"Gjergji dhe Plagët e Lavdisë", romani i parë grafik nga Blerim Gjoci, vjen në duart e lexuesve
Autori Blerim Gjoci sjell për lexuesit romanin grafik "Gjergji dhe Plagët e Lavdisë", një vepër moderne në stilin comic book, frymëzuar nga legjenda e Gjergj Elez Alisë dhe botuar nga Albas. Libri promovohet sot në Panairin e Librit në Prishtinë. Ftoheni të merrni pjesë.
Pas një pune shumëvjeçare dhe kërkimeve mbi mitologjinë, folklorin dhe historinë ilire, Gjoci sjell historinë e Gjergjit në një univers të ri artistik, ku rrëfehen fëmijëria e tij, dashuria, betejat kundër së keqes dhe rrugëtimi drejt lavdisë.
Sipas autorit, ideja për këtë projekt lindi që në fëmijëri, nga dëshira për të pasur një super-hero shqiptar të paraqitur në formën e novelave grafike, të ngjashme me personazhet e njohur të Marvel dhe DC Comics.
Romani grafik do të jetë në dispozicion të lexuesve duke filluar nga dita e mërkurë, nga ora 12:00, në Panairin e Librit, ku të interesuarit mund të sigurojnë ekzemplarin e tyre.
Ndërkaq, promovimi zyrtar i veprës do të mbahet të enjten (sot), duke filluar nga ora 18:30, ku autori do të flasë më gjerësisht për procesin e krijimit të romanit grafik dhe planet për vazhdimet e ardhshme të serisë.
“Gjergji dhe Plagët e Lavdisë” është libri i parë i një serie prej dhjetë romanesh grafike që trajtojnë dhjetë plagët e heroit legjendar shqiptar, duke e sjellë figurën e Gjergj Elez Alisë para lexuesve në një format bashkëkohor dhe vizualisht të pasur.
PARATHËNIE e autorit
Në kohën kur kaloja fëmijërinë time, për të ikur nga realiteti i stërmbushur me dramë, mblidheshim pas darke dhe tregonim përralla. Përralla për vëllain e vogël të shtëpisë, që askush nuk besonte se një ditë do ta mbronte nderin e familjes dhe do të lartësohej në hero; për Mujin e Halilin, për Gjergj Elez Alinë — heronj që nuk u tunduan asnjëherë përballë së keqes… Doja që kjo botë magjike e përrallave mos të përfundoj kurrë. Në fillim të viteve 80-të për herë të parë po mbaja në duar një novelë grafike me super heronjë. Mbeta i magjepsur!
Të jemi të sinqertë, në atë kohë nuk kishte filma nga Marvel apo DC Comics. The Amazing Spider-Man u dha premierë në vitin 1977, por popullaritetin e madh filmat per Super Heronjët e bazuar në novela grafike filluan ta marrin me Blade në vitin 1998 dhe më pas me serinë X-Men nga viti 2000. Deri atëherë, zhytja në botën magjike të këtyre karaktereve me fuqi mbinatyrore mund të bëhej më së shumti përmes novelave grafike.
Si fëmijë, kur i dëgjoja përrallat në netët e gjata të dimrit, ëndërroja të kishim një super-hero shqiptar në novela grafike. Një super-hero që nuk do të trembej nga e keqja, që do ta luftonte të ligën dhe nuk do të ndalej deri në triumf.
Vitet kaluan, kjo dëshirë nuk u zhduk. Jeta deshi që të vija në Amerikë për të studiuar dhe jetuar. Në një nga klasat që mora, na u kërkua të ndërtonim një botë magjike rreth një karakteri të dashur dhe ta prezantonim atë botë para publikut.
“Gjergji”, pëshpërita me vete.
Por në folklor bota e Gjergj Elez Alisë nuk është shumë e detajuar. Nuk dimë për fëmijërinë e tij, për jetën para plagës së dhjetë. Kënga flet për betejën e fundit të Gjergjit kundër Bajlozit të Zi, për trimërinë dhe shkathtësinë e tij, për nderin, dashurinë për vendin dhe për motrën që nuk iu nda kurrë dhe këtu përfundon historia! Më lindi dëshira e madhe që Gjergjin ta paraqes para botës me tërë madhështinë e tij.
Dhe kështu lindi tregimi për Gjergjin dhe Plagët e Lavdisë.
Kam kërkuar në shumë arkiva dhe, bazuar në atë që kam lexuar, nëse ka ekzistuar një Gjergj Elez Ali, ai do të ketë jetuar në shekullin e IV të erës sonë, tek fisi i Ardianëve, i vendosur aty ku sot quhet Gryka e Kotorrit në Mal të Zi, më konkretisht në qytetin e Teutës, në Rizan.
Banorët e Rizanit jetonin në një botë magjike, në besëlidhje me Zanat e pavdekshme dhe në harmoni të plotë me natyrën.
Nuk kam asnjë pretendim ndaj asnjë fqinji, por e kaluara nuk mund të shlyhet e as të ndryshohet.
Kjo novelë grafike vie e rrëfyer përmes vizatimeve me dorë, në dhjetë vazhdime, për dhjetë plagët e Gjergj Elez Alisë. Për fëmijërinë e tij, për dashurinë me Hanën, për betejat e vazhdueshme kundër së keqes dhe për lirinë e fiseve ilire, deri te beteja e fundit, e cila nuk do të përfundojë si në këngë.
Kjo le të mbetet befasi.
Këtë projekt e prezantova në Los Angeles para kolegëve dhe ligjëruesit të lëndës, njërit prej njerëzve më të njohur në botë për krijimin dhe ndërtimin e botëve imagjinare. Që nga ajo ditë, ende më vijnë pyetje se kur do të botohet Gjergji.
Ja, më në fund po vjen, në romanin e parë grafik. Do të shihemi edhe në nëntë të tjerët.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Albas në Panairin e Librit në Shkup: Tituj të rinj dhe zbritje speciale nga data 8 deri 14 maj
Më 17 qershor hapet Panairi i 26-të i Librit në Prishtinë, Albas prezanton tituj të rinj dhe serinë “Unë Jam”
ALBAS prezanton katalogun e botimeve shkollore për Shqipërinë për vitin 2026-2027