Reflektim

Kolegët e punës janë intelektualët e shoqërisë

Një miqësi e ngushtë mes kolegësh është një miqësi e ngushtë mes intelektualësh që reflekton në çdo kohë urtësi, pjekuri dhe maturi… Sa bashkëpunues tregohemi në këtë proces?

I shihje përherë së bashku, si kur vinin mëngjeseve stinore ashtu edhe kur kalonin çaste të ndryshme të përditshmërisë së tyre deri në ikje. 

Bisedat e tyre kishin humor, kishin shpresë, kishin sinqeritet, kishin vetëmohim, kishin intelekt… 

S’kishte hatërmbetje mes tyre në asnjë lloj mënyre apo rrethane, pasi e kuptonin më së miri natyrën dhe karakterin përkatës, kjo sepse ishin intelektualë… 

Bashkëpunonin së tepërmi qoftë për konsulenca të ndryshme qoftë edhe për realizimin e projekteve që viheshin jo vetëm në shërbim të zhvillimit të tyre profesional, por edhe institucional… Komunikonin mjaft ëmbëlsisht duke mos e njohur asnjëherë mërinë… 

Pëlqenin së tepërmi të ndanin gjërat e shtrenjta që reflektonin mirësi si me nxënësit e tyre ashtu edhe me kolegët e tjerë të punës, pasi mendonin se suksesi në punë vjen nga harmonia në kolektiv. 


*** 


Një natyrë hiperaktive, zëri i të cilit dëgjohej që në hyrje të institucionit… U fliste të gjithëve me radhë, diku me shaka e diku me seriozitet… 

S’rrinte i qetë dhe asnjëherë s’e shihje në një vend, por gjithandej, me secilin prej kolegëve të punës kishte aftësinë të gjente diçka për të biseduar, që mund të kishte apo jo lidhje me profesionin që bënin… 

Tregohej tejet i thjeshtë me sjelljet dhe reagimet e veta pa menduar aspak nëse duhej të ndryshonte diçka apo jo. Diku fliste për një fushë e diku për një fushë tjetër, diku shfaqej tejet i buzëqeshur e diku tjetër serioz… 

Ishte i pranishëm në çdo lloj bisede dhe asnjëherë s’hezitonte të ofronte një pikëpamje të tijën, sido që të ishte. Ruante bindjen se vetëm me thjeshtësi mund të bëheshe protagonist në rrethe të ndryshme dhe për rrjedhojë edhe i pranueshëm në atë shoqëri… 


***


Çdokujt i bënte përshtypje serioziteti që shfaqte, megjithëse ishin mësuar tashmë prej vitesh me natyrën e tij… Një mprehtësi fytyre me një buzëgazje reflektoheshin në çdo ambient si tipare të palëkundshme të tij… 

Duhej të mateshe mirë në momentin kur ti drejtoje një pyetje apo edhe kur të flisje me të, pasi natyra e tij s’pranonte asnjë lloj shakaje në kolektivin e punës. Kolegët e punës në respekt të figurës së një mësimdhënësi e përshëndesnin me shumë dashamirësi duke i ofruar edhe diçka si në shenjë gostitjeje… 


*** 


Sa herë që hyje në këshillin pedagogjik e shihje ose duke shfletuar një libër nga klasikët apo shkencat e përgjithshme, ku interesimi ishte më i dukshëm ose duke bashkëbiseduar me kolegë të ndryshëm për çështje edukative dhe kulturore… 

Shfaqte aftësi admiruese qoftë në komunikim, qoftë në argumentime tematikash, qoftë në ofrim opinionesh me baza logjike dhe koherente… Këmbëngulës në ngritjen intelektuale si dhe në pasurimin kulturor. Tregonte përherë një vullnet të hekurt për të realizuar më të mirën e mundshme në çdo proces…  


***


Të këtilla natyra i hasim në përditshmërinë e punës sonë, që padyshim na ofrojnë një larmi të gjallë dhe plot dinamizëm në rrugëtimin e profesionit.  Duke qenë se jemi qenie sa individuale aq edhe shoqërore detyrimisht bëhemi pjesë e një grupimi apo e disa grupimeve kolektive duke na u dhënë mundësia në këtë mënyrë të ecim drejt një socializimi që na integron me hapa të shpejtë drejt bashkëkohores.  


Bashkëpunimi rigoroz mes kolegësh duke shkëmbyer eksperienca të larmishme si dhe duke u konsultuar për informacione apo të dhëna të ndryshme shkencore dhe kulturore jo vetëm çon përherë në një unifikim të marrëdhënieve dhe raporteve brenda grupit të kolektivit, por rrit akoma më shumë produktivitetin duke shënuar një forcim të dukshëm edhe të nivelit intelektual si dhe një gjallërim e harmoni për një mbarëvajtje të procesit.  


Të tilla bashkëpunime rigoroze sjellin edhe miqësi të ngushta dhe me një miqësi të ngushtë: 

  • Kuptojmë më së miri thelbin dhe identitetin tonë dhe të bashkëbiseduesit. 
  • Forcojmë akoma më shumë karakterin dhe natyrën efikase 
  • Merremi me çështje parimore që na forcojnë gjykimin e plotë 
  • Aftësohemi në zgjerimin e vizioneve dhe botëkuptimeve 
  • Bindemi se nuk jemi të vetmuar në rrugëtimin tonë të dijes dhe të vlerave 
  • Aspirojmë përherë në zhvillimin e strategjive afatshkurte dhe afatgjate 


Kolegët e punës e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin për të qenë sa më të unifikuar në realizimin e aspiratave të tyre, e si fryt i këtij bashkëpunimi, ku ka më bukur se ti fitosh zemrën tjetrit me vlerat njerëzore dhe intelektuale që ushqen, dhe, në këtë mënyrë, të tilla vlera ndërthurin mendjen dhe shpirtin njerëzor në emër të solidaritet dhe të rritjes profesionale. 


Bashkërendimi i punëve mes grupmoshave të ndryshme sjell jo vetëm një shkëmbim të domosdoshëm eksperience, por ndërthur pikëpamje që kanë të bëjnë si me fushën përkatëse ashtu edhe të kuptuarin e natyrës së individit duke u fokusuar kështu tek emëruesi i përbashkët që i lidh grupet e një kolektivi.  


Kështu p.sh: 

Një orë e hapur që mund të organizohet në një lëndë të caktuar me pjesëmarrjen jo vetëm të mësuesve të atij departamenti, por edhe të lëndëve të tjera do të ndihmonte në konsolidimin sa më të mirë të procesit të mësimdhënies si dhe të njohjes së shumë teknikave të larmishme që synojnë përmirësimin e dukshëm të plotësimit të kompetencave. 

Menjëherë pas kësaj ore të hapur do vijojë ora e konsultës mes kolegësh, tashmë si një mundësi mjaft specifike e rrahjes së mendimeve për trajtimin e metodave sa më bashkëkohore. Kjo do të çojë edhe në dhënien e rezultateve pozitive për ngritjen dhe forcimin e cilësisë në profesionalizmin e duhur. 



Një miqësi e ngushtë mes kolegësh është një miqësi e ngushtë mes intelektualësh që reflekton në çdo kohë urtësi, pjekuri dhe maturi… 

Sa bashkëpunues tregohemi në këtë proces? 



Nga Evans Drishti 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.  

819 Lexime
1 muaj më parë