
Irida Xhura: “Em dash”, shenja e pikësimit që po na e imponon ChatGPT-ja
Në një kohë kur ChatGPT po ndikon gjithnjë e më shumë në mënyrën si shkruajmë, Irida Xhura na fton të reflektojmë mbi përdorimin e shenjës “em dash” (—), e panjohur për gjuhën shqipe, dhe nevojën për të ruajtur normat tona drejtshkrimore.
Përgatiti: Irida Xhura
ChatGPT-ja është tashmë pjesë e përditshmërisë së gjithkujt që ka nevojë të hartojë një mesazh, një shkresë, një e-mail apo edhe thjesht të gjejë përgjigje për pyetjet që i lindin. Pavarësisht përpjekjeve për të ndërgjegjësuar të rinjtë mbi disavantazhet e përdorimit të shpeshtë të ChatGPT-së, duket se kjo është kthyer në një luftë me mullinjtë e erës. Ja ku gjendemi sot përballë shkrimeve të përsosura nga ana drejtshkrimore, përgjithësisht të sakta nga ana gramatikore dhe sintaksore, por me një veçori të pazakontë për gjuhën shqipe nga ana e pikësimit.
A e keni vënë re që në shkrimet e gjeneruara nga ChatGPT-ja shfaqet shpesh kjo shenjë pikësimi (—)?
Kjo shenjë quhet em dash, sepse ka gjerësinë e shkronjës “M” në shtypjen tradicionale. Përdorimet më të zakonshme të saj janë:
1. Për të theksuar një ndërprerje ose pauzë në fjali:
Ajo ishte gati ta thoshte të vërtetën — por u tërhoq në çast.
2. Për të futur informacion shtesë ose për të zëvendësuar kllapat/presjet:
Vëllai im — ai që jeton në Gjermani — do të vijë për vizitë javën tjetër.
3. Në fund të fjalisë, për të treguar ndërprerje:
“Nëse do të kisha kujtuar të—”, ajo heshti papritur.
Kjo shenjë pikësimi nuk ekziston në sistemin standard të gjuhës shqipe dhe, për të qenë korrektë me përdorimin e saj, duhet të zëvendësohet me shenjat e mëposhtme:
Shenjat e pikësimit që zëvendësojnë shenjën em dash në shqip:
1. Presja (,)
Përdoret për të futur informacion shtesë në fjali.
Shembull me em dash:
Motra ime — më e vogla në familje — është shumë e talentuar.
Në shqip me presje:
Motra ime, më e vogla në familje, është shumë e talentuar.
2. Kllapat (())
Përdoren për të futur sqarime shtesë, më neutrale ose informuese.
Shembull me em dash:
Vëllai im — ai që jeton në Itali — po vjen për pushime.
Në shqip me kllapa:
Vëllai im (ai që jeton në Itali) po vjen për pushime.
3. Pikë e presje (;)
Përdoret për të ndarë dy ide që lidhen, por janë të pavarura.
Shembull me em dash:
Ai kishte vetëm një dëshirë — të kthehej në shtëpi.
Në shqip me pikë e presje:
Ai kishte vetëm një dëshirë; të kthehej në shtëpi.
4. Pikë (.)
Kur fjalia ndahet plotësisht për të theksuar idenë.
Shembull me em dash:
E dinte çfarë donte — nuk kishte më dyshime.
Në shqip me pikë:
E dinte çfarë donte. Nuk kishte më dyshime.
5. Vizë e zakonshme (-)
Përdoret kur nuk ka mundësi teknike për të shtypur em dash.
Shembull:
Ai — ndryshe nga të tjerët — nuk foli asnjë fjalë.
Ai - ndryshe nga të tjerët - nuk foli asnjë fjalë.
Pse është e rëndësishme të respektojmë shenjat e pikësimit të gjuhës shqipe?
1. Për të ruajtur normat gjuhësore standarde
Gjuha shqipe ka një sistem të kodifikuar të drejtshkrimit, ku përfshihen edhe rregullat e pikësimit. Ky sistem siguron që:
• Tekstet të jenë të kuptueshme dhe të qarta për të gjithë lexuesit;
• Të shmangen keqkuptimet ose interpretimet e gabuara;
• Të ruhet uniteti i gjuhës së shkruar në libra, dokumente, shkolla, media etj.
2. Për të shmangur huazimet e panevojshme gjuhësore
Shenja të tilla si em dash (—) i përkasin kryesisht anglishtes dhe gjuhëve që përdorin një sistem tjetër pikësimi. Në shqip:
• Em dash-i nuk është pjesë e sistemit standard;
• Përdorimi i tij krijon ndjesinë e një “huazimi” të panevojshëm dhe të panatyrshëm në një tekst shqip.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Emrat asnjanës dhe gabimet tona me ta
Në vend që të ndihet krenare, sipas medieve tona, Dua Lipa kërkon “falje” që është krenare
Gabimet tona me përemrat “UNË” dhe “TI”