Individi përballë sistemit dhe kaosit - 4 stacione të tjetërsimit ekzistencial
A jemi ende vetvetja në një botë që na dikton si të jetojmë? Nga Gregor Zamza i Kafkës te ankthi modern i DeLillo-s, katër kryevepra të letërsisë zbulojnë mënyrat e padukshme se si sistemet, frika dhe konsumizmi e tjetërsojnë njeriun. Një udhëtim ekzistencial për të kuptuar veten sot.
Nga Xhoina Salaj
Jetojmë në një botë të ndërtuar mbi rregulla, struktura dhe sisteme. Që nga zyra ku punojmë, te normat shoqërore që ndjekim e deri tek algoritmet që na diktojnë se çfarë të blejmë, çfarë të hamë apo si të jetojmë. Por, çfarë ndodh kur këto sisteme, në vend që të na e lehtësojnë jetën, fillojnë të na shtypin, të na tjetërsojnë dhe, në fund, të na thyejnë e bëjnë thërrime?
Në këtë artikull do të udhëtoni nëpër katër kryevepra të letërsisë botërore, ku individi përplaset me makineritë e pamëshirshme të ekzistencës. Katër autorë, katër epoka të ndryshme, por i njëjti ankth për të gjitha personazhet: humbja e vetvetes.
Stacioni 1: izolimi fizik dhe absurdi familjar
“Metamorfoza” - Franz Kafka
Porositeni këtu: https://albas.al/botime/metamorfoza/
Nuk ka fillim më të veçantë dhe më brutal në letërsi sesa ai i Gregor Zamzës, i cili zgjohet një mëngjes i shndërruar në një çimkë të stërmadhe, me këmbë hollake e me bark të fryrë. Asgjë tjetër nuk ka ndryshuar, as në dhomë, as tek ai, përveç pamjes së tij të jashtme. Por tmerri i vërtetë i kësaj novele nuk është transformimi fizik, por reagimi i botës ndaj shndërrimit të tij.
“Kur një mëngjes Gregor Zamza u zgjua prej ëndrrash të trazuara, e gjeti veten e tij në shtrat të shndërruar në një çimkë të stërmadhe.”
Gregori ishte i vetmi që e mbante familjen financiarisht. Sapo ai humb aftësinë për të punuar, humb edhe vlerën si qenie njerëzore. Vepra e tij shpreh në mënyrë të tërthortë aspiratën e njeriut për të jetuar në një botë më të sigurt, më humane, ku gjithkush mund t’i gjejë një kuptim më të lartë jetës. Në një shoqëri kapitaliste dhe utilitare, ai na tregon se njeriu vlen aq sa prodhon. Kur nuk mund të jesh më pjesë e makinerisë së punës, shndërrohesh në një barrë të shëmtuar që nuk i hyn në punë askujt.
Stacioni 2: mbytja nën regjimin e frikës dhe provincës
“Teposhte” - Herta Müller
Porositeni këtu:https://albas.al/botime/teposhte/
Në këtë përmbledhje me tregime, fituesja e çmimit Nobel, Herta Müller, na çon në një fshat të vogël të pakicës gjermane në Rumaninë e diktaturës së Çausheskut. Vepra mban emrin e tregimit më të gjatë të përmbledhjes, por, në të njëjtën kohë, Teposhte mund të kuptohet edhe si shthurje morale e vetë personazheve. Në këto tregime thyhet idili i familjes rurale, kur na tregohet për një fëmijëri pa gëzim, shpesh edhe brutale, si dhe për epshin, alkoolizimin dhe lakminë e të rriturve.
Në çdo faqet ndihet diktatura politike e ndërthurur me mentalitetin e ngushtë provincial dhe dhunën patriarkale. Përmes syve të një fëmije, Müller përshkruan një botë ku e vërteta është e ndaluar dhe ku frika ka zëvendësuar dashurinë. Gjuha e saj është e thyer, e ashpër dhe poetike në të njëjtën kohë - një pasqyrim i përkryer i një shpirti që përpiqet të marrë frymë në një mjedis ku ajri është i helmuar nga dyshimi dhe tradhtia.
