INTERVISTË

“Gënjeshtra të bardha” – gënjeshtra të vogla prindërish, që ndezin fantazi të mëdha te fëmijët

Sevi Lami Agolli për "Portalin Shkollor" tregon si lindi libri "Gënjeshtra të bardha". Sidomos prindërit duhet ta bëjnë pjesë të bibliotekës së tyre këtë botim të "Albasit", që t’u japin përgjigjen e duhur pyetjeve të vështira që bëjnë fëmijët.

Sevi Lami Agolli për  "Portalin Shkollor" tregon si lindi libri "Gënjeshtra të bardha". Vitet e shumta të punës si redaktore, por edhe eksperienca e saj si nënë, i dhanë jetë këtij libri. Sidomos për prindërit, bëjeni pjesë të bibliotekës suaj, përmes një botimi cilësor, nga shtëpia botuese "Albas", që t’u jepni përgjigjen e duhur pyetjeve të vështira që bëjnë fëmijët tuaj.


Çdo përgjigje e prindërve për pyetjet që bëjnë fëmijët është kaq e rëndësishme, sa janë vetë ata në jetën tonë. Nga kjo nevojë dhe krejt rastësisht lindi ky libër. Libri tregon me një gjuhë të këndshme dhe gazmore disa ngjarje të vogëlushes Amel, që lindën nga disa gënjeshtra të bardha që i thanë prindërit. 


Sevi, prej vitesh punoni si redaktore e gjuhës shqipe. Tashmë vjen në tregun e botimeve letrare si autore e një libri për fëmijë. “Gënjeshtra të bardha” është libri yt i parë, i botuar nga shtëpia botuese “Albas”. Si kaluat nga e para tek e dyta?

Në fakt është i pari artistik, por botimi i dyti për fëmijë. Profesionin e redaktores së gjuhës shqipe e ushtroj prej 16 vitesh pa u shkëputur asnjë ditë prej tij. Edhe kur mendoj se shkëputem pak, puna më ndjek nga pas me mesazhe: si shkruhet kjo fjalë apo ajo? Ma redakto pak këtë fjali apo atë. Ky profesion është dhe pasioni im më i madh, sa as orët e stërzgjatura të punës shumë herë nuk ma kanë zbehur dot. Tekstet a materialet që redaktoj janë të llojeve të ndryshme, si: artistike, shkencore, didaktike, historike, shkollore etj. 

Vitet e fundit pika ime e fortë janë bërë librat për fëmijë, qoftë ata artistikë, por edhe shkollorë e didaktikë. Të redaktosh këto tekste është edhe më e vështirë, sepse duhet të përshtatësh gjuhën me atë të fëmijës, moshën dhe botëkuptimin e tij. Nuk e mohoj që në këtë fushë një ndihmesë të madhe më ka dhënë ime bijë. Komunikimi dhe konsultimet apo edhe testimet tek ajo të librave që redaktoja, më ndihmojnë në redaktimin e këtyre librave. Kështu u krijua klima dhe siguria ime për të sjellë një libër artistik për fëmijë.  Jam e sigurt që më përpara kur ajo ishte bebe apo edhe më pas, kur të bëhet një adoleshente, nuk mund ta bëj një libër të tillë.  


Si lindi “Gënjeshtra të bardha”? 


Në fakt ky libër lindi krejt rastësisht. Po punoja me një libër tjetër për fëmijë dhe në një fragment po “testoja” gjuhën e tij tek ime bijë. Atë çast ajo më bëri një pyetje, që më la pa përgjigje. U përpoqa të gjeja një përgjigje afër botëkuptimit të saj dhe, për të mos humbur besimin, duke belbëzuar sajova diçka. Nuk iu duka bindëse dhe këtë e kuptova nga shprehia e saj e fytyrës... U gjenda e çarmatosur dhe e zënë në kurth... Kjo situatë më bëri të reflektoj për vete dhe për të gjithë prindërit e tjerë, që zihen në kurth nga pyetjet e vogëlushëve tanë dhe cila ishte përgjigja e duhur, në mos jo e saktë, që duhet t’u japim fëmijëve në këtë moshë për disa pyetje. 

Kështu nisi rrugëtimin ky libër me tregime gazmore për fëmijë 5-8 vjeç. Këtu po e zgjeroj pak grupmoshën që i drejtohet, sepse zhvillimi i fëmijëve është individual dhe i ndryshëm nga njëri fëmijë te tjetri. 

Libri tregon me një gjuhë të këndshme dhe gazmore disa ngjarje të vogëlushes sonë, që lindën nga disa gënjeshtra të bardha që i thamë ne si prindër. Duke qenë të vetëdijshëm për moshën e saj të vogël, ashtu si shumë prindër para dhe pas nesh, i thamë disa gënjeshtra për pyetjet e saj. Mirëpo këto gënjeshtra ndezën një fantazi kaq të madhe tek ajo, sa shkoi deri aty e me imagjinatë ndërtoi një supemarket gjigant shumë larg, ku shiteshin fara bebesh... 

