të mirën. Kur Samuel erdhi në jetë, që ditët e para i kam lexuar libra nga më të ndryshimit. Lumturisht e përfshirë në kënaqësinë për t’i mësuar çdo gjë nëpërmjet librit. Fatkeqsisht, sa më shumë kërkoja libra në gjuhën shqipe, aq më pak gjeja libra cilësorë dhe ndihesha e dëshpëruar, pasi ose ishin shqipëruar me një fjalorth të papërshtatshëm për fëmijë, ose të shtypura/botuara (varfër), ose histori që nuk i përkisnin moshës së fëmijës. Sa më shumë Samuel rritej, aq më tepër kërkonte përralla të reja, edhe duke kaluar fazën e këndshme të përsëritjes. Seritë e Maksit dhe Konit ishin aq të këndshme sa i mbaruam me një frymë dhe i përsëritëm aq herë sa ishte Samuel që m’i tregonte mua dhe ndonjëherë me vinte ai në gjumë. Por edhe ato mbaruan shpejt dhe kështu riktheheshe te përrallat franceze meqenëse Samuel është frankofon. Madje, mbaj mend që në fillim fare kam përdorur disa libra me autorë amerikanë, sepse ishin kaq të thjeshtë dhe llogjikë si “good night moon”, “the zoo” etj. Duke përjetuar këtë histori me librin shqip për fëmijë, më ngacmonte çdo ditë dëshira për të bërë diçka vetë. Kështu fillova të shkruaj përralla shqip, të cilat do të duhet të plotësonin në këtë boshllik me fëmijën tim dhe ndoshta me të gjithë nënat që kanë hasur vështirësi të ngjashme. Gjithashtu t’i bashkoheshe traditës në tregun shqiptar, traditës së librit për fëmijë, që dikur ishte prioritet për edukimin e brezave. Botimet e vjetra të disa prej përrallave shqip i kisha konsumuar tashmë, ndaj u frymëzova të vazhdoja atë traditën e fjalorthit të thjeshtë që zgjon te fëmija çaste lumturie dhe imagjinate të një bote të paqtë.


2. "Ariu i bardhë i ëndrrave" është një seri e në secilin prej tyre përfshihen "personazhë të vegjël" të ndryshëm. Tek më i fundit gjejmë Jonin dhe Kaltrën. Cila është veçantia e tyre?

Frymëzimi i përrallës së parë erdhi prej Samuelit, djalit tim ndaj dhe mori atë emër. Pasioni qe ai ka për veglat e muzikës u shpalos me një babaxhan ëndërr-realizues siç është Ariu i Bardhë i Ëndrrave, i cili i sjell një violinë prej reje nëpër ëndrrat e tij. Sa magjike është kjo? Të gjithë fëmijët e duan magjinë në jetën e tyre. Këtë magji u përpoqa të dhuroja ne përrallën e dytë me Aurorë balerinën dhe fustanin e saj shumëngjyrësh. E treta dhe e fundit vjen me dy fëmijë, vëlla e motër. Tregon marrëdhënien e tyre mes njëri-tjetrit, dinamikën familjare dhe pushimet e tyre modeste në fshatin e gjyshërve. Aventura e një shtëpize mbi pemë dhe realizimi i saj në ëndrra me personazhin Ariun e Bardhë të Ëndrrave, është sërish magjik dhe i fton fëmijët të kërkojnë çaste lumturie në gjëra të thjeshta, larg shtëpisë, televizorit, kompjuterit, por të gjejnë bukuritë dhe dhuratat e pashoqe që jep natyra.

Magjia, atë që do të duhet ta dhurojë vetëm përralla. Besimi, atë që do të duhet ta ketë çdo fëmijë në rritjen e tij. Dashuria, atë që do të duhet ta përjetojë çdo fëmijë në familje, që të ndjehet se është një person, me të drejtën për të ëndërruar, për të pasur dëshirat e tij dhe kujdesi që këto dëshira, në dukje ndonjëherë të vogla edhe për vetë prindërit, por aq të rëndësishme për rritjen emocionale të shëndetshme të fëmijës. 