Stacioni 3: prangat e monotonisë dhe iluzioneve
“Zonja Bovari” - Gustave Flaubert
Porositeni këtu:https://albas.al/
Ema Bovari është ndoshta personazhi më i keqkuptuar në letërsinë klasike. Ajo shpesh etiketohet si një grua sipërfaqësore dhe tradhtare, apo si një viktimë ekzistenciale e kohës dhe mjedisit të saj, a thua se letërsia është sallë gjyqi dhe këto janë etiketat e vetme për këtë personazh kaq kompleks. Nga faqja në faqe arrin të kuptosh Ema s’është as njëra, e as tjetra, por shumë më shumë.
Ky roman vërtitet rreth moralit të ngurtë të shekullit XIX, martesave të mirëplanifikuara dhe provincializmit të zymtë francez që nuk i linte hapësirë lirie apo karriere figurës së gruas. E ushqyer me romane romantike, Ema kërkon dëshpërimisht një jetë pasionante dhe plot jetë. Kur përplaset me realitetin e mërzitshëm të bashkëshortit të saj të thjeshtë, ajo hyn në një rrugë pa krye të tradhtive dhe borxheve. Shndërrimi i Emës vjen nga pamundësia për të pranuar jetën ashtu siç është, duke zgjedhur vetëshkatërrimin si shpëtimin e vetëm nga burgu i përditshmërisë.
Stacioni 4: ankthi i jetës moderne dhe konsumizmit
“Zhurma e bardhë” - Don DeLillo
Porositeni këtu:https://albas.al/botime/zhurma-e-bardhe/
Nëse Kafka dhe Flaubert na zhvendosin në një kohë disi të largët, Don DeLillo na vendos mu në zemër të zhurmnajës së sotme. Në këtë roman postmodern, përhumbemi në historinë e një profesori, që së bashku me familjen e tij jeton në një mjedis të mbytur nga reklamat, mediet dhe teknologjia.
“Zhurma e bardhë” është ajo zhurma e vazhdueshme e televizorit, e radiove dhe e reklamave që na mpin trurin dhe na largon sa më shumë nga një e vërtetë e frikshme: vdekshmëria. Personazhet e DeLillo-s blejnë gjëra që nuk u duhen dhe konsumojnë ilaçe eksperimentale vetëm për të fshehur ankthin ekzistencial. Nga faqja në faqe shihet tjetërsimi i njeriut që e ka humbur kuptimin e jetës.
Pse duhet t’i lexojmë këta libra sot?
Në pamje të parë, Gregor Zamza, Ema Bovari, vajza e vogël në fshatin e zymtë të Herta Müller-it dhe profesori i mbytur në konsumizëm i Don DeLillo-s nuk kanë asgjë të përbashkët. Ata i ndajnë epokat, territoret dhe betejat. E megjithatë, të gjithë janë të lidhur nga e njëjta fije e padukshme: përpjekja dëshpëruese për të shpëtuar një thërrime njerëzore përballë një mekanizmi që kërkon t'i zhveshë nga vetvetja.
Këta katër autorë na tregojnë se me kalimin e kohës sistemet veç sa ndryshojnë fytyrë. Ato janë fluide, përshtaten dhe gjejnë gjithmonë maska të reja për të na kontrolluar: herë shfaqen si një shef nursëz që ta mat vlerën me orë pune; herë si një regjim i egër politik që kërkon të të kontrollojë çdo grimcë; herë si një martesë pa dashuri e mbytur nga morali i rremë i rrethit shoqëror; e herë si një ekran telefoni që nuk fiket kurrë, duke na ushqyer me zhurmë artificiale për të na fshehur boshllëkun e vërtetë.
Në një botë ku algoritmet parashikojnë dëshirat tona dhe ku shpesh ndihemi të tjetërsuar pa e kuptuar as vetë, këta libra funksionojnë si radiografi ekzistenciale, të cilët na tregojnë se liria shpesh rrëshqet në mënyrë të padukshme, përmes kompromiseve të vogla që bëjmë çdo ditë me makineritë e jetës moderne.
Në cilin stacion të tjetërsimit po qëndrojmë aktualisht dhe si mund të zbresim prej tij para se të jetë shumë vonë?
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
10 libra që do të të shpien nëpër udhëtime të ndryshme
Një takim mes qiellit dhe tokës, nga "Princeshëza e Hënës" tek "Udhëtimi kokëkrisës i fëmijës plastik"
“Hajdi”, vjen në shqip me përkthimin e papërsëritshëm të Afrim Koçit