Në këtë libër, në mënyrë artistike dhe me konsultime të shumta me libra psikologjikë për këtë grupmoshë, jam përpjekur të jap përgjigjen e duhur për këto pyetje “të vështira” qoftë nëpërmjet gojës së prindërve, mësueses në klasë apo edhe gjyshërve. 

 

A janë të domosdoshme, edhe pse janë gënjeshtra?


Ne si prindër i mëshojmë fort idesë që fëmijët nuk duhen mësuar me gënjeshtra. Kjo është më se e drejtë! Por disa herë na ndodh që ne vetë i gënjejmë. Nuk duhet t’i pranojmë kurrë gënjeshtrat, mirëpo duhet të dallojmë llojin e tyre. Gënjeshtrat e bardha, ato jo dashakeqe, disa herë janë edhe të shëndetshme, si në rastin e pyetjeve: A ekziston Babagjyshi? Po Zana e dhëmbëve, Lepurushi i pashkëve etj. 

Madje, një psikologe e njohur për fëmijë thotë se “Babagjyshi i Vitit të Ri, Zana e dhëmbëve dhe disa figura të tjera nëse nuk do të ekzistonin, duheshin shpikur me patjetër”. Ndonjëherë, duke i përjetuar disa përvoja jetësore me anë të gënjeshtre të bardhë, është një mënyrë e bukur. E bukur në kuptimin kur ndez fantazinë, ashtu siç ndezën tek Ameli, personazhi i këtyre tregimeve. Duhet që ne si prindër ta nxitim këtë imagjinatë te fëmijët tanë, duke u thënë disa gënjeshtra të bardha, që babagjyshi sjell dhurata, që zana e dhëmbëve sjell monedha për dhëmbin që bie, që njerëzit apo kafshët e dashura që vdesin bëhen yje në qiell etj. Nëpërmjet këtyre formave, pra gënjeshtrave të bardha, ne i ndihmojmë ata ta pranojnë më natyrshëm realitetin, i bëjmë më të duruar etj. Duke i nxitur imagjinatën me mënyra të ndryshme, i hapim mendjen fëmijës tonë për një botë më të madhe.  


Si e priti Ameli, personazhi kryesor i këtyre tregimeve gazmore, botimin e këtij libri?


Ameli e dinte që po bëja një libër me "bëmat" e saj, por konkretisht se për çfarë fliste, mendova t'ia bëja surprizë ditën që do ta kishte në dorë. Meqë tani di të lexojë, e lamë ta lexonte vetë. Pasi lexoi tregimin e parë, ishte shumë e lumtur dhe më tha: "Mami këtu jam unë, të gjithë shokët e shoqet e mia dhe fëmijët si unë". Tani mezi pret që këtë libër ta kenë në dorë edhe shokët e saj të klasës dhe lagjes, duke qenë se edhe ata janë personazhe të librit, por jo vetëm ata...

Uroj dhe shpresoj që, nëpërmjet këtij libri, të kemi dhënë një mesazh të bukur dhe kënaqësinë e leximit për të gjithë fëmijët e kësaj grupmoshe dhe prindërit.


“Gënjeshtra të bardha” është një libër i dobishëm për prindërit e fëmijëve që bëjnë shumë pyetje e që e duan patjetër përgjigje. Çfarë mund t’u thuash lexuesve në këtë rast?


Dua t'u them lexuesve, por edhe prindërve, që çdo përgjigje e jona për pyetjet që na bëjnë fëmijët është kaq e rëndësishme, sa janë vetë ata në jetën tonë. Është fakt, që personaliteti i tyre formohet nga përgjigjet dhe udhëzimet që u japim ne, të rriturit. Ashtu siç është detyra jonë si prindër, mësues, gjyshër, të rritur, që t'i ndihmojnë të rriten me një trup, por edhe mendje të shëndetshme.


A do të pasohet ky libër nga të tjerë?


Dua të jem sa më pranë fëmijëve dhe nevojave të rritjes së tyre çdo çast. Ndaj në planet e mia është një libër me disa udhëzime të thjeshta dhe të domosdoshme se si ta mbrojnë veten në situata të ndryshme, në rrugë, kur udhëtojnë, kur humbasin në mjedise me shumë njerëz, si të tregojnë kujdes ndaj energjisë eklektrike etj, por të gjitha këto udhëzime në formë artistike dhe në mënyrë të këndshme për ta. Kaq mund të zbulojmë për këtë projekt...


Ju falënderoj për këtë intervistë të këndshme!



(Inervistoi Nanila Allkja Biçaku; Portali Shkollor)

3,278 Lexime
4 vjet më parë