3. Si i keni ndërtuar personazhet tuaj? A ka ndikuar aspekti psikologjik në mënyrën si i keni brymosur ato?

Personazhet e përrallave lidhen me jetën e përditshme dhe me jetën eskperienciale të një shkrimtari, ndaj dhe mbi të gjitha aspekti psikologjik është i përfshirë në to. Në çdo frazë imagjinate, jam munduar të sjell grimcat e ndjesive të fëmijës, etjen që ai ka për të përjetuar atë qoshen e lumturisë dhe sigurisë, aventurën e një ëndrre të qetë, larg frikërave dhe drojeve të jetës që ndonjëherë i mbars jeta e fëmijës, kurdo qoftë. 


4. Çfarë rëndësie ka për ju dizajni kur bëhët fjalë për librat për fëmijë. Ç'mund të na thoni konkretisht për anën vizuale të librit tuaj?

Figurat, konkretja, ngjyrat janë thelbi i sekuencës së tregimit të një përralle dhe si rrjedhojë sekuencës së imgjinatës. Ilustrimi i jep jetë personazheve, krijon shokun imagjinar të fëmijë, dhe pse jo personazhin e dashur, projekton emocionet e fëmijëve, i fton keta të fundit të lundrojnë në përrallë dhe të ëndërrojnë me sy hapur. Çdo fëmijë, përjeton emocione të mrekullueshme nëpërmjet figurave dhe prek shqisën më të rëndësishme, të parin, e cila e çon drejt mendjes dhe këto imazhe e shoqërojnë individin derisa mbyll sytë. Duhet ta pranojmë, ilustrimet e bukura që kemi gjetur në librat e fëmijërisë, kanë mbetur me ne edhe sot e kësaj dite. Ne me sy mbullur mund t’i identifikojmë edhe sot ato libra dhe ato personazhe: Xim kopsa dhe Lukas makinisti, një udhëtim i mrekullueshëm, aventurat e Tom Sojerit, etj. Po pse, a do të kishte kuptim Pipi çorapegjata pa bishtalecat e saj, qukat dhe çorapet shumëngjyrëshe? 


5. Sa e rëndësishme është për ju "të zgjosh" fantazinë e fëmijëve?

Unë mendoj se çastet me të magjishme që njeriu ka ne fuqinë e krijimit, është mendja, imagjinata. Për një fëmijë, ka shumë vlerë të stimulohen ngjyrat, pafundësia e imagjinatës së tij, për t’i dhuruar kreativitetin e pashtershëm, një pasuri që do ta ketë gjithë jetës me vete. Pa kreativitet, njeriu është shterpë dhe i parashikueshëm. Fantazia zgjohet bashkë me interesin, ndaj dhe një shkrimtar përrallash do të duhet të mësojë kujdesshëm se cilat mund të jenë interesat e fëmijëve.  


6. A jeni nxitur nga eksperienca juaj peronale si nënë për të shkruar këtë libër?

Dhurata më e bukur që njeriu ka në jetë është mbarsja dhe lindja. Ardhja e Samuelit në jetë, i dha kësaj të fundit një kuptim krejt tjetër. Si duket, ky proçes është pasuar me mbarsjen e lindjen e një përralle dhe më pas të tjerave, krejt natyshëm. Sikur të mos doja ta përmbyllja me aq. Çuditërisht i dua këto krijime sikur të ishin fëmijët e mi, pa patur merakun se do të gjendeshin vetëm, sepse shokët më të mirë kanë fëmijët.


7. Do të vijojë seria "Ariu i bardhë i ëndrrave", si një bashkëpunim i suksesshëm  me shtëpinë botuese "Albas"?

Libri i tretë i kësaj serie është menduar që të jetë i fundit, por do të shikojmë në të ardhmen se si do të vazhdojë, pasi krijimi nuk ka limite të planifikuara, si një koncert me katër kohë. Kemi menduar bashkëpunime të tjera mjaft interesante me shtëpinë botuese ALBAS. Shumë shpejt do ta bëjmë me dije lexuesin, që nga më i vogli dhe tek ai fëmija më i rritur. Kemi menduar me shkrimtaren Rita Filipi, që të ndërmarrim një bashkëpunim për të bërë një libër me seri për fëmijët adoleshentë, por do të duhet edhe pak kohë të piqet, pasi aktualisht ajo është mbarsur me një krijim të vetin mjaft interesant, saqë mezi pres sjelljen në jetë të saj. 



(Intervistoi Parajsa Shtini; Portali Shkollor)

2,315 Lexime
4 vjet më parë