OPINION

Herojtë e heshtur në karantinë!

Në një kaos psikologjik, emocional dhe social që na kaploj befas të gjithëve, ishin mësuesit ndër të parët që i qëndruan ballë kësaj situate. Ata nuk e humbën ritmin falë durimit, vullnetit dhe përkushtimit të pashtershëm që treguan.

Në një kaos psikologjik, emocional dhe social që na kaploj befas të gjithëve të vegjël e të rritur, ishin mësuesit ndër të parët që i qëndruan ballë kësaj situate. Ata nuk e humbën ritmin falë durimit, vullnetit dhe përkushtimit të pashtershëm që treguan. 


Të gjithë ne për arsye sigurie, jemi të mbyllur në shtëpitë tona, larg të zakonshmes, larg angazhimeve të përditshme, larg vendit të punës, gjithashtu brenda në këtë izolim, ndodhet edhe e ardhmja jonë, forca dhe brishtësia e jetëve tona, shpresa e shoqërisë sonë: fëmijët dhe të rinjtë! Edhe këtë herë ata me pafajësinë dhe sinqeritetin e tyre po na shërbejnë si modele frymëzimi. Frymëzim për të qenë të fortë, për të mos humbur optimizmin, besimin, shpresën, mbi të gjitha frymëzim për të buzëqeshur… dhe për të vazhduar të buzëqeshim! Ndërsa ata na japin këto motive  aq të vyera, heronjtë e tyre të heshtur u janë  pranë, stoik, të patundur, plot zell e passion,  për t’ia dal kësaj sfide deri në fund me energjinë e triumfuesit. 


Mësuesi i mirë prek zemrën, prek dhe depërton përjetësinë… askush, asnjëherë nuk e di deri ku shkon ndikimi i tyre në jetën tonë! Ajo që dimë mirë tashmë është përkushtimi i tyre edhe në këto ditë, larg shkollës, por afër mendjes, larg shkollës por afër zemres, larg shkollës por afër dijes, larg shkollës por afër modelit, larg shkollës por afër edukimit. E kush mund ta bënte këtë gjë në këto rrethana dhe kushte të çuditshme që koha serviri me moskokëçarje, përvecse ata të cilët unë sot kam vendosur ti quaj heronjtë e heshtur?


Në një kaos psikologjik, emocional dhe social që na kaploj befas të gjithëve të vegjël e të rritur, ishin mësuesit ndër të parët që i qëndruan ballë kësaj situate.


Ata nuk e humbën ritmin falë durimit, vullnetit dhe përkushtimit të pashtershëm që treguan menjëherë pavarsisht se ju desh atyre deri në stërmundim të realizonin mësimin në distancë, edhe se nxënësin janë mësuar ta kenë pranë, të komunikojnë online edhe se kjo metodologji nuk ishte përdorur nga ata më parë, të gjejnë qetësi edhe se situata qetësi nuk ofron, të gjejnë kohën pa orar edhe se familja e tyre i pret, të ofrojnë mbështetje edhe se për mbështetje vetë ata kanë nevojë. 



Një sakrificë për mua, për ty, për ne të gjithë, që dija të mos ndalojë e shpresa të fitojë! Do të doja nga zemra tu falenderoj secilin prej jush, jo vetëm për profesionin e mësuesit që punon dhe sakrifikon, por për forcën brenda jush që i dhatë zë e krahë më shumë së kurrë… por mos harroni mbitëgjitha ju i dhatë zë dhe krahë  njeriut… njeriut brenda secilit prej nesh, brenda vetë jush e brenda vetë femijës… e ky njeri që ju e rizgjuat në këtë kaos, sot, po ulëret me sa forcë ka: Mos u dorëzoni, do t’ia dalim! 


( Dedikuar të gjithë mësuesve të Shqipërisë, të gjithë mësuesve të Mirditës, veçanërisht: Mësuesve të shkollës së mesme industriale Rubik, mësuesve të shkollës 9 – vjeçare Rubik, mësuesve të shkollës 9 – vjeçarë Vele dhe Rrasfik).



Nga psikologu: Besmir Guri, Rubik, prill 2020


(Portali Shkollor) 

2,946 Lexime
4 vjet më